
Më shumë se çdo institucioni tjetër, Fakultetit Filologjik i takon që të festojë Ditën e Librit. Atmosfera e krijuar në oborr të jep tamam përshtypjen e një feste. Stenda plot me libra janë vendosur njëra pas tjetrës. Atje ku janë bërë ulje çmimesh, sigurisht që ka edhe më shumë studentë. Shumë blejnë, të tjerët janë kureshtarë. Për të katërtin vit me radhë, me iniciativën e departamentit të letërsisë, në kuadrin e Ditës Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, u zhvillua një kalendar aktivitetesh, që kishin për kryefjalë pikërisht librin. Ajo që binte menjëherë në sy, ishte një panair libri i organizuar në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë. Stendat ofronin tituj nga më të ndryshmit, megjithatë shtëpitë botuese pjesëmarrëse në të, si “Dituria”, “Ombra GVG”, “Onufri”, “Plejad”, “Bota Shqiptare” etj., ishin fokusuar më së shumti në ato botime të reja, të cilat i përkasin fushave që studiohen në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë. Sa kalon pragun e Fakultetit, fillon pjesa disi më “serioze”. Në të tria katet nuk mungojnë stendat me librat studimorë të pedagogëve të Fakultetit, apo studiuesve të tjerë. Ndërkaq, në dy sallat e mëdha të leksioneve, në katin e dytë dhe të tretë, pedagogë, studiues, autorë librash e studentë ndajnë me njëri-tjetrin botimet më të reja në lëmë të letërsisë, apo publicistikës. Madje, ndonjëherë organizatorëve apo autorëve të ndryshëm u duhet të lëvizin nga njëra sallë në tjetrën, për të biseduar me studentët e për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Gjatë kësaj dite u prezantuan disa vepra të rëndësishme, si vepra e plotë letrare e Bilal Xhaferrit, përgatitur nga prof. Bashkim Kuçuku, “Histori e bukurisë” nga Umberto Eko, përkthyer nga Shpëtim Çuçka, vepra e plotë letrare e Martin Camajt, botuar nga “Onufri”, “Erotikon” nga Virgjil Muçi, prezantim i revistës “Studime Albanologjike -Letërsi”, “Letërsi e painterpretuar” nga Floresha Dado, “Leksione për antropologjinë kulturore” nga Adem Jakllari, “Shqyrtime kritike nga historia e letërsisë shqipe” nga Ymer Çiraku, “Lirika” dhe “Balada” nga Koçi Petriti, “Cikli filozofik në sistemin poetik të Lasgush Poradecit” nga Eldon Gjikaj etj. Një tjetër prezantim ishte ai i librit “Roje” të Fatos Baxhakut, ku ishte i pranishëm vetë autori, i cili shoi kureshtjen e studentëve mbi një fenomen të përhapur në gjithë Shqipërinë (në disa zona edhe më shumë), atë të vendosjes së dordolecëve, arinjve prej pelushi etj., majë çative për të larguar syrin e keq. Gjithashtu u zhvillua edhe një tryezë debati mbi temat: “E ardhmja e fjalës së shtypur në epokën dixhitale” dhe “Letërsia shqipe dhe njohja e saj jashtë vendit”. Ishte një ditë e gjatë në Fakultetin Filologjik, më e gjallë se çdo herë tjetër, ku festa ishte e vërtetë, sepse festohej diçka e vërtetë dhe e përjetshme, libri.
Homazh letërsisë së ndaluar
“Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e Dënuar”, fitues i çmimit kombëtar “Gjergj Fishta”, i autorit Visar Zhiti, u bë tema e diskutimit në sallën “Tefta Tashko-Koço” të MTKRS, në Ditën Ndërkombëtare të Librit. Studiues të letërsisë e shkrimtarë folën jo thjesht mbi veprën e Zhitit, e cila vjen në botimin e saj të cytë, por për fenomenin e “letërsisë së ndaluar” gjatë viteve të diktaturës komuniste. Shkrimtari Agron Tufa, studiuesi Behar Gjoka, botuesi Luan Pengili etj., e quajtën këtë libër si një homazh për të gjithë ata që u dergjën burgjeve komuniste, sepse dashuronin fjalën e lirë. “Me librin “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, ne jo vetëm që i bëjmë homazh letërsisë sonë martire dhe krijuesve të saj, shpesh me vepra dhe jetë të ndërprera, por dhe marrim sigurinë se letërsia jonë sot, artet po bëjnë vetveten më mirë se më parë, duke mbartur dhe dritën e së vërtetës”. Vetë autori Visar Zhiti solli në vëmendje të të pranishmëve rastin e paprecedentë të poetëve nga Librazhdi, Vilson Blloshmi e Genc Leka dhe mënyrën e frikshme të ekzekutimit të tyre. “Në ditën botërore të librit ne zgjodhëm të flasim për sprovën e Visar Zhitit “Panteoni i nëndheshëm ose Letërsia e dënuar”, një libër shumëdimensional me vlera të çmuara, do të thoshim.”, thotë botuesi.











