Situata e Kevin De Bryjne te Napoli po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një çështje delikate, ku emocionet dhe interesat sportive përplasen me realitetin ekonomik. Mesfushori belg, i cili po lufton me kohën për t’u rikthyer në formën e tij më të mirë fizike, nuk ka hezituar të shprehë publikisht lidhjen e fortë me klubin napolitan, duke dërguar një mesazh të qartë nga distanca.

“Jam pjesë e Napolit, dua të zbuloj limitet e mia këtu”, është shprehur De Brojne, fjalë që kanë ngrohur zemrat e tifozëve, por që nuk kanë shuar dilemat në zyrat e klubit. Ndryshe nga dëshira e lojtarit për të vazhduar aventurën në “Diego Armando Maradona”, drejtuesit e Napolit po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e ndërprerjes së bashkëpunimit.
Arsyet janë dy dhe mjaft të forta. E para lidhet me gjendjen fizike të mesfushorit belg, i cili pas problemeve të përsëritura muskulore nuk ka arritur ende të garantojë vazhdimësi në fushë. Stafi teknik dhe mjekësor po ndjek me kujdes rikuperimin e tij, por pasiguritë mbeten. Arsyeja e dytë, ndoshta më vendimtare, është ajo ekonomike.
De Bryjne përfiton te Napoli një pagë sezonale prej 11,2 milionë eurosh, një shifër shumë e lartë për parametrat aktualë të klubit. Kontrata e tij është e vlefshme deri në vitin 2027, çka e bën edhe më komplekse çdo vendimmarrje në lidhje me të ardhmen e tij. Drejtuesit napolitanë po mendojnë të shkurtojnë këtë shpenzim të konsiderueshëm për të liruar hapësira financiare dhe për të investuar në përforcime të tjera, më funksionale dhe më të sigurta në aspektin fizik.
Megjithatë, ky plan përplaset me vullnetin e vetë lojtarit. Sipas burimeve pranë ambientit të Napolit, De Brojne nuk ka ndërmend të largohet, të paktën jo gjatë merkatos së janarit. Belgu dëshiron të qëndrojë, të rikthehet protagonist dhe të provojë se ende mund të bëjë diferencën në një kampionat kërkues si Serie A. Kështu, Napoli gjendet përballë një vendimi të vështirë: të vazhdojë t’i besojë një kampioni me eksperiencë të jashtëzakonshme apo të mendojë për të ardhmen duke sakrifikuar një emër të madh. Një dilemë që pritet të shoqërojë klubin edhe në javët në vijim, mes shpresës dhe pragmatizmit.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











