Pa drita, çifti humb jetën brenda kabinës elektrike

Apr 15, 2011 | 11:35
Kabina ku ndodhi ngjarja në Lezhë

Burrë e grua humbin jetën në kabinën elektrike. Çifti Zef dhe Leze Prenga, 63 dhe 60 vjeç, kanë prekur telat e tensionit, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, në fshatin Kallmet i Madh i Lezhës, i cili prej 5 ditësh nuk furnizohej me energji, pas vjedhjes së telave përcjellës. Mësohet se burrë e grua po punonin në tokën e tyre, në të cilën ndodhet dhe kabina elektrike prej nga përcillet energjia për fshatin e tyre. Policia ka ndërtuar ngjarjen e rëndë, nisur nga dëshmitë e banorëve të zonës dhe vendit ku u gjetën viktimat. Sipas saj, ndërsa punonte tokën, Zef Prenga ka pikasur derën e kabinës elektrike të hapur. Kureshtja, nisur dhe nga fakti se prej ditësh nuk kishin drita në shtëpi, e ka shtyrë 63-vjeçarin drejt vendit ku do të gjente vdekjen pak sekonda më vonë. Në kabinë ka pikasur se transformatori ishte lëvizur nga vendi, ndërsa dera ishte e hequr plotësisht. I bindur se nuk kishte energji elektrike, pasi prej një jave sipas banorëve ky fshat nuk furnizohej me energji elektrike, ai ka hyrë brenda. Ky moment ka qenë fatal për të, pasi ka prekur në telat e tensionit të lartë, të cilat përcillnin energjinë nga linjat e Lezhës për të vazhduar më tej në fshat. Prenga ka gjetur vdekjen në vend dhe pa asnjë shenjë jete, e ka gjetur e shoqja. Leze Prenga ka shkuar pas tij, por në tentativë për të nxjerrë nga kabina trupin e të shoqit, ka rënë dhe vetë viktimë. Si rezultat i një qarku të shkurtër krijuar nga kontakti me kabllot e energjisë, ka dalë tym, çka ka tërhequr vëmendjen e banorëve të tjerë të zonës. Ata kanë shkuar me urgjencë, duke konstatuar dhe fatin tragjik të burrë e grua. Me shpejtësi është lajmëruar policia, ndërsa OST-ja ka stakuar linjën e energjisë në këtë kabinë, deri në përfundimin e veprimeve hetimore. Bashkë me ekspertët e policisë kanë shkuar dhe forca zjarrfikës, të cilët kanë ndihmuar në nxjerrjen e trupave të pajetë. Banorë të fshatit Kallmet të Lezhës shprehen se kishin një javë që nuk kishin drita. Për ngjarjen ata fajësojnë ndërmarrjen e elektrikut se nuk zëvendësuan linjën e vjedhur. “Imagjinoj kur në kabinë kanë hyrë dy persona madhorë në moshë, po sikur të kishin hyrë fëmijët?! Telat e daljes së energjisë nuk ishin vetëm të linjës që sillte energji deri aty. Nëse kabina elektrike do të ishte me parametra të sigurisë teknike, nuk do të kishte pse hynin në të Zef dhe Leze Prenga”.

 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

© Panorama.al

Te lidhura