TIRANE- OSBE dhe ODIHR publikuan sot raportin e dytë mbi situatën parazgjedhore në Shqipëri. Raporti vë në dukje se pavarësisht thirrjeve për qetësi kjo fushatë është shoqëruar me disa incidente të dhunshme që kanë patur lidhje me fushatën, ndërsa thekson gjithashtu edhe akuzat për presion ndaj administratës shtetërore dhe nxënësve për dalje në mitingje partiake.
Në raport thuhet se misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR ka vlerësuar si të besueshme tri raste presioni ndaj mësuesve për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës së PD-së, por deri më tani nuk ka mundur të konfirmojë pretendime.
Sipas raportit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ecur përpara në drejtim të miratimit të rregulloreve lidhur me përgatitjen e zgjedhjeve. Megjithatë, në këtë përiudhë të raportimit, nuk u respektuan katër afate kohore të procesit zgjedhor.
Në përgjithësi, KQZ-ja i ka votuar njëzëri vendimet në lidhje me përgatitjet administrative dhe teknike të zgjedhjeve, shkruhet më tej në raport, por ka votuar me tendenca partiake çeshtjet e debatuara nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste.
Më tej raporti i referohet punës që po bëhet në Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ-të), për të cilët thuhet se po punojnë me eficencë dhe në kolegjalitet, pa probleme të mëdha.
Një tjetër problem që vihet në dukje është edhe vendndodhja e disa qendrave të votimit për shkak se ato janë vendosur në ambjente private.
Sa i përket listave të zgjedhësve, raporti thekson se ka disa mospërputhje të vogla në numrin e përgjithshëm të votuesve në Listat Përfundimtare të Votuesve që ka përdorur KQZ-ja dhe numrit të votuesve deklaruar nga Ministria e Brendshme.
Raporti i dytë i OSBE/ODIHR duke iu referuar medias, shkruan se media po e mbulon gjerësisht fushatën zgjedhore.
Raporti i publikuar sot përfshin data 12 dhe 25 prill.
© Panorama.al











