Autori i shkrimit në gazetën austriake “Wiener Zeitung”, Christian Ortner, ka reaguar në lidhje me zhurmën e bërë në politikën shqiptare rreth shkrimit të tij për kompleksin e ri parlamentar. Përmes një e-mail-i, të cilin e bëri publik dje në Kuvend deputetja demokrate Arenca Trashani, autori i shkrimit sqaron keqkuptimin, sipas tij, të shkrimit për të cilin opozita e akuzoi kryetaren e Kuvendit, Topalli, se kishte paracaktuar fituesin e konkursit. “Ju lutem, më falni për përgjigjen e zvarritur, unë jam në këtë moment në një udhëtim në Laos. Për këtë rast: më 06.03.2011 gazeta ‘Die Krone Zeitung’ në Austri raportonte: ‘… Prix-i është më shumë se një kritik i mirëfilltë, por edhe një njohës i mirë i materies. Ai po konkurron në këtë moment në një projekt shumë ambicioz të një parlamenti që do të ndërtohet në një vend të Europës Lindore me një demokraci të re (por për t’iu përmbajtur kushteve të konkursit, mund të themi, që bëhet fjalë për një kryeqytet që fillon me T. dhe për një shtet që fillon me A). Këtu mund të ndërtohet një ndërtesë transparente për parlamentarët dhe popullin'”, shkruan Ortner. Duke dhënë sqarime rreth këtij shkrimi, autori sqaron se “mbi këtë paragraf është mbështetur edhe artikulli im një javë më vonë në gazetën ‘Ëiener Zeitung’, por, siç duket, me pak keqkuptim. Përmbi faktin që a do ta fitonte apo jo Prix-i konkursin, në momentin që unë kam shkruar artikullin, nuk kam pasur, natyrisht, asnjë informacion”. Trashani, në përgjigje të akuzave të deputetit socialist Taulant Balla, i kërkoi atij t’i kërkonte falje kryetares së Kuvendit për akuzat e padrejta që i janë bërë. Më parë, Balla e akuzoi Topallin se kishte paracaktuar rezultatin e konkursit ndërkombëtar për kompleksin e ri parlamentar. “Kjo gazetë austriake, më 12 mars, vetëm 12 ditë para së të shpallej rezultati, kishte shpallur fituesin e konkursit që do të bëhej në Tiranë. Sipas saj, në faqen e brendshme të saj thuhet që Ëofgan Prix do të jetë arkitekti i projektit të Parlamentit të ri në Shqipëri, ndërkohë që përmes zëdhënëses personale të Jozefina Topallit, ky person u shpall fitues i konkursit që filloi 8 ditë pas shkrimit në këtë gazetë. Pra fituesi i konkursit ishte paracaktuar kohë më parë”, u shpreh Balla dje në Kuvend.











