Operacioni i sotëm i Prokurorisë së Posaçme kundër një organizate kriminale të drogës dhe aktiviteteve të paligjshme është mirëpritur nga opozita.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar për aksionin e SPAK me një postim në rrjetin social, ndërsa ku u goditën 2 grupe kriminale të trafikut të drogës, të drejtuar nga Luçiano Koçeku dhe Alfredo Hamzai.
Mes personave që janë shpallur në kërkim si pjesë e këtij grupi janë edhe biznesmeni Ilir Shtufi dhe Artur Shehu, i cili posedon pjesën më dërrmuese të tokës në Zvërnec që u shit për ndërtimin e resortit luksoz.
Bardhi e ka cilësuar aksionin e sotëm të SPAK si një nga më të mëdhenjtë të ndërmarrë nga ky institucion, ndërsa shton se opozita e kishte paralajmëruar më herët dyshimin ndaj kryeministrit.
Deputeti demokrat ka kërkuar nga SPAK hetimin e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë, si të përfshirë në afera me trafikantë droge dhe pastrim parash.
Teksa thotë se grupet kriminale në Shqipëri fuqizohen me leje ndërtimi, koncesione apo punë publike, Bardhi shkruan se kryeministri Rama arriti deri aty sa të tentonte të përfshinte edhe familjen e Presidentit amerikan Donald Trump në një aferë me trafikantë droge dhe pastrim parash.
“Asnjë surprizë për aksionin e sotëm të SPAK-ut, që rezulton të jetë një nga aksionet më të mëdha të ndërmarra nga ky organ. Pa dyshim, përshëndes aktin e sotëm të Prokurorisë, të cilin e konsideroj të vonuar, dhe e nxis atë që të mos hezitojë të hetojë me profesionalizëm dhe guxim Edi Ramën dhe çdo zyrtar tjetër publik që i hapi rrugë pastrimit të parave të krimit në sektorin e ndërtimit. Edi Rama arriti deri aty sa të tentonte të përfshinte edhe familjen e Presidentit Trump në një aferë me trafikantë droge dhe pastrim parash. Por, ky i sotmi është një akt i paralajmëruar nga opozita”, shprehet ai.
Gjatë aksionit të sotëm të SPAK u lëshuan 20 masa sigurie, 15 prej të cilave ‘arrest me burg’ dhe 5 prej tyre ‘arrest shtëpie’.
Ndërkohë pasuritë e sekuestruara të këtyre grupeve kriminale, që dyshohet se trafikuan rreth 6.7 tonë kokainë nga Amerika Latine drejt Europës, janë më lartat e sekuestruara ndonjëherë nga SPAK, duke përfshirë 100 milionë euro prona e pasuri të tjera dhe 128 milionë eurot e përfituara nga Artur Shehu dhe Ferdinand Sulaj, nga shitja e tokës ku do të kryhet investimi në Zvërnec të Vlorës.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
“Asnjë surprizë për aksionin e sotëm të SPAK-ut, që rezulton të jetë një nga aksionet më të mëdha të ndërmarra nga ky organ. Pa dyshim, përshëndes aktin e sotëm të Prokurorisë, të cilin e konsideroj të vonuar, dhe e nxis atë që të mos hezitojë të hetojë me profesionalizëm dhe guxim Edi Ramën dhe çdo zyrtar tjetër publik që i hapi rrugë pastrimit të parave të krimit në sektorin e ndërtimit. Edi Rama arriti deri aty sa të tentonte të përfshinte edhe familjen e Presidentit Trump në një aferë me trafikantë droge dhe pastrim parash.
Por, ky i sotmi është një akt i paralajmëruar nga opozita.
Prej kohësh tashmë, fenomeni i pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit është denoncuar prej nesh. Madje, kemi ofruar edhe zgjidhje, të cilat janë përbuzur dhe refuzuar nga përgjegjësi i kësaj situate, Kryeministri Edi Rama. Çdo iniciativë ligjore për të parandaluar këtë fenomen, apo çdo kërkesë për llogaridhënie mbi këtë çështje, është refuzuar nga mazhoranca e Edi Ramës.
Në korrik 2023 është votuar kundër projektligjit të propozuar nga kolegia Jorida Tabaku, në emër të Grupit Parlamentar të PD-së, që të verifikohej ligjshmëria e parave që investoheshin në sektorin e ndërtimit.
Më 5 korrik 2023, në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe më pas në seancë plenare, kam theksuar se: “Nisja për ndërtimin e kullës më të lartë në Ballkan, në qendër të Tiranës, duke zaptuar një tjetër hapësirë të gjelbër, ka bërë të domosdoshme ndërhyrjen e drejtësisë për të hetuar procedurat e marrjes së lejes, pronarët realë, si dhe burimet e financimit. Dhe jo vetëm për këtë rast. Duhet hetuar çdo leje e ngjashme në Tiranë dhe në bregdetin e Shqipërisë, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar kanë veshur kostumin e investitorit strategjik.”
Më 9 tetor 2025, kemi thirrur në interpelancë mbi këtë temë Kryeministrin Edi Rama, i cili u fsheh, siç fshihet çdo kriminel që shkel ligjin. Në atë seancë, ku Edi Rama u fsheh pas Niko Peleshit, kam denoncuar se: “Artur Shehut, trafikantit të drogës që organizoi takimin në Aruba me përfaqësuesit e qeverisë për të pastruar para në ndërtim, i është dhënë leje ndërtimi nga Edi Rama. Kompania e Artur Shehut ka marrë leje ndërtimi nga Kryeministri i vendit për të ndërtuar një kompleks në zonën e Lungomares, teksa ka përfituar edhe nga investimet publike.”.
Më 9 prill 2026, kemi rikërkuar në interpelancë Kryeministrin Edi Rama mbi konstatimin tronditës të Departamentit Amerikan të Shtetit, sipas të cilit: “Grupet kriminale shqiptare shfaqin nivele gjithnjë e më të larta sofistikimi në krimet e tyre, në teknikat e komunikimit dhe në teknikat e pastrimit të parave. Ata përdorin ekonominë shqiptare, veçanërisht sektorin e ndërtimit, për të pastruar të ardhurat dhe për të kontribuar në korrupsion.”. Edhe në këtë rast, Edi Rama refuzoi të japë llogari dhe u fsheh pas Niko Peleshit.
Prandaj, sot nuk është dita për të bërë bilancin e arrestimeve të paralajmëruara, por për të kërkuar llogari se përse nuk hetohet përgjegjësi kryesor që e ktheu Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave përmes lejeve të ndërtimit. Sepse grupet kriminale nuk do të mundeshin kurrë të pastronin paratë e trafikut ndërkombëtar të drogës pa firmën e Edi Ramës!
Kur do të hetohet roli dhe përgjegjësia e Edi Ramës për këtë?
Këtë përgjigje duhet ta japë SPAK-u, që aksioni të ketë vërtet sukses. Ndryshe, arrestohen disa grupe kriminale, por pastrimi i parave në sektorin e ndërtimit vijon përmes disa grupeve të tjera kriminale. Dhe Shqipëria vazhdon të jetë i vetmi narkoshtet në mes të Europës, ku grupet kriminale nuk goditen nga qeveria, por fuqizohen me leje ndërtimi, koncesione apo punë publike!
E në këtë rast, ka vetëm një zgjidhje: largimi i qeverisë përmes reagimit qytetar!”.
© Panorama.al












