OK, takohemi pasdite po KU?

Oct 30, 2011 | 13:35

“-E pe Met Begën te “Pasdite” në “Top Channel”? Sa keq më erdhi, gjynah si ishte bërë!
-Po pra, më thanë, shumë keq vërtet, por unë nuk e pashë, e kisha te “Klani”, mbaron “Gymyshi” dhe e lë aty, nuk e lëviz më deri sa fillon “Takimi pasdite”.
-Aha, e mbaruan dietën ata andej, se nuk e kam kthyer, kam parë “Topin” këto kohë. Edhe ti me “Gymyshin”, po shih mi, dëgjo ndonjë gjë. Unë në atë orar e kthej sa nga “Vizioni” sa nga “AS”.
-Ehe, i jam futur asaj valle, tani se lë sa të mbarojë.
Dialog të tillë mund t’i dëgjoni kudo, te furra e bukës, tek sa dëgjoni mamanë të flasë në telefon me tezen ose me komshien për të bërë resumenë e ditës. Siç nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë, në bisedat e tyre tashmë përfshihet Stresi (personazhi d.m.th), puthja e Ervinit me Ermelën, botoxi etj. Pastaj nga fundi bisedës, kujtohen që kishte edhe një mjek andej nga kanali tjetër që fliste për osteoporozën, për diabetin, e të tjera shqetësime të moshës së tyre. Seç u janë ngatërruar ca bisedat, për pasojë  edhe të temave që i pushtojnë nga të katërta anët. Pastaj në darkë, ku fëmijët (të rinjtë) u mblidhen nëpër shtëpia, kërkojnë shpjegim për ndonjë lajm që nuk e kanë përvetësuar edhe aq mirë. Jo për gjë, po do pyesë nesër kolegia në punë, si t’ia jap përgjysmë informacionin ajo?! Këto janë pasojat e pasditeve televizive që diskutohen edhe të nesërmen, deri në edicionin e radhës. Pasoja të mira, ose të paktën më të mira se sa të shihnin tre-katër “Gymyshe” njëri pas tjetrit. “Pasdite” në “Top Channel”, ‘”akimi i Pasdites”, “Ora 5” dhe “Orkidea” janë katër emisionet e përditshme që shoqërojnë orët bosh të atyre që gjenden në shtëpi në ato orë. Ndodh që shkak që ndiqet njëri prej tyre e jo tjetri, të jenë edhe moderatorët. “Ohu, kjo flet shumë nuk e dëgjoj dot”, “Sikur jemi mësuar me këtë”, “Ja ta shohim njëherë këtë të renë”, e të tjera shprehje si këto janë shoqëruese të audiencës. Megjithatë, si njëra si tjetra, kush më shumë e kush më pak, të katërta drejtueset, Rudina Magjistari, Ema Andrea, Lira Burgija dhe Anila Çela, janë kthyer tashmë në pjesë të përditshmërisë së shtëpive. Doni, s’doni, edhe nëse kishit ndërmend të dilnit, ju ndërrua edhe ora, fillojnë dhe shirat e gjatë, kështu që s’keni nga ia mbani.

“Takimi me Rudina Magjistarin”
E mirë, duhet ta pranojmë që nuk është aq e thjeshtë ta bësh një burrë të qëndrojë përpara televizorit e të anulojë planet e tij me shokët (ose ashtu thotë të paktën). Vetëm në mos qoftë ndonjë ndeshje direkt andej nga “Super Sporti”. Prandaj, edhe targeti i “Takimit të pasdites” është më tepër femëror, sado që përpiqet të përfshijë në të të gjithë pjesëtarët e familjes, siç ishte rasti i disa ditëve më parë, kur të gjithë pjesëtarët e familjes iu nënshtruan dietës për dy javë.
Rubrikat kryesore që orientojnë përcaktimin e temave të këtij emisioni janë: Marrëdhëniet njerëzore, familja, çifti (dashuri, martesa, divorce) prindër-fëmije; aktualitet, problemet sociale, promovim iniciativash sensibilizuese; shëndeti, rënia në peshë, aktivitet fizike, ushqimi, dieta, ndërhyrjet plastike; stil, ku përfshihen bisedat apo këshillat e modës deri te aredimi, personazhet Vip, kronika rozë etj. “Takimi i pasdites”, bashkë me drejtuesen e tij, Rudina Magjistarin, ka hyrë tashmë në sezonin e tij të tretë. Sezoni i parë ka nisur në prill të vitit 2010 për të vijuar deri sot e në sezone të tjera. Tashmë, ju të gjithë jeni pjesë e tij, duke qenë se është e do të jetë shoqëruesi i përditshëm i pasditeve tuaja.

Orkidea e Ema Andreas
Që në fillim, “Orkidea” u shfaq krejt e bardhë, në një studio thuajse të bardhë, të heshtur, ku edhe zëri i personazheve të ftuar, apo i vetë prezantueses së tij, Ema Andreas, dukej sikur vishej me qetësinë e kësaj studioje. Sepse, në fakt kështu është parashikuar të jetë ky emision, që vjen për çdo pasdite nga ora 17:30 në “Albanian Screen”, krejt çlodhës, sado që ka brenda edhe ngjyra argëtuese.
Në secilën nga petalet e “Orkidea”-s, ulen pesë rubrikat interesante, nëpërmjet të cilave ju jeni njohur me rregullat e Galateos, mënyrën e të sjellurit në shoqëri dhe rregullat e mirësjelljes. Ju përcjell materiale dhe informacione nga shkenca, psikologjia, edukimi dhe sociologjia në rubrikën “Skype”, që është edhe “petalja” e dytë e “Orkidea”-s. Me histori mjaft interesante vjen rubrika “Përtej”, e cila sjell personazhe të ndryshëm me historitë e tyre, personazhe këta të cilët i kemi ndeshur edhe më parë, por pa e ditur se pas tyre fshihet një profesionist i vërtetë. E në secilën nga “Pasditet” nuk mund të mungojë edhe rubrika “Life style” dhe “Blog kulturor”, petale këto në të cilat mund të gjeni këshilla të vlefshme për ju që i doni kafshët apo edhe për probleme të ndryshme mjekësore. Pra, “Orkidea”, bashkë me një nga aktoret më të dashura, Ema Andrea, ju dhuron përditë, nga e hëna në të premte, të pesta petalet e saj.

Anila Çela në ORA 5 PM
Për një drejtuese televizive është shumë i rëndësishëm humori i mirë, që natyrisht askush nuk mund ta ketë gjithmonë, veçse ato duhet, në një mënyrë apo një tjetër, ta shfaqin gjendjen e mirë, edhe nëse mendjen e kanë kuturu, nëpër qindra drejtime. Anila Çelës, biondes sykaltër të emisionit “Ora 5 pm”, në “Vizion Plus”, nuk i vjen asfare e sforcuar mimika e qeshur. Edhe buzëqeshja e vogëlushit, që ka fare pak muaj që i ka ardhur në jetë, sigurisht që është motiv, por edhe punë, sado që e përditshme, nuk e sheh si motiv mërzitjeje. “Për mua është një përvojë me shumë vlerë dhe e këndshme, pasi nuk bie asnjëherë në rutinë. Alternativat, të ftuarit e ndryshëm, temat interesante, më bëjnë që ta pres çdo ditë startin e emisionit me shumë dëshirë. Uroj që këtë frymë pozitive ta përcjell edhe për miqtë e këtij emisioni, që na ndjekin në ekranin e ‘Vizionit'”. E në fakt, edhe për shkak të tipareve bujare, Anila ia del ta përcjellë gjendjen e saj.
Duket kjo edhe prej temave e bisedave që zhvillohen me të ftuarit e shumtë që vijnë në studio, apo intervistave individuale. Për t’iu përshtatur një pasditeje që ka nevojë për qetësi e argëtim, edhe këto tema nuk mund të qëndronin jashtë as në “Vizion Plus”. Një nga rubrikat më të spikatura të kësaj pasdite, ajo me të cilën të ftuarit, por edhe shikuesit argëtohen më shumë, është ajo e videomesazhit, ku të ftuarit zbulojnë veten nëpërmjet surprizave që ka menduar të bëjë autorja e programit, Rezarta Nika.
“Ky është sezoni i dytë i këtij programi në “Vizion Plus”, një emision ku e kam gjetur veten më së miri, sepse është një format i ngrohtë, informativ dhe po aq argëtues. Ndihem komode, me një staf që punojmë tashmë prej shumë kohësh”.

Lira Burgija në “Pasdite në Top Channel”
Moderatoren e ‘Pasdite në Top Channel’ nuk e patë për herë të parë në ekran me rinisjen e sezonit të ri të këtij emisioni. U bë pjesë e ekraneve tuaja me lidhjet e drejtëpërdrejta, për t’iu informuar pas ccdo ore se cili ishte rezultati i numërimit të votave në zgjedhjet e fundit. Menjëherë pas saj erdhi audicioni për të qenë pjesë e ‘pasdites’. Se si mbëriti deri këtu, Lira Burgija na i tregon vetë.
Si u bëre pjesë e pasdite në Top Channel?
Një ditë nga ato të zakonshmet në punë, teksa montoja një kronikë në redaksinë e ‘Top Neës’, drejtori artistik në ‘Top Media’, Bujar Kokonozi më propozon të marr pjesë në audicionin për përzgjedhjen e moderatores së re të emisionit ‘Pasdite në Top Channel’. Mendimi i parë që më erdhi në mendje ishte: Është një sipërmarrje e vështirë por po e provoj një herë. Bëra audicionin pa e ngarkuar veten me tensione te tepërta dhe pas pak ditësh mësova se isha pranuar.
Kur kujtoj emisionin e parë, kam patur emocione, madje shumë. Kjo është normale të ndodhë sidomos në një transmetim të parë direkt të këtij lloji. Por nga natyra jam tip i qetë dhe kjo më ndihmoi që t’i kem në kontroll ato. Nga ana tjetër duke patur edhe mbështetjen e stafit të ‘Top Channel’, ku unë punoj prej vitesh dhe të gjithë kolegëve të mi të ‘Pasdites’ kjo gjë kaloi edhe më lehtë.
Pra përshtatja ka qenë thuajse e thjeshtë…
Fillimi është gjithmonë i vështirë ndërsa të mësuarit nuk mbaron kurrë. Aq më tepër kur ke të bësh me një emision shumë impenjativ dhe që kërkon përkushtim të jashtëzakonshëm. Çdo ditë në studio trajtohen tema të ndryshme me të ftuar të ndryshëm. Pasdite në Top Channel është i ndarë në tre pjesë gjatë të cilave mund të ndodhë të diskutosh për më shumë se një temë, pa harruar edhe fasho-orarin që është më i ndjekuri nga familjet shqiptare. Në këtë këndvështrim të duhet shumë energji pozitive por mesohesh.
Me kamerën ishe mësuar edhe më parë por ishin lajme nga terreni që janë të ndryshme nga bisedat rreth temave rozë
Me kamerën kam një lidhje më të gjatë se kaq. Eksperienca ime e parë televizive ka qenë në moshën 14 vjeçare kur në Televizionin Shqiptar prezantoja emisionet për të rinj si dhe realizoja kronika lidhur me problematikat e tyre në terren. Mendoj se më ka ndihmuar shumë fakti që komunikimet e para me objektivin e kamerës i kam patur në një moshë të vogël. Por edhe në këtë aspekt vlen ajo që thashë më lart, që çdo ditë të duhet të mësosh diçka të re. Gjithsesi gjëja më e rëndësishme është ta duash atë që bën dhe unë e dua shumë.
Gjendesh në befasira përpara një përgjigje apo situate që duhet kaluar aty për aty?
Ka mjaft raste të tilla por kjo është edhe pjesa më e bukur e punës. Të mjafton të jesh i vëmendshëm për të bërë pyetjen e duhur në momentin e duhur.

ANI JAUPAJ

© Panorama.al

Te lidhura