Amnistia e plotë fiskale, e pamundur të realizohet pa votat e opozitës, ka kaluar në variantin e faljes e cila miratohet me shumicë të thjeshtë në Parlament.E diskutuar dje në Komisionin e Ligjeve, ky i fundit vendosi që t’i bëjë disa amendime draftit ekzistues të propozuar nga Financat, duke përjashtuar kështu pjesën e amnistisë penale. Njëkohësisht, projektligjit do t’i ndryshohet emri, nga projektligj “Për legalizimin, e kapitalit, dhënien e amnistisë për disa vepra penale dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor e doganor” në thjesht “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”.
Komisioni
Pas seancës parlamentare të së enjtes, deputetët e Komisionit të Ligjeve zhvilluan mbledhjen jashtë rendit të ditës, për të diskutuar rreth projektligjit të amnistisë fiskale, si një kërkesë kjo e ngritur nga opozita një ditë më parë. Por, kjo e fundit ka braktisur dje punimet në Parlament dhe ka refuzuar gjithashtu të bëhet pjesë e takimit për diskutimet rreth amnistisë. Të gjendur para këtij fakti, deputetët e mazhorancës kanë miratuar vetëm variantin e faljes, duke theksuar se do të dërgojnë në Parlament amendamentet përkatëse që heqin amnistinë penale dhe që lejojnë vetëm legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor. Kryetari i këtij Komisioni, Ilir Rusmali, sugjeroi dje që Komisioni i Ligjeve të dalë me propozimin për të miratuar në parim dhe pastaj në shqyrtimin nen për nen t’i propozojë Kuvendit amendamentet përkatëse. “Pra, parimisht propozojmë heqjen e germës c të nenit 5 ‘personat që përfitojnë nga dhënia e amnistisë sipas këtij ligji, pavarësisht se ndaj tyre janë marrë masa administrative’ , heqjen e kapitullit 5 në titull “Subjektet që përfitojnë nga amnistia’ dhe ndryshimin e titullit. Deputetët e opozitës braktisën mbledhjen e Komisionit në mënyrë të përsëritur dhe kjo shpreh qartë mungesën e vullnetit për të mbështetur këtë projektligj” tha Rusmali.
“Amnistia e re”
Drafti i parë i Ministrisë së Financave përfshinte një amnisti të gjerë, e cila përmblidhte edhe shkeljet penale, por mungesa e 84 votave për ta miratuar, e rrëzon këtë draft. Financat, duke menduar edhe variantin që opozita nuk do të votonte, ashtu sikurse po ndodh, kanë ndërtuar edhe draftin e ri i cili vetëm fal dhe legalizon kapitalin, por nuk amniston shkeljet penale apo administrative. Për të gjitha ato subjekte që administrata tatimore dhe doganore kanë përfunduar procedurat e shqyrtimit administrativ për veprën penale dhe është hapur hetim penal, nuk ka amnistim. Kështu, në draftin e ri, lidhur me legalizimin e kapitalit nuk ndryshon asgjë si për individët, ashtu edhe për biznesin e madh apo të vogël. Tek detyrimet tatimore që falen pa ndonjë pagesë janë detyrime të personave fizikë, të regjistruar si subjekt i taksës vendore të biznesit të vogël, të mbetura të papaguara që i përkasin periudhës tatimore deri më 31 dhjetor 2010. Falen detyrimet tatimore të papaguara të individëve, si dhe detyrimet e biznesit të madh të evidentuar në regjistrat e administratës tatimore deri në datën 31 dhjetor 2010. Në fuqi qëndron edhe pjesa që lidhet me faljen e gjobave dhe kamatëvonesave, nëse paguan përqindjet e caktuara sipas viteve për principalin. Mbetet në fuqi falja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe falja e një pjese të borxhit doganor. Në draft mbetet edhe lehtësimi për ata që duan të zhdoganojnë makinën, duke paguar 50 për qind të principalit.
Legalizimi i kapitalit dhe falja
Individët
– Paratë 3 për qind.
Të gjithë individët që disponojnë shuma monetare të palegalizuara, duke paguar një vlerë 3% të shumës, i legalizojnë këto para përmes futjes në sistemin bankar, sistemin financiar apo në forma të tjera të investimit të tyre në ekonominë shqiptare.
– Kapitali 1 për qind
Individët që do të rivlerësojnë kapitalet e tyre fikse mund ta bëjnë këtë me tarifën 1 për qind. Kështu, nëse një apartament i blerë në vitin 2002 kushtonte 30 mijë USD dhe nëse shitet sot kushton 100 000 euro, ka një diferencë në vlerë prej rreth 100 000 USD, çka do të bënte që tatimi në masën 10 për qind të ishte 10 000 USD. Duke bërë rivlerësimin, qytetari do të paguajë vetëm 1000 USD.
– Falen të gjitha taksat dhe tatimet e papaguara
Deri ne fund të vitit 2010, qofshin këto taksa vendore apo kombëtare (falen gjobat e makinave dhe taksat lokale).
– Falen detyrimet e papaguara për makinat e importuara
Deri në fund të vitit 2010, u falen gjobat dhe interesat e llogaritura në doganë, nëse paguhet 50% e principalit të detyrimit.
Biznesi i vogël
– Paratë 3 për qind
Qytetarët që kanë të regjistruar biznes të vogël dhe që deklarojnë shuma monetare në bazë të këtij ligji, do të konsiderohen se i kanë paguar të gjitha detyrimet tatimore konform ligjit, deri më 31 dhjetor 2010. Tarifa e këtij legalizimi është sa ajo e qytetarëve, pra 3%.
– Të vetëpunësuarit
Të gjithë të vetëpunësuarve u falen sigurimet shoqërore e shëndetësore dhe gjobat e kamatëvonesat e papaguara deri më 31 dhjetor 2008. U falen gjithashtu dhe 2 vitet e fundit nëse paguajnë detyrimin e tyre për sigurime për vitin 2011. Kjo kategori, nëse dëshiron të paguajë detyrimet për kontributet, falet nga gjobat dhe kamatëvonesat për të gjithë periudhën e kaluar.
-Personave fizikë
Personave fizikë biznes i vogël, u falen gjobat dhe kamatëvonesat për të punësuarit e tyre, deri më 31 dhjetor 2010.
Biznesi me kasë fiskale
– Biznesit të vogël, i cili është pajisur me kasë fiskale deri më 28 shkurt 2011, u falen gjobat e marra për mosvendosjen e këtyre pajisjeve. Të gjithë ata që nuk janë pajisur me kasë fiskale deri në afatin ligjor, 28 shkurt 2011, janë të detyruar të paguajnë detyrimet ligjore dhe njëkohësisht penalitetet e reja që ne propozojmë të vendosen pas kësaj amnistie.
Biznesi i madh
– Bilancet e kompanive
Kompanitë shqiptare që kanë në bilancet e tyre pasuri të paluajtshme dhe makineri pajisje me vlerë poshtë vlerës së tregut, mund të bëjnë rivlerësimin e tyre duke i pasqyruar në bilancin e vitit 2011. Tarifa për pasuritë e paluajtshme është 6 për qind e diferencës që rrjedh nga rivlerësimi dhe 7 për qind për makineri e pajisje. Te bilanci do të përfshihet edhe kontributi i ortakut, i cili, nëse për momentin tatohet 10 për qind, në amnisti do të tatohet 3 për qind.
Borxhi tatimor e doganor
Biznesit i falet borxhi tatimor e doganor, me gjithë komponentët e tij, gjoba dhe kamatëvonesa deri më 31 dhjetor 2008.
– Bizneseve që paguajnë 50% të principalit të borxhit doganor për vitin 2009 u falen detyrimet që lidhen me këtë borxh, ndërsa për vitin 2010, nëse paguajnë 100% të principalit të borxhit doganor, u falen gjobat dhe kamatëvonesat.
– Bizneseve që paguajnë 30% të principalit të borxhit tatimor për vitin 2009, u falen detyrimet që lidhen me këtë borxh.
– Bizneseve që paguajnë 50% të principalit të borxhit tatimor për vitin 2010, u falen të gjitha detyrimet që lidhen me këtë borxh.
– Bizneseve u falen kamatëvonesat dhe gjobat për detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore të papaguara.
– Bizneset mund të vetëdeklarojnë detyrimet tatimore e doganore të padeklaruara për periudhën deri më 31 dhjetor 2010 dhe nëse paguajnë 50% të diferencës që rrjedh nga ky vetëdeklarim, u falet pjesa tjetër së bashku me gjobat e kamatëvonesat që do të aplikoheshin.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











