Në ditën e 59-të të protestës popullore dhe rezistencës historike të qytetarëve para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, qeverisë dhe ndryshimin e sistemit politik, u denoncua edhe dhuna policore para Parlamentit ditën e djeshme.
Ishte aktivistja Sidorela Vatnikaj që lexoi një peticion të cilin e lexoi në shesh, ku kërkoi dënimin e akteve të dhunës, lirimin e të ndaluarve, qëndrimin e Policisë larg dhunës, hetimin e personave që kërcënuan me thikë Gent Prognin dhe dënimin e ushtruesve të dhunës.
“Jemi këtu kundër dhunës Policore. Ndërkohë që protesta vijon prej dy muajsh dhe grumbullimi dje para parlamentit ishte simbolike, u përballëm me një dhunë jopropocionale të Policisë. Të pajisur me skafandra, gaz, shkopinj gome, ushtrim forcë e që nuk justifikon sjelljen paqësore të protestuesve. Pavarësisht se nuk u ushtrua dhunë nga protestuesit, 6 qytetarë u shoqëruan pa të drejtë dhe disa u arrestuan. Kjo është qartësisht intimidim dhe presion për të mos marrë pjesë në protestë nga qytetarët. Disa qytetarë u goditën edhe në fytyrë, edhe pse nuk po ushtronin forcë. Ushtrimi i dhunës përbën shkelje të të drejtave të njeriut dhe propocionalitetit”, tha ajo mes të tjerash.
Vatnikaj denoncoi edhe rastin e kërcënimit të aktivistit Gent Progni ditën e djeshme:
“Po ashtu kishte edhe prani të oficerëve të policisë civilë. Një prej rasteve ishte edhe nxjerrja e thikës nga një prej tyre ndaj një prej organizatorëve të protestës. Kjo ngre pikëpyetje të qytetarëve se si po menaxhohen protestat paqësore. Kemi protestuar në mënyrë paqësore dhe do vazhdojmë ta bëjmë këtë. Është e drejtë themelore kushtetuese në demokraci, as përdorimi i forcës, as intimidimi dhe veprimet arbitrare nuk do ndaloj ë të protestojmë”.
Vatnikaj dha një mesazh të qartë, se nuk i kishin frikë dhe as nuk intimidoheshin, duke vijuar protestën ën shesh deri në realizimin e qëllimeve. Ajo renditi edhe disa kërkesa drejtuar organeve ligjzbatuese.
“Ju themi qartazi dhe prerë sot se nuk ju kemi frikë. Në kundërshtim të dhunës dhe ushtrimit të vazhdueshëm të dhunës policore kërkojmë ndalimin e shoqërimit dhe ndalimit të protestuesve. Kërkojmë hetimin transparent të përdorimit të sprajtit kundër protestuesit dhe ushtrimit të forcës. Identifikimin e menjëhershëm të personave civilë në protestë dhe shfaqjani e civilit me thikë ndaj protestuesit. Policia e Shtetit të plotësojë standardet ndërkombëtare të sigurisë së protestës. Institucionet ndërkombëtare të monitorojnë masat e protestës që të mos ushtrohet dhunë ndaj asnjë protestuesi. Një shoqëri demokratike nuk krijohet me frikë por me standarde”, tha Vatnikaj.
Në fund ajo deklaroi se qytetarët nuk do tërhiqen për asnjë moment:
“Do të jemi këtu derisa të ndërtojmë Shqipërinë e re, pavarësisht represionit policor, ndaj ju themi se nuk ju kemi frikë”, përfundoi aktivistja.
© Panorama.al












