Me regji të Daren Aronofsky dhe protagonist Crowe, filmi rrëfen historinë biblike
Me një start kritikash pozitive, por edhe censurash, Arka e Noes mbërrin edhe në Tiranë. Pas një fundjave projeksionesh rekord, ku vetëm në kinematë amerikane mblodhi plot 44 milionë dollarë, “Noah” filmi biblik, me regji të Darren Aronofsky, regjisori i “Mjellmës së zezë”, mbërrin në kinema “Millennium”. Prej ditës së djeshme kanë nisur projeksionet shqiptare. Me protagonistë aktorët Russell Crowe, Jennifer Connelly, Anthony Hopkins etj., filmi risjell historinë e Noahut, njeriut të zgjedhur nga Zoti, për t’i shpëtuar zemërimit apokaliptik, shprehur me përmbytje, bashkë me një arkë, mbushur me të gjitha llojet e qenieve të gjalla. Një përshtatje e historisë së famshme biblike, që sipas kritikëve na mëson shumë më tepër nga ç’mund të kemi ditur nga kjo histori. Por, ndërsa shfaqja e filmit është shprehur me kritika mjaft pozitive në vendet ku është shfaqur, ai është ndalur në vendet islamike, si në Pakistan, Bahrain, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzi, Indonezi, Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Kjo për shkakun se filmi është parë nga qeveritë e këtyre vendeve në kundërshti me mësimet e Islamit. Filmi është ndaluar edhe nga Al-Azhar University në Egjipt, “pasi thyen ligjet e islamit dhe mund të provokojë ndjenjat e besimtarëve”. Në shumë shkolla islamike, portretet e profetëve, si ai i Noahut, janë të ndaluar. Skenari është shkruar nga Aronofsky e Ari Handel dhe riparë nga skenaristi i filmave “The Gladiator” e “Hugo Cabret”, John Logan. Kjo histori shpëtimi kishte vite që ngacmonte shpirtin krijues të Darren Aronofsky, madje shumë kohë më parë se të fillonte punën si regjisor. Por katër vjet më parë regjisori i “The Wrestler” dhe “Blac Swan”, kishte shprehur dëshirën për ta bërë këtë film, por duke u bazuar më së shumti në pjesë fantashkencore të historisë biblike. I pyetur nga mediat se cili është mesazhi kyç i filmit, regjisori u përgjigj se mjedisi dhe ndryshimet klimatike janë leximi i sotëm i historisë biblike.











