Njeriu, liria dhe shoqëria, trinitet që nuk zhbëhet

Mar 12, 2026 | 8:30

gezim-tushiGËZIM TUSHI

Nuk është e udhës të jemi mosbesues e pesimistë apo të shikojmë vetëm anën e errët të lidhjeve të njeriut me shoqërinë në realitetin tonë, mënyrën si i ndërrojmë lidhjet sociale dhe marrëdhëniet e transformuara pothuaj radikalisht, midis njeriut të lirë dhe normave të shoqërisë, një lidhje ekzistencialisht e domosdoshme me bazë solide, që shërben në mënyrë të pashmangshme si “çimento sociale” për funksionimin normal të këtij “ekuacioni social”. Nuk është e vërtetë që shoqëria e sotme shqiptare nuk ka “pikëmbështetje” historike, tradicionale, por edhe “limfë moderne” për të rregulluar këtë raport, natyrisht të vështirë, por që është parakusht për të shmangur anomalitë sociale, keqkuptimet e njëanshme e orientimet superliberale e tejet subjektiviste, konfliktet e panatyrshme e artificiale që ndikojnë në shpërbërjen e panevojshme, destruktive të lidhjes sociale individ-shoqëri.

Është e vërtetë që ka tri dekada e gjysmë, që në qendër të shoqërisë shqiptare, për fat të mirë ka ndodhur një “revolucion social”, i cili në qendër të shoqërisë ka vendosur “njeriun e lirë”, që natyrshëm është më shumë pragmatist dhe utilitarist, që synon dhe lufton më shumë për vete dhe dobinë personale. Kjo në një masë të konsiderueshme është normale të jetë kështu, sepse jetojmë në një shoqëri liberale, pragmatiste e individualiste, e cila ka vendosur në qendër të saj njeriun me “NJ” të madhe, apo qenien sovrane e individuale si të tillë e të patjetërsuar. Por nga ana tjetër, koha që ka kaluar në strukturimin liberal e demokratik të shoqërinë sonë dhe bashkë me të, edhe ndërtimin e lidhjeve dhe marrëdhënieve sociale brenda saj, sociologjikisht duhet të ishte e mjaftueshme për “axhustimin social” në koherencë me paradigmat dhe standardet sociale të kohës moderne, të marrëdhënieve të strukturuara mbi një bazë të re të lidhjeve midis shoqërisë dhe individit.

Realiteti ynë social, dinamikat sociale morfologjike të këtij “ekuacioni”, evidentojnë shumë anomali shqetësuese në distancën fizike, konceptuale e metafizike ekzistuese, në relacionin e pabalancuar e të paekuilibruar midis hapësirës së jetës sociale, në raport me lirinë individuale si përgjegjësi qytetare. Një ekuacion edhe pse në situatë jo normale dhe me pasoja evidente, të cilit akoma politika, shoqëria, shkencat humane, shoqëria civile, institucionet e besimit dhe të sigurisë morale, nuk i kanë kushtuar vëmendjen e duhur, për të gjetur zgjidhjet normale. Kjo është një detyrë njëherësh imediate dhe imperative, që ka lidhje sidomos me nevojën e implementimit të ekuilibruar në jetën e përditshme, të marrëdhënieve sipas parametrave të jetës moderne dhe strukturës funksionuese të shoqërisë liberale, midis individit dhe raporteve të tij me shoqërinë, strukturën e sjelljes dhe mënyrën e ekzekutimit të veprimtarisë jetësore personale.

Është vërtetë një moment me rëndësi sociale, që në shoqërinë tonë sot janë zgjeruar kufijtë e lirisë individuale dhe hapësira që bën të mundshme rrethanat sociale, mundësitë individuale të njeriut për të qenë i lirë për të ndërtuar mënyra të ndryshme jetese, duke pasur shanse për stile të diversifikuara të jetës personale. Deri këtu jemi dakord. Por ajo që krijon probleme, është se shpesh njerëzit e mendojnë ndërtimin e jetës personale dhe sjelljes sociale, pa marrë parasysh dhe pa respektuar parimet bazë të jetës së lirë dhe demokratike, që e disiplinojnë lirinë midis të “drejtës sociale” dhe të “mirës personale”, të cilat janë të domosdoshme në mënyrë që sjellja e njeriut, marrëdhëniet e tij me “tjetrin” dhe shoqërinë, të konceptohen duke respektuar drejtësinë si kufi i njerëzores dhe sjelljes qytetare që përcakton kuptimin e jetës së mirë.

Ndryshe jemi duke u rrokullisur në kënetën e “lirive të kota” që janë të shumta në jetën e shoqërisë shqiptare, të pranishme në habitatin e jetës postmoderne, dhe që shfaqen në trajtat e subjektivizmit ekstrem, eksentricitetit, arrivizmit, ankthit, pesimizmit por edhe të dhunës, krimit, duke e formatuar atë tip njeriu me natyrë tejet individuale, por që në të vërtetë është reduktuar në qenie formale, me status të fortë më shumë me substrat biologjik dhe me më pak substancë e kuptim social të jetës.

Duke vlerësuar sasinë dhe intensitetin e patologjive sociale që lidhen me këtë “trinitet ekzistencial” (njeri, liri, shoqëri), duket se shoqëria shqiptare është në situatë të vështirë të paqartësive në ndërtimin e duhur të raporteve sociale, nga që është përfshirë totalisht dhe përjeton intensivisht dilemat tipike të rindërtimit bazamentit kompakt dhe funksionues, në relacionet midis strukturës sociale dhe personalitetit të lirë të njeriut modern. Sepse konceptimet e njëanshme individualiste apo komunitariste, personaliste apo holistike (gjithnjë të kundërtat tek ne kanë qenë pranë e pranë), kanë sjellë rritjen e mosbesimit në vlerat e reja shoqërore, parimet diverse morale e sociale. Nëse kemi kaq shumë probleme, shqetësime e anomali kjo, përveç arsyeve të tjera me natyrë historike apo bazament materialist dhe ekonomik, kjo është e lidhur me faktin që besimi në jetën sociale dhe strukturat e tjera të jetës komunitare po vjen duke u lëkundur, dhe për pasojë jemi përballë shumë realiteteve që inonduara nga skepticizmi individual.

Kjo po bëhet platformë e shfaqjes jo të njeriut që ndihet dhe është i lirë, por të njeriut të flashkët, indiferent, që jeton i mbyllur në guaskën e ngushtë të interesave materiale personale, shpesh duke kryer veprime e sjellje në kundërsens me interesat e “tjetrit” dhe shoqërisë. Madje, kjo distancë po vjen duke u thelluar deri në nivele të tilla, kur shumë njerëz jetojnë duke i parë dhe vlerësuar “tjetrin”, shoqërinë dhe kornizat e saj sociale si kundërshtarë dhe pengues të lirisë personale. Kjo është arsyeja, që duke diagnostikuar këtë realitet social, që po bëhet intensiv në shoqërinë tonë, duke qenë tejet influente në tipologjinë e përbashkët të përditshmërisë së jetës, ndikon në faktin që po shtohen njerëzit e “paekuilibruar që i trembën lirisë”, që përpiqen të përshtaten me format e tjetërsuara të shoqërisë, duke u shfaqur shumë shpesh si “persona skizmatikë”, me ndarjen mekaniciste të ekuacionit social “Unë, Ti dhe Ne”.

Problemi nuk është aq shumë me natyrë metafizike apo format teorik e sociologjik. Përtej kësaj hermeneutike (e nevojshme), problemi është më konkret dhe empirik, sepse deformimi ekuacionit midis lirisë individuale dhe përgjegjësisë sociale, në mënyrë evidente po bëhet faktor negativ për strukturimin human të jetës në shoqërinë tonë, nga që nëpër këtë kakofoni anarkike po lulëzojë anomali të rënda sociale, që e kanë bazën pikërisht nga që po ngatërrohet koncepti i “njeriut të lirë” nga “njeriu i shthurur”. Prandaj ndihet nevoja që të kemi koncept të ekuilibruar, sipas të cilit, të jetosh lirshëm nuk do të thotë që nuk duhet të respektosh kufijtë, normat, paradigmat po deshe edhe “gardhet sociale” që e mbajnë atë të lirë, të strukturuar, kompakte e funksionuese. Është e vërtetë që disiplinë sociale nuk do të thotë “shtypje e njeriut” nga shoqëria dhe hierarkitë e tjera ekstra individuale. Por nga ana tjetër, liria e individit nuk duhet të nëpërkëmbë rregullat sociale dhe hierarkitë, autoritetet morale e shtetërore.

Padyshim është koha moderne faktori themelor dhe ekzistencial që ka modifikuar dhe ridimensionuar konturet e brendshme të ekuacionit midis njeriut, unit, lirisë individuale dhe realitetit social, dukshëm në favor të njeriut dhe lirisë së tij. Dhe ky është trinitet social dhe moral që nuk mund dhe nuk duhet të zhbëhet. Sepse për fat të keq vendin e njeriut të lirë, të moralshëm, të drejtë, të mirë e social po e zë njeriu që ka vënë në plan të parë vetëm egoizmin, egocentrizmin, synimet ngushtësisht materiale të realizuara me çdo lloj mjeti, duke i dhënë vetes në shumë raste, atë që Niçe e ka quajtur “heroizëm biologjik”. Që në të vërtetë është shprehje e reduktimit të natyrës sociale të njeriut, prirje sociale që ka sjellë deformime të konceptit si duhet jetuar duke qenë individualisht i lirë, moralisht i drejtë, organikisht i komportuar në shoqëri dhe jetën sociale harmonike.

Padyshim është e natyrshme, e pritshme dhe fare e kuptueshme që njeriu duke qenë i lirë dhe sovran mbi veten e tij, të shfaqet i lëkundur në shumë aspekte të sjelljes dhe personalitetit, që ka të bëjë me strukturën e botëkuptimin personal, shijet individuale, aspiratat e personalizuara, që ndikojnë në formimin e drejtë apo deformimin e raporteve me lirinë individuale e subjektive nga njëra anë, dhe përgjegjësinë sociale dhe respektimin e të drejtave po aq të patjetërsuara e të pakontestuara të “tjetrit” dhe shoqërisë. Këto janë realitete të reja, të cilat duke qenë turbulente sjellin edhe paqartësi, pesimizëm, dëshpërim, agresivitet, skepticizëm, humbje besimi. Të mos harrojmë që raportet e reja të individit me shoqërinë dhe mbivlerësimi i merituar i lirisë individuale, është e panjohur pak kohë më parë në jetën e shoqërisë shqiptare, të ndërtuar në mënyrë të determinuar në kornizat e “korsesë së ngushtë morale e sociale” tradicionale, në të cilën “…kishte një ndjenjë sigurie që buronte nga pozita e padyshimtë në botë dhe në strukturën shoqërore”, ndërsa tani në “…shoqërinë moderne shfaqen gjithnjë e më tepër nevoja/kërkesa, individualizmi dhe frustacionet”. Zagorka Golubovic, “Unë dhe tjetri”, f 95.

Në fakt, herë pas here sociologjikisht jemi përpjekur për të diagnostikuar shumë dukuri, që lidhen me kalimin nga shoqëria tradicionale në atë postmoderne, e cila ka sjellë shumë pasoja që tashmë janë evidente edhe në strukturën e jetës sociale të shoqërisë tonë dhe në sjelljet e personalizuara që pasqyrojnë dinamikën e brendshme të individit ontologjikisht të pasigurt, i cili duke pasur frikë nga liria shfaq edhe kriza të zakonshme të identitetit, vështirësi të integrimit social.

Sepse njeriu si pjesë e shoqërisë, krijon korrelacione më të zgjeruara, intensive, dobiprurëse përmes marrëdhënieve me shumë asociacione, shoqata, grupe interesi, të cilat gjithsesi kanë në platformën e tyre realizimin e disa “qëllimeve kolektive”, të cilat njeriu i vetëm sado i fortë dhe individualist të jetë, nuk mund t’i realizojë pa pasur lidhje sociale me njerëzit e tjerë. Në esencë të fundit, është koha që liria individuale të kuptohet edhe si “përgjegjësi sociale”. Kjo do të thotë që ajo nuk presupozon me patjetër një drejtim të njëanshëm vetëm individualist, që njeriu të thellojë vetëm njërën anë të personalitetit, atë që ka të bëjë me theksimin evident të natyrës individuale dhe të spikatjes së individualizmit të tij.

Natyrisht, individualizimi i jetës është një konstante e pakthyeshme e shoqërisë tonë, është tipar esencial, kuintesencë e shoqërisë moderne. Por thellimi i individualizmit deri në përmasat e anomisë sociale, është një nga shkaqet që po bëhet pengesë serioze që shoqëria jonë të bëhet e mirë dhe të vetë rregullohet. Që të realizojmë këtë sfidë, duhen siguruar “ekuilibrat socialë” në marrëdhëniet midis individit dhe shoqërisë, tendencës individualiste dhe nevojës për ndjenja sociale e komunitare, si bazë për harmonizimit të interesave reciproke. Pavarësisht se mënyra individualiste e të jetuarit, është “vlerë e shtuar” e modernitetit, “kusht i panegociueshëm” për suksesin, karrierën dhe prosperitetin individual të njeriut.

/Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura