Kuvendi i Kosovës të premten do të legjitimojë dy komisionet parlamentare, të cilat do të nisin menjëherë procesin për ndryshimin e Ligjit të zgjedhjeve dhe ndryshimet e Kushtetutës së Kosovës. Formimi i këtyre komisioneve ishte pjesë e marrëveshjes së treshes Pacolli-Thaçi-Mustafa, e cila i dha fund krizës së Presidentit në Kosovë. Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e djeshme miratoi kërkesën e shefave të grupeve parlamentare për të futur në rend dite këtë çështje në seancën e 22 prillit. Po këtë ditë, pritet që të zgjidhet edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës. Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, tha se seanca e Kuvendit do të vendosë për formimin e këtyre komisioneve, për anëtarët dhe drejtuesit e tyre. Kushtetuta, e cila që prej miratimit të saj ishte konsideruar si më modernia, sipas Krasniqit, nuk do të pësojë dëmtime nga ndryshimet në disa pika. “Unë mendoj se tendencat për ta amenduar Kushtetutën nuk ta dëmtojnë e as nuk do ta zhvlerësojnë Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por do ta plotësojnë dhe do t’i konkretizojnë çështjet që janë të nevojshme të ndryshohen”, tha Krasniqi. Dy komisionet e reja do të kenë nga nëntë anëtarë, ndërsa emrat e tyre dhe të kryesuesve të komisioneve do të publikohen në seancën e 22 prillit. Nuk është vendosur ende nëse Jakup Krasniqit i takon ta drejtojë Komisionin për amendamentimin e Kushtetutës së Kosovës. Dje, Kryesia e Kuvendit kishte në rend dite edhe dy njoftime, një për kërkesën e deputetit të PDK-së, Shaip Muja, lidhur me ftesën e kryetarit të Komisionit për punë të jashtme, Albin Kurti, adresuar zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe tjetra kërkesa e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, për largimin e Florin Krasniqit nga kryetari i Komisionit për mbikëqyrje të AKI-së. Kryesia nuk ka pranuar të merret me këto dy çështje, pasi ka konsideruar se nuk janë lëndë që i takojnë asaj të merret.











