Nis edhe rikonstruksioni i stadiumit “Loro Boriçi”

Oct 29, 2014 | 11:00

Specialistë të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë nisur që dje punën për rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës. Lajmi është konfirmuar në vetë të parë edhe nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka. Sipas tij, topografët dhe zyrtarët e Federatës kanë zbarkuar në Shkodër, ku janë duke marrë të dhënat e para në lidhje me projektin. “Po, stadiumi do të rikonstruktohet, ose më mirë do të pësojë një ndryshim tërësor. Ne që sot (dje) kemi dërguar topografët dhe nëpunësit e Federatës në Shkodër për të bërë matjet e duhura dhe për të bërë edhe verifikimet. Më pas do të bëhen disa llogaritje dhe do dilet në konkluzionet e duhura”, ka thënë dje Duka. Për momentin, gazeta ka mësuar në rrugë jozyrtare se kostoja e stadiumit pritet të shkojë sa dyfishi i parave që u harxhuan për “Elbasan Arena”. Në pak fjalë, impianti i Shkodrës do t’i kalojë 12 milionë euro investim. Edhe pse pritet të marrë aprovimin nga ana e projektuesit, mendohet se ky stadium do të ketë një kapacitet te 20 mijë vende të ulura dhe presupozohet se do të jetë më i madhi në vend. “Loro Boriçi” do të pësojë një rikonstruksion thuajse total, ku do preket më së shumti pjesa ballore, e tribunës, do të vendosen stolat e rinj dhe natyrisht edhe tapeti i fushës. Edhe ky impiant do të ketë pistë olimpike për atletikën. Sakaq, punimet pritet të nisin në dhjetor të këtij viti dhe mund të përfundojnë në harkun e 10 muajve, pra për tetorin e 2015-ës, kur do të luhet edhe ndeshja e kthimit me Serbinë.

Të dhënat
1) Kostoja e stadiumit pritet të shkojë më shumë se 12 milionë euro, ose dyfishi i buxhetit të shpenzuar për “Elbasan Arena”.
2) Impianti do të ketë 20 mijë vende të ulura dhe presupozohet se do jetë më i madh (deri në ndërtimin e “Qemal Stafa”-s) në vend.
3) Punimet do të nisin në dhjetor të këtij viti dhe pritet të përfundojnë në harkun e 10 muajve, pra për tetorin e 2015-s.
4) Rikonstruktohet thuajse gjithë pjesa ballore, ose më mirë e tribunës, stolat e rinj dhe tapeti i fushës.
5) Ashtu sikundër stadiumi i Elbasanit, edhe ky i Shkodrës do të ketë pistë olimpike për atletikën.

© Panorama.al

Te lidhura