Nga stampimi në ATSH, në arkivën personale të Enverit

Apr 27, 2014 | 13:15

Vigjilenca Sallaku
Që ndryshimi ka qenë një proces i pashmangshëm gjatë periudhës moniste në vendin tonë, kjo dihet… Me pak fjalë, nuk përbën habi fakti që figura të caktuara të udhëheqjes, pas zhvillimeve të caktuara politike, përfundonin jo vetëm në eliminim fizik, por deri në ekzistencën e tyre, duke fshirë çdo emër nëpër libra dhe çdo imazh nëpër fotografi. Të tjerë profesionistë të procesit të retushimit na kanë shprehur më herët se me të gjitha figurat politike është përdorur e njëjta praktikë, nga Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, e ish-kryeministri Mehmet Shehu… Dhe kjo detyrë e caktuar nga Partia, ka qenë praktikë e punës, edhe për shumë punonjës që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me fotografinë. Një prej tyre, Vigjilenca Sallaku, e cila përvojën e nisi herët si fotoreportere pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare, dhe më pas si stampatore e parë pranë Laboratorit të Përpunimit të Fotove, e ka pasur edhe këtë proces pjesë të përditshmërisë së punës. Edhe pse seti i parë i fotografive për të ka qenë ndër më mbresëlënësit, ai për homazhet e vdekjes së Kryeministrit kinez, Çu En Lai. Por, ndofta një nga periudhat më me përgjegjësi për të, ka qenë pikërisht ajo brenda vilës së udhëheqësit Enver Hoxha, ku e komanduar direkt nga e reja e ish-diktatorit, Liljana, ajo u caktua të punonte në arkivin personal të fotove të familjes Hoxha. Ka kaluar qindra foto private, nga ato që syri i zakonshëm i popullit dhe shtypit të kohës nuk kish mundur të perceptonte. Foto krejtësisht personale, për të cilat një nga personat që kujdesej specifikisht, qoftë në realizimin e tyre direkt për udhëheqjen, ishte Sulo Gradeci me një ndihmës të tijin. Detaji që menjëherë i ra në sy Vigjilencës gjatë punës në arkivin brenda familjes, ishte prania e gjithfarësoj imazheve, në të cilat nuk mungonin edhe ish-udhëheqësit e eliminuar, çka nuk mund të ndodhte në shtypin e kohës, ku çdo fotografi e tyre kalonte në vrimë të gjilpërës. Duket se ishte këmbëngulja e Nexhmije Hoxhës, e cila synonte që secila foto të ruhej e paprekur, sepse ishin sipas saj një e tashme që do shërbente për të ardhmen, si pjesë fondamentale e historisë së familjes e jo vetëm. Ish-stampatorja e parë e ATSH-së, në prag të daljes në pension si mësuese e lëndës së fotografisë pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”, tregon më shumë detaje…

Sot, gjithkush mund të realizojë fotografi edhe me aparatë celularë, ndërsa dekada më parë ka qenë diçka e rrallë. Si u lidhët ju me fotografinë?
Fotografia është arti pamor me të cilin u dashurova që në moshën 20- vjeçare. Pasi përfundova Liceun Artistik për Pikturë, shkollimi më ndihmoi që të perfeksionohesha në anën kompozicionale të përpunimit të fotografive, pasi u punësova më pas në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, në sektorin laboratorik. Në thelb, vetë fotografia është art pamor dhe shkolla që mbarova më ndihmoi që aspektin estetik. Atëherë, teknikat e punës ishin ato bardhezi, metoda tejet manuale dhe shumë ndryshe nga mënyra si operohet sot, pasi teknikat dixhitale datojnë më vonë, në shek XXI, ndërsa më herët puna e zhvilluar nga ne në periudhën komuniste ishte vetëm manuale. Fotografia më futi në një botë tjetër të bukur.

E keni nisur fillimisht si fotografe dhe më pas si stampatore pranë laboratorit të përpunimit të fotove në ATSH. E kujtoni herën tuaj të parë në realizimin e fotografive?
Po sigurisht. Në vitin 1971 jam punësuar në ATSH, në sektorin e Laboratorit Fotografik dhe më pas specializohem në Kinë për fotografinë me ngjyra, dhe kështu përvetësova të dyja proceset, dhe atë bardhezi dhe atë kolor. Agjencia Telegrafike Shqiptare kishte një arkiv, gati minierë lajmesh, informacionesh dhe fotosh për mediat. Ishte një staf i tërë që punonte aty. Drejtor ka qenë Fiqiri Vogli, ndërsa Kozma Beqiri në pozicionin e nëndrejtorit dhe ishte pikërisht ky i fundit që më caktoi që krahas punës në laborator, të bëja foto edhe në terren me motivin për ta prekur nga afër lajmin, ngjarjen. Në atë periudhë pasqyroheshin aty të gjitha aktivitetet politike, kulturore, sportive, e shumë zhanre të tjera të eventeve që organizoheshin në Shqipëri. Dhe fotot e para që kam realizuar, kanë qenë ato gjatë homazheve që u kryen pranë Ambasadës Kineze në Tiranë, më 18 janar të vitit 1976, ditën kur vdiq Çu En Lai.

Si u përcoll atëherë kjo ngjarje?
Kozma Beqiri ishte ndër ata drejtues që nuk na la të punonim vetëm si stampatore, por na e zgjeroi punën edhe në terren, për të qenë në kontakt direkt me ngjarjen, lajmin, duke qenë se më pas detajet e fotografive përpunoheshin nga ne, në laborator. Në homazhe na caktuan dy fotoreporterë. Pasi në raste të veçanta ngjarjesh o aktivitetesh, fotografët dubloheshin në terren, me qëllim që nëse i ndodhte ndonjë defekt njërit, ishte tjetri i pranishëm. U caktova unë bashkë me Mihal Progonatin, një nga fotografët më të zotë të atyre viteve, e për më tepër ai që ka ndjekur më së shumti fotografitë e politikës, e sidomos familjen e Enver Hoxhës. Madje ai është bërë i famshëm për një fotografi që i bëri Enverit në Rrapin e Mashkullores, ku ai kishte shkuar për një vizitë në vendlindjen e tij. Bëri shumë bujë ajo si foto. Ndërsa homazhet për Kryeministrin e ndjerë kinez u zhvilluan në Ambasadën Kineze këtu në Tiranë dhe të pranishëm ishin shumë nga udhëheqësit e vendit, gjithashtu dhe trupi diplomatik i Ambasadës Kineze. Më pas fotot e realizuara i dërguan në laborator, ku stampatorja ishte ajo që mbante më shumë përgjegjësi në punën e saj, sepse ishte personi i parë që lante filmin, e bënte ndryshimet e nevojshme në foto.

Cilat ka qenë ngjarjet më të rëndësishme në vend, që kanë pasur fluksin më të madh të fotove në arkivin e punës suaj?
Pa asnjë dyshim vdekja e Enver Hoxhës, në prill të 1985-s. Kemi pasur fluksin më të jashtëzakonshëm të fotove që kanë kaluar ndonjëherë në ATSH dhe në kohën që ndodhi, unë isha emëruar prima-stampatore në laboratorin e përpunimit të fotove. Ishin ditët e para të muajit prill dhe na u tha nga drejtuesit që të ishim të gatshëm në çdo moment, pasi pritej vdekja e Enver Hoxhës, ishte rënduar nga ana shëndetësore shumë. Ne kishim Liljana Hoxhën nëndrejtoreshë dhe natyrisht që informacioni na erdhi nga brenda familjes, e më pas nga shtypi. Duhet të ishim për ditë të tëra në gatishmëri të vazhdueshme, deri ditën kur ai mbylli sytë. Për ne ishin ditë të ngarkuara dhe me shumë tension, derisa të mbaronte e gjithë ceremonia, duhej të përcilleshin me përpikëri të gjitha fotot e shtypit vendës, atij të huaj gjithashtu. Kemi kaluar nëpër duar qindra foto, një tirazh i jashtëzakonshëm. Foto të cilat më pas seleksionoheshin me kujdes.

Cili ishte meraku i Liljanës për fotot e vjehrrit të ndjerë?
Meraku i saj ishte që të pasqyrohej sa më saktë dhe pastër kjo ceremoni, sepse duke qenë nuse në familjen e Hoxhajve dhe e punësuar aty në ATSH, donte që çdo gjë të pasqyrohej denjësisht.

Çfarë tip drejtueseje ishte Liljana Hoxha?
Flitet që ishte natyrë e sertë… Nuk ishte e sertë. Për mendimin tim ishte e zonje dhe profesioniste. Ne kishim një arkiv që ishte enkas për linjën e udhëheqësve, dhe aty merreshin urdhrat e porositë e veçanta nga drejtuesit e ATSH-së. Ishte një staf i dytë në laborator që merrte nga lart urdhrin e punës, e gjithçka zbatohej më pas nga stampatorët dhe laboratorët, praktikisht.

Pra, kishte porosi direkte për figurat e udhëheqjes komuniste?
Natyrisht. Agjencia jonë ishte institucioni kryesor i shtypit dhe ne ishim ata që furnizonim gjithë gazetat, si “Zëri i Popullit”, “Bashkimi”, “Sporti”, pastaj revistat “Shqipëria e Re”, “Shqipëria Sot”. Në çdo aktivitet caktohej një fotograf e një fotoreporter, ndërsa në rast të aktiviteteve të rëndësisë së veçantë, caktoheshin dy të tillë, dublues. Meraku më i madh ishte për fotot e liderëve komunistë, ku siç e cilësova, kishte një arkiv më vete që merrej me to.

Ndonjë foto që e ke punuar personalisht ato vite?
Pas viteve ’85 u bë një kongres i rëndësishëm i gruas në Tiranë, dhe u kërkua që në kopertinë të revistës “Shqipëria Sot” të ishte Nexhmije Hoxha. Por, të gjitha fotot e realizuara nga fotografët e kishin fotografuar atë në distancë të largët, e duke punuar me aparatura manuale ishte e vështirë përpunimi. Kostandin Leka është marrë shumë me fotografinë, ishte mjeshtër në këtë fushë dhe ishte ai që ma besoi përpunimin e fotos, për ta bërë të përshtatshme për botim. Ishte një detyrë me përgjegjësi, sigurisht.

Ndodhnin retushime në laboratorin ku ju ishit stampatore e parë? Sigurisht që po. Kanë qenë shumë ata persona që dolën të pakënaqur nga sistemi dhe u eliminuan si politikanë. Dhe normalisht, ata u fshinë nga të gjitha fotot që dispononte arkivi jonë, sepse dihej që më pas ato do të përdoreshin si fond retrospektive për botime të ndryshme. Kur u eliminuan figura të tilla si Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu etj., në repartin e retushimit ishte Marika Tako, ajo merrte porositë direkte dhe ne bashkërisht punonim në laborator që filan politikan nuk duhet të ekzistonte më në asnjë prej fotove që do të qarkullonin pas eliminimit të tij. Patjetër që këto porosi zbatoheshin me kujdes dhe fjala e tyre nuk mund të bëhej dysh.

Vetëvrasja e Mehmet Shehut duhet të ketë qenë një ngjarje që ju ngarkoi me shumë punë, apo jo?
Kur ndodhi ngjarja e vitit 1981, “vetëvrasja” e Mehmet Shehut, u tronditëm shumë në fakt. Dhe natyrisht, që për ditën e ceremonisë zyrtare u angazhuan shumë fotoreporterë në terren për të mbuluar ngjarjet. Por, pasi u mbyll dhe ceremonia, na u kërkua disa ditë më pas që figura e Mehmet Shehut të fshihej nga të gjitha fotot që qarkullonin në fondin e ATSH-së, në shtyp, revista e gazeta, etj. Ishte një skuadër e tërë që kontrolloi me kujdes të madh gjithë negativët prezentë të fotove, për të konstatuar retushimet e Mehmetit, se ndryshe nuk kalonte as edhe një foto e vetme me praninë e tij.

Ju keni punuar edhe në vilën e Enver Hoxhës, në arkivin personal të familjes. Si kaluat aty?
Në vitin 1989 ishte Liljana Hoxha që më komandoi, si specialiste që isha, duke më caktuar në fondin personal të fotove pranë familjes së udhëheqësit Hoxha. Pra, kalova nëpër duar fotot private të familjes. Ishte një dhomë e veçantë brenda vilës së Enverit, ku gjendej arkivi i madh me fotot e realizuara në vite të ndryshme, të ruajtura nëpër albume e rafte. Detyra ime ishte që të seleksionoja fotot ekzistente sipas viteve, në skedarë të ndryshëm. Gjithashtu, nëse kishte foto të dubluara, unë bëja përzgjedhjen duke arkivuar versionin më të mirë.

Çfarë të bëri përshtypje?
Ato ishin thuajse të gjitha foto familjare, të hershme, shumë prej tyre nga ato të papublikuarat, sepse i takonin fondit privat të familjes. Por më shumë ishin personale, ato nga pushimet e Enverit me nipërit e mbesat, me fëmijët në Volorekë, në shëtitje… Foto jo publike që pasqyronin pasionet e tij në gjueti, në peshkim… Shumë prej fotove gjithashtu ishin gjatë procesit të të shkruarit në skrivani etj. Ato foto modeluan te unë, gjithashtu figurën e një gjyshi të kujdesshëm mes nipërve dhe mbesave të tij, në raste ditëlindjesh e festash të ndryshme. Diçka tjetër që më bëri përshtypje ishte prania në fondin e familjes e fotove ku ishin të pranishëm gjithë figurat e eliminuara të Partisë.

Kjo do të thotë që ata punonin me dy standarde? Në njërën anë figurat e eliminuara retushoheshin nga gjithë fotot që qarkullonin në shtyp, e në anën tjetër ruheshin me fanatizëm në familjen Hoxha…
Ishin të gjitha fotot pjesë e arkivit të familjes. Beqir Balluku, Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu, në fotot ku ata u ishin bashkuar gëzimeve familjare bashkë me Enverin dhe familjen e tij. Çdo foto ishte pjesë e arkivit personal të familjes Hoxha, pra nuk ishin fshirë. Duket se Nexhmija ishte ajo që kujdesej që e kaluara të ruhej për një të ardhme. Ajo nuk kërkonte të fshiheshin foto, të cilat edhe pse mund të mos i donte, i mbante të depozituara në arkiv, si pjesë e historisë. Vetë Liljana Hoxha kujdesej shumë për ruajtjen e fondit të fotove të familjes dhe dokumentimin e saktë të tyrin. Ato mbetën ashtu të paretushuara, si provë e historisë, ashtu siç ishin evidentuar Hoxha dhe të eliminuarit e Partisë, bashkarish nëpër plenume, festa e ditëlindje private.

Kishte foto që i kishin shpëtuar syrit të familjes?
Jo, nuk m’u duk të kishte të tilla, sepse ishte një aparat i tërë personash që merreshin me realizimin e përpunimin më pas të fotove. Ndërsa, ato që ishin ruajtur në fondin privat të familjes, ishin pjesë e historisë familjare, më pak protokollare dhe më shumë private.

Kush i realizonte fotografitë për udhëheqjen në ish-Bllok?
Ishte Sulo Gradeci me një ndihmësin e tij. Fotografitë e Bllokut i realizonte vetëm ai, pasi ata ishin personat e autorizuar për të punuar brenda vilës së Enver Hoxhës, normal duke qenë dhe truproja personale e udhëheqësit. Ishte një si zyrë më vete, ku kaloheshin fotot e tyre. Gjithashtu ishte Jani Ristani, stampatori personal i fotove të Enverit, pasi krahas fondit të familjes, ishte edhe një arkiv tjetër pranë Komitetit Qendror të Partisë. Ishte një nga personat që vinte më shpesh për të parë punën time, qoftë aty në Bllok, por edhe në ATSH, pasi ne nuk mund të shkëpusnim asnjë fragment nga negativi me dëshirë personale.

Fotografia, siç e shprehët ju, ndihmoi që ta shihnit botën me një sy tjetër… Ndaj vendosët t’i riktheheshit?
Të punuarit me fotografi është një nga gjërat që më pëlqen më shumë, jo vetëm se është profesioni im. Prandaj, në vitin 1999 mora pjesë në një konkurs ku u përfshiva jo vetëm emocionalisht, pikërisht në këtë ngjarje të rëndë për popullin kosovar, siç ishte eksodi i tyre në Shqipëri. Doja ta evidentoja si ngjarje, ndaj dhe realizova shumë foto të rralla, që sot janë pjesë e arkivit të punës sime. Paralelisht me pasionin për fotografinë, unë prej vitesh jap lëndën e fotografisë artistike pranë Liceut Artistik “Jordan Misja”, ku kontakti i drejtpërdrejtë më laboratorin e punës, nxënësit më rikthen te dashuria për fotografinë, por sot me metodika të reja të realizimit e përpunimit të tyre.

ERMIRA ISUFAJ

© Panorama.al

Te lidhura