Nën akuzë topografi, abuzoi me Ligjin e pronave 7501

Apr 28, 2011 | 9:49
Pamje nga Farka

Një topograf i komunës së Farkës dërgohet në gjykatë nga Prokuroria e Tiranës me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” në lidhje me dhënien e tokave në pronësi, në periferi të kryeqytetit.Dosja penale me numër 1395 ndaj shtetasit Halil Teqja, pas përfundimit të hetimeve është dërguar në Gjykatën e Tiranës për shqyrtimin e provave të grumbulluara në fazën e hetimeve paraprake. Hetimet për abuzimin me trojet e tokave në periferi të Tiranës, bashkë me topografin Halil Teqja, ka përfshinë edhe dy persona të tjerë, por gjatë procedurave në Prokurorinë e Tiranës, akuza ndaj këtyre dy personave është pushuar. Rrjedhimisht, i pandehur në Gjykatën e Tiranës është dërguar vetëm topografi Halil Teqja, i cili akuzohet se ka manipuluar plan-vendosjen dhe dokumentet e tjera për disa prona në zonën e Farkës dhe më gjerë. Konkretisht, më 25 janar 2011, pas denoncimeve të banorëve, Policia e Tiranës referoi në Prokurori kryeplakun e Bathores, shtetasin M. Dushku, 50 vjeç, topografin e Farkës, Halil Teqja, 45 vjeç dhe përgjegjësin e zyrës së bujqësisë në Farkë, F. Dallashi, 51 vjeç. Kryeplaku i Bathores dhe përgjegjësi i zyrës bujqësore i kanë shpëtuar akuzës, ndërsa Prokuroria ka çuar në Gjykatë dosjen penale ndaj topografit Halit Teqja. Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim të detyrës”, në lidhje me procesin e ndarjes së tokave në bazë të Ligjit Nr. 7501, dt. 19.07.1991 dhe akteve ligjore e nënligjore të nxjerra në zbatim të tij. Policia ka thënë se vepra penale e kryer nga topografi është dokumentuar në fshatin Njull-Bathore, komuna Farkë e Tiranës. Abuzimi është kryer nga anëtarët e Komisionit të Ndarjes së Tokave për këtë fshat, ku anëtar ka qenë edhe topografi i pandehur. Nga hetimet ka rezultuar se topografi ka qenë personi që ka kryer manipulimin e dokumenteve mbi të cilat më pas janë kryer falsifikimet dhe abuzimet me tokat. Topografi ka qenë anëtar të Komisionit të Ndarjes së Tokave në fshatin Njull-Bathore, ku në shkelje të Ligjit Nr. 7501, dt. 19.07.1991 dhe akteve të tjera ligjore, ka prodhuar dhe lëshuar akte të marrjes së tokës në pronësi në emër të disa familjeve të fshatit Njull-Bathore, duke bërë të mundur përfitimin e sipërfaqeve të mëdha toke nga ana e këtyre familjeve.

© Panorama.al

Te lidhura