Gjatë një takimi që zhvilloi me anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së në Vlorë, Ilir Meta kërkoi bashkëpunim dhe gjithëpërfshirje për reformat. Meta deklaroi se LSI është e hapur për bashkëpunim në reformën zgjedhore, duke iu përmbajtur të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, që kjo reformë të jetë gjithëpërfshirëse. “Reforma zgjedhore, në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për ne duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe qëllimi kryesor është që vërtet vota e çdo qytetari shqiptar jo vetëm të respektohet, por edhe të jetë e barabartë. Pra, ne jemi për të gjitha ato ndryshime që e forcojnë shenjtërinë e votës dhe barazinë e saj”, u shpreh Meta. Ai e konsideroi 100-vjetorin e krijimit të shtetit shqiptar një ngjarje madhore për të gjithë shqiptarët dhe që kërkon vëmendjen e të gjithëve.
Fatos Beja: “Mekanizma të tjerë për reformat”
Në mungesë të konsensusit të opozitës për miratimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 në Kuvend, maxhoranca do të kërkojë mekanizma të ngjashëm për kryerjen e reformave, të cilat miratohen vetëm me 71 vota në Parlament. Kryetari i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, deputeti Fatos Beja thotë për ‘AS‘ se në të njëjtën mënyrë si u veprua me lënien e imunitetit nëpërmjet një ligji të veçantë duke ndjekur modelin gjerman, do të veprohet edhe me ligjet e tjera të cilat nevojiten për reformën në sistemin gjyqësor. “Në qoftë se do të jetë e pamundur që të ndryshosh Kushtetutën për një çështje të caktuar që lidhet me një votim me 3/5, atëherë do të kërkohen mekanizma të ngjashëm që nuk kanë nevojë nga Kushtetuta me miratim me 3/5, por që miratohen nga shumica e deputetëve të Parlamentit”, tha Beja.











