Agjencia e lajmeve “Reuters” raporton se planet që Shqipëria të presë samitin e ardhshëm të NATO-s janë vënë në pikëpyetje për shkak të rezistencës nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump dhe pakënaqësisë së disa vendeve anëtare me nivelin e ulët të shpenzimeve shqiptare për mbrojtjen.
Sipas agjencisë, e cila citon një diplomat të NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre burime që kanë njohje mbi çështjen, në projektdeklaratën e samitit të NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi nuk përmendet organizimi i samitit pasardhës në Shqipëri, megjithëse në deklaratën e samitit të vitit të kaluar ishte parashikuar që takimi i radhës pas Turqisë të zhvillohej në vendin tonë.
Burimet thanë se vendimi lidhet me përpjekjet e vendeve evropiane të NATO-s për të shmangur përplasjet me presidentin Trump gjatë samitit në Turqi dhe për të treguar se kanë bërë përparim në rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen.
Një prej burimeve të Reuters deklaroi se niveli aktual i shpenzimeve të Shqipërisë për mbrojtjen mund të shkaktojë reagim negativ nga Trump nëse vendi do të organizonte samitin e vitit 2027.
Një diplomat evropian tha se versioni më i fundit i deklaratës thjesht shprehet se liderët “presin me padurim takimin e tyre të ardhshëm”, pa specifikuar kohën dhe vendin ku do të mbahet.
I pyetur nga Reuters për mungesën e Shqipërisë në projektdeklaratë, një zëdhënës i qeverisë shqiptare u shpreh se “draftet janë drafte, jo vendime”, duke theksuar se teksti është ende në negociata dhe mund të ndryshojë.
Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë, ndërsa një zyrtar i NATO-s tha se nuk kishte një reagim të menjëhershëm.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi më herët këtë muaj se shumica e vendeve tashmë e kanë arritur pragun 2%, ndërsa për Shqipërinë, Çekinë dhe Slloveninë tha se janë angazhuar ta kalojnë këtë nivel gjatë vitit.
Në një deklaratë për Reuters, qeveria shqiptare bëri të ditur se po finalizon masat fiskale për ta përafruar buxhetin e mbrojtjes për vitin 2026 me angazhimet e marra në samitin e Hagës.
Sipas qeverisë, pas miratimit të këtyre masave, shpenzimet e Shqipërisë për mbrojtjen dhe sigurinë gjatë vitit 2026 do të arrijnë në 2.6% të PBB-së, sipas metodologjisë së NATO-s. Prej tyre, 2.2% do të përbëjnë shpenzimet bazë për mbrojtjen, ndërsa 0.4% do të lidhen me fusha të tjera të sigurisë.
Megjithatë, një diplomat evropian i tha Reuters se, pavarësisht diskutimeve aktuale, mbetet ende e mundur që samiti i ardhshëm i NATO-s të zhvillohet në Shqipëri.
“Ata po rrisin shpenzimet. Do të shohim se ku do të përfundojë procesi, por unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri”, u shpreh diplomati.
© Panorama.al












