Në Korçë, tifo për Laçin, Zeqo: Uroj të luhet drejt

Apr 22, 2011 | 9:54

Korçarët, në prag të ndeshjes me Tiranën, janë me sytë në Laç. Kjo për një arsye të thjeshtë, pasi një fitore e kurbinasve ndaj Flamurtarit i hap dritën “jeshile” Skënderbeut. Të paktën kështu e sheh këtë përballje presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo. “Laçi nuk është aleati ynë dhe mendoj që nuk është as aleati i Flamurtarit. Të shpresojmë që, meqenëse ky ekip përveçse ka treguar stabilitet dhe formë të mirë gjithë vitin, të vazhdojë të luajë me korrektesë deri në fund të kampionatit, për tifozët e vet dhe për të treguar që është një klub serioz”, – ka thënë numri një i presidencës për laçianët. Të mbash kreun në një kampionat kaq të vështirë si ky i këtij sezoni nuk duket aspak e lehtë për juglindorët, të cilët janë duke kaluar sprova njëra pas tjetrës. Megjithatë, optimizmi karakterizon korçarët, të cilët besojnë se do t’ia dalin mbanë. Për presidentin e bardhekuqve çdo ndeshje ka rëndësinë e saj, por ai kërkon që të tijtë të mos jenë të tensionuar. Sipas Zeqos, kjo situatë e krijuar dhe lufta e fortë sportive i ka dhënë më shumë bukuri kampionatit. Por, teksa në juglindje nisën të mendojnë për sfidën e Tiranës, një transfertë aspak e lehtë, vëmendja paralelisht është përqendruar edhe tek ndeshja Laçi-Flamurtari. Presidenti, ndër të tjera, u kërkon lojtarëve që ta marrin lehtë, pasi asgjë nuk ka përfunduar, ndaj edhe gabimet janë të patolerueshme.

© Panorama.al

Te lidhura