Në Korçë janë të bindur: nëse fitohet edhe ndaj Vllaznisë pasditen e sotme, atëherë titulli është i hipotekuar, pavarësisht finales së javës së fundit në Vlorë me Flamurtarin. Në këtë kontekst, kapiteni i Skënderbeut, Blendi Shkëmbi, por edhe lojtarë të tjerë të kësaj skuadre, si Endri Vrapi e Renato Arapi, u kanë bërë thirrje tifozëve të tyre nëpërmjet uebsajtit social “Facebook”, që të jenë të shumtë në numër në përballjen ndaj Vllaznisë, në mbështetje të ekipit. Kujtojmë se Skënderbeu është në heshtje shtypi, ndaj lojtarëve nuk u lejohet që të japin intervista për mediat, përveç trajnerit Shpëtim Duro dhe presidentit, Agim Zeqo. Kapiteni i kësaj skuadre e ka konsideruar si një finale këtë ndeshje, duke vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Sipas tij, skuadra është një hap larg titullit dhe tani më shumë se kurrë ka nevojë për “lojtarin e 12-të”, pra tifozët. “Me Vllazninë është një finale e vërtetë për ne. Nëse fitojmë, jemi shumë pranë titullit, për të mos thënë që shpallemi virtualisht kampionë. Ndaj shpresoj që stadiumi të jetë i mbushur plot, ashtu siç keni bërë edhe në ndeshje të tjera gjatë këtij sezoni. Kemi nevojë për tifozët tanë dhe premtojmë që festën do ta nisim që pas ndeshjes me Vllazninë”, ka shkruar në “Facebook” kapiteni.











