S’ka ndryshime, Berisha: Vetëm Flamur Noka bëhet ministër

Jun 24, 2012 | 11:33
Flamur Noka

Kryeministri heq dorë nga përtëritja, ikën vetëm Nishani. I kërkon Topit dekretimin e Sekretarit të PD në vend të Nishanit dhe emrat e LSI.

Kryeministri Berisha emëroi dje Flamur Nokën ministër të Brendshëm, duke plotësuar vakumin e krijuar pas dorë-heqjes së Bujar Nishanit, kreut të ri të shtetit.
Kreu i qeverisë i është drejtuar Presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të dekretojë ministrin e ri e gjithashtu të dekretojë dhe lëvizjet e propozuara në kabinetin qeveritar nga Kryesia e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryeministri i kërkoi Presidentit shkarkimin e Edmond Haxhinastos nga detyra e ministrit të Punëve të Jashtme dhe emërimin e Edmond Panaritit në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme; shkarkimin e Petrit Vasilit nga detyra e ministrit të Shëndetësisë dhe emërimin e Vangjel Tavos në detyrën e ministrit të Shëndetësisë; shkarkimin e Nasip Naços nga detyra e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe emërimin e Edmond Haxhinastos në detyrën e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës; si dhe emërimin e Flamur Nokës në detyrën e ministrit të Brendshëm. Noka, me profesion mjek, aktualisht sekretar Organizativ i Partisë Demokratike, i cili vjen nga pozicione drejtuese në Forumin Rinor demokrat, njihet si njeri i afërt dhe i besueshëm pranë Kryeministrit Berisha. Por, ndryshe nga ç’pritej, Kryeministri Berisha nuk arriti të realizonte një përtëritje të qeverisë që ai drejton, kërkesë kjo e bërë para dhe pas zgjedhjes së kreut të ri të shtetit. Në deklarata dhe intervista të ndryshme, që nga kreu i LSI-së Ilir Meta, por dhe deputetë të maxhorancës, janë kërkuar ndryshime në qeveri, për t’u dhënë reformave një impuls të ri. Ditët e fundit, pas zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, shumë emra artikuloheshin në ambientet politike, por dhe ato mediatike, se do të lëviznin nga qeveria e po ashtu dhe shumë të tjerë se do të merrnin postet ministrore. Sa më shumë kalonin ditët, skenarët e lëvizjeve në qeveri sa vinin dhe shtoheshin, ndërsa emrat që prekeshin nga këto lëvizje herë inkurajoheshin e herë demotivoheshin. Vendimi i LSI-së për të qarkulluar ministrat e saj në kabinetin qeveritar krijuan idenë se do të kishte dhe lëvizje në postet e tjera ministrore. Por ndoshta dhe i gjendur para një presioni nga brenda dhe për të shmangur qejfmbetjet në radhët e demokratëve, Kryeministri preferoi vetëm të zëvendësojë vendin e mbetur vakant pas dorëheqjes së Bujar Nishanit nga posti i ministrit të Brendshëm. Me emërimin e Flamur Nokës në krye të dikasterit të rëndësishëm të qeverisë “Berisha” shuhen dhe zërat dhe skenarët për ndryshime të tjera në qeveri. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, ishte shprehur pak ditë më parë për ndryshime në qeveri, për të pasur një tjetër ritëm. “Unë them që javët e ardhshme ne duhet të zgjidhim me shpejtësi 2-3 çështjet kryesore për statusin e vendit, siç është reforma zgjedhore”, është shprehur Meta.

Emrat e rinj të qeverisë
Flamur Noka emërohet ministër i Brendshëm
Nasip Naço, nga ministër i Ekonomisë bëhet nënkryetar Kuvendi
Edmond Haxhinasto, nga zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm bëhet zv.kryeministër dhe ministër i Ekonomisë
Edmond Panariti, nga nënkryetar Kuvendi bëhet ministër i Jashtëm
Petrit Vasili jep dorëheqjen nga ministër i Shëndetësisë
Vangjel Tavo, nga nënkryetar Parlamenti bëhet ministër i Shëndetësisë

Flamur Noka, ish-drejtues i FRPD, ministër i Brendshëm
Flamur Noka, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike dhe sekretar Organizativ i saj, u emërua nga Kryeministri Berisha ministër i Brendshëm. I lindur në Kukës, 41-vjeçari me profesion mjek onkolog, vetëm tre vjet e ushtroi profesionin e tij, ndërsa i kishte përfunduar studimet e tij që në vitin 1997. Veprimtaria e tij politike spikat në Forumin Rinor të Partisë Demokratike ku gjatë periudhës 1998-2000 ka qenë sekretar Organizativ i FRPD-së. Noka mori postin e sekretarit të Përgjithshëm të këtij forumi nga vitit 2000 deri në 2005-n. Pas këtij viti e në vazhdim ai do të mbajë postin e sekretarit Organizativ të PD-së, një pozicion i vështirë dhe me përgjegjësi që lidhet me të gjithë veprimtarinë organizative të PD-së, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, duke kaluar dy zgjedhje të përgjithshme dhe dy për pushtetin vendor. Deputeti i qarkut të Kukësit gjatë kësaj legjislature është anëtar i Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, por dhe anëtar i Komisionit për Ekonominë dhe Financave. Gjatë diskutimeve në komisione, por dhe në Kuvend, Noka njihet si një deputet aktiv në debatet dhe jetën parlamentare.

Patozi: Ndryshimet i vendos Kryeministri
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, tha pak ditë më parë se ndryshimet në qeveri mund të bëhen nëse Kryeministri e gjykon të nevojshme. “Zgjedhjet, qofshin lokale apo të përgjithshme, sjellin ndryshime numrash, përqindjesh, të cilat domosdoshmërisht çojnë në ndryshime të kabinetit. Qoftë kur fiton, qoftë kur humbet. Në këtë rast nuk jemi. Tani më pyesni mua: A do të ishte? Kjo është një pyetje që gjithmonë i bëhet Kryeministrit, që unë do ta shikoja si pozitive dhe jo si një gjë të keqe nëse Kryeministri do ta gjykonte të udhës”.

Topi shkarkoi Nishanin
Dy ditë më parë, Presidenti Bamir Topi dekretoi shkarkimin e Bujar Nishanit nga posti i ministrit të Brendshëm. Zyra e shtypit e kreut të shtetit bëri publik dje dekretin që mban numrin 7550. “Në mbështetje të neneve 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Bujar Nishani, ministër i Brendshëm, shkarkohet nga detyra”, thuhet në përmbajtjen e dekretit. Ish-ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, e paraqiti dorëheqjen te Kryeministri Sali Berisha më 11 qershor, vetëm pak orë pasi emri i tij do të kalonte në procedurën parlamentare për t’u votuar si Presidenti i ri i vendit.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura