Ndërhyjnë francezët, arrestohet “Presidenti i fortë”, Gbagbo

Apr 12, 2011 | 11:16
Laurent Gbagbo me gruan e tij, Suzanë, pas arrestimit

Ish-presidenti i Bregut të Fildishtë, Laurent Gbagbo, u arrestua dje nga forcat e Presidentit të ligjshëm, Alasan Ouatara, të mbështetur prej forcave franceze. Bashkë me të u mor edhe gruaja e tij. Arrestimi i Gbagbos ofron shpresa për fundin e konfliktit të përgjakshëm disa ditor mes forcave besnike të Gbagbos, i cili humbi zgjedhjet presidenciale të 28 nëntorit, por nuk i hapi rrugën presidentit të ligjshëm, Ouatara, duke provokuar konflikt mes Jugut (që mbështet Gbagbon) dhe Veriut (që mbështet Ouatarën). Gbagbo nuk e njohu rezultatin e zgjedhjeve, edhe pse më shumë mundësi për të manipuluar kishte pasur ai vetë, pasi ishte në pushtet, por Outara u njoh menjëherë si President i ligjshëm i Bregut të Fildishtë nga OKB-ja, SHBA-të, Liga Arabe dhe BE-ja. Pas një sulmi në rezidencën e Gbagbos në Abixhan, qyteti më i madh i këtij vendi, nga forcat franceze mëngjesin e së hënës, trupat besnike të Ouatarës hynë dhe arrestuan Gbagbon, sipas zyrtarëve francezë, të Bregut të Fildishtë dhe atyre të OKB-së. Një zëdhënës i misionit të OKB-së në Bregun e Fildishtë tha se ka “konfirmuar që ish-presidenti, Laurent Gbagbo, i është dorëzuar forcave të Alasan Ouatarës dhe aktualisht është në duart e tyre”. Farhan Haq shtoi se misioni i OKB-së po “siguronte mbrojtje në përputhje me mandatin e tij”, citon “Reuters”. Mbështetësit e ish-presidentit, Gbagbo i mohuan deklaratat se operacioni është kryer nga forcat e Ouatarës, duke deklaruar se helikopterët sulmues të Francës dhe OKB-së kanë goditur pallatin presidencial dhe rezidencën e Gbagbos. Një rezolutë e Këshillit të Sigurimit ka miratuar në mars përdorimin e forcës në Bregun e Fildishtë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun dhe Presidenti francez, Nikolas Sarkozi, kanë akuzuar Gbagbon se ka përdorur armë të rënda kundër civilëve në përpjekje për të qëndruar në pushtet me forcë.

© Panorama.al

Te lidhura