Forcat e NATO-s që kanë marrë përsipër prej pak ditësh misionin në Libi, thanë se forcat e Muamar Gedafit po përdorin mburoja njerëzore në qytetin e betejës me rebelët, Misrata. Sipas zyrtarëve të NATO-s, forcat e kolonelit libian po përdorin automjetet e civilëve dhe i kanë fshehur mjetet e tyre të rënda ushtarake në zona ku jetojnë civilë. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu, tha për BBC-në se “Misrata mbetet prioriteti ynë”. Në një deklaratë të mëparshme, NATO i ka hedhur poshtë kritikat e rebelëve, të cilët janë ankuar se aleanca nuk po ndërhyn në kohën dhe vendin e duhur, por po i vonon sulmet e saj. Gjenerali Abdul Fatah Jounis i forcave rebele u ankua për burokracinë e NATO-s, pasi i janë dashur disa orë që t’i përgjigjej një thirrjeje për bombardime ajrore. “Po i lënë njerëzit në Misrata të vdesin çdo ditë e më shumë”, tha ai. Ndërkohë, ish-kongresmeni amerikan, Kurt Ueldon, ka shkuar në Tripoli për një vizitë personale, duke deklaruar se do ta bindë kolonelin që të tërhiqet. Thuhet se lideri libian Gedafi i ka dërguar një mesazh presidentit të SHBA-ve, Barak Obama, pas “daljes së SHBA-ve nga Aleanca koloniale e kryqëzorëve kundër Libisë”. Agjencia shtetërore libiane “Jana” nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e letrës, por Shtëpia e Bardhë e ka mohuar këtë njoftim. Rusia vazhdon të kundërshtojë ndërhyrjen e NATO-s. Moska po kërkon sqarime pas zërave se NATO do të japë asistencë ushtarake për opozitën libiane. “Kjo do të thoshte ndërhyrje në luftën civile, gjë që Këshilli i Sigurimit nuk e ka autorizuar”, tha një zëdhënës i Kremlinit.











