Samir Nasri kthehet në hero të Francës, duke shpëtuar paradoksalisht trajnerin Blank nga një tjetër turpërim shtëpiak, si ai i ndeshjes së parë në grup me Bjellorusinë. Mesfushori i Mançester Siti shënoi nga pika e bardhë e penalltisë golin e barazimit, duke i dhënë kështu Francës kualifikimin direkt për në Europianin e 2012-s. Bosnja e Safet Sushiç kaloi e para në avantazh që në minutën e 40-të pjesës së parë, falë Edin Dzekos dhe më pas u mundua më shumë që të kontrollonte lojën. Por sulmet e vazhdueshme të vendësve sollën në minutën e 77-të një penallti mjaft të dyshimtë, të dhënë nga arbitri skocez Tomson, e kthyer në gol nga Nasri. Dhe të mendosh se futbollisti ka qenë një nga më të kritikuarit e Blankut, aq sa në disa ndeshje ai është lënë edhe jashtë formacionit bazë, edhe pse konsiderohet si një nga lojtarët më të mirë të Francës, së bashku me Riberi dhe Benzema.
Francë-Bosnjë 1-1
Shënues: Nasri 77′ (p)/ Dzeko 40′
Kartonë të verdhë: Evra, Kabaje/ Papac, Mujdzha, Pandzha, Spahiç
Gjyqtarë: Kreg Tomson/ F.Andrjus dhe A.Ros (SKO)
Franca: Loris, Evra, Abidal, Rami, Kabaje (Gameiro 63′), Revejer, Nasri, Menez, Malouda (Martin 61′), M´Vila, Remi (Diarra 82′).
Trajner: Lorent Blank
Bosnja: Hasagiç (Begoviç 46′), Pandzha, Papac, Spahiç, Mujdzha (Maletiç 62′), Luliç, Rahimiç, Pjaniç, Misimoviç, Dzeko, Medunjanin (Zahiroviç 71′).
Trajner: Safet Sushiç.











