Naim Frashëri, apostulli i ndërgjegjes kombëtare dhe fara që mbolli nëpër Shqipëri e botë

May 19, 2025 | 9:14

naim frasheriNGA SEJDO HARKA

“Naimi dhe Shqipëria, dy rrahje në një zemër”
(Athanase de Thracy)

Këto ditë, poeti ynë i madh Naim Frashëri ka përvjetorin e 179 të lindjes. Janë të shumta qarqet letrao-artistike, që 25 majin, ditën e lindjes së tij, organizojn një veprimtari të dendur letraro-artistike, sidomos në Frashër të Përmetit dhe në Tiranë. Përveç konkurseve, konferencave, aktrimeve dhe koncerteve, zhvillohen dhe diskutime e analiza vlerësuese për këtë figurë të madhe të kombit dhe të poezisë shqipe. Në to Nami karakterizohet me superlativa, duke e quajtur: “ndërgjegja e kombit”, “Naim Shqipëria”, “mësuesi poetëve dhe i gjithë shqiptarëve”, “bilbil i gjuhës shqipe”, “model i vjershërimit”, “Homer i Shqipërisë”, “babai i letërsisë së Rilindjes Kombëtare”, epitete që janë përdorur shpesh edhe nga albanologë, poetë e studiues të mëdhenj të botës.

Për Naim Frashërin kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë edhe sot, shumë studiues: të historiografisë dhe të artit e letërsisë’; të gjuhësisë dhe estetikës, të besimit dhe të filozofisë, jo vetëm brenda kufijve tanë etnikë, por edhe përtej tyre. Për të është shkruar, në aq shumë libra e studime, sa që është e vështirë t’i numërosh. Kanë shkruar e folur shumë akademikë e dijetarë, poetë e shkrimtarë, kritikë, albanologë dhe estetë, sa do të duheshin faqe të tëra për t’i cituar. Ky fakt tregon interesin e madh që ka zgjuar dhe vazhdon të zgjojë, edhe sot e kësaj dite, jeta, vepra dhe vlerat e rralla universale të kulturës, artit dhe letërsisë së tij të papërsëritshme, dhe veçanërisht për kontributin e madh të Naim Frashërit për çështjen kombëtare shqiptare dhe për pavarësimin e Shqipërisë. Në thesarin e bëmave, kulturës dhe të artit të tij, janë të shumta vlerat gjithëkohore, edhe pse jetën dhe veprën e tij e kushtëzoi koha dhe rrethanat e vështira, kur kombi dhe vendi ishte i përçarë dhe i sunduar nga të huajt.

BOTIMET

Një nga librat më të mirë, kushtuar figurës së poetit të madh të Rilindjes Kombëtare, botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, nën kujdesin e Akademikut, prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, dhe përgatitur nga Mehmet Gëzhilli, është ai me titullin “Naim Frashëri në librin dhe në shtypin botëror”, të cilin e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve. Por, para se të përqendrohemi tek vlerat e padiskutueshme që evidenton libri dhe shtypi botëror për këtë figurë, të cilën nuk e nxënë dimensionet e trojeve tona, po citojmë, me pak fjalë, se ç’ka shkruar për Naim Frashërin, një nga studiuesit më të mirë të letërsisë dhe artit shqiptar, Jorgo Bulo: “Nga koha e Naimit, në kohën tonë, ka rrjedhur shumë ujë, kanë ndryshuar sisteme politike e kode morale, por ai ka mbetur përjetësisht apostulli dhe ndërgjegjja e kombit, referenca morale e palëkundshme e tij; kanë rënë e janë ngritur sisteme vlerash, por ai ka mbetur përjetësisht poeti kombëtar; arën e shqipes në këtë më se një shekull e kanë lëruar mbjellës të tjerë, por fara që mbolli ai, ka hedhur rrënjë të thella, dhe ai ka mbetur bilbili dhe shpirti i shqipes së sotme moderne; disa breza janë larguar nga kjo botë, por ai mbetet përjetësisht i gjallë. Ai është Shqipëria”. “Poeti pishtar, që ka thithur, jo vetëm mendjet dhe zemrat e gjithë shqiptarëve, por dhe të shumë dijetarëve dhe studiuesve të botës”. Kështu e karakterizuar Naimin, Akademiku Gjovalin Shkurtaj, në shënimet e tij, të vendosura në krye të librit, me titullin “Naim Frashëri në librin dhe shtypin botëror”.

Më poshtë ai, duke cituar Akademikun Rexhep Qose, nënvizon, se Naimi ka ndikuar tek populli shqiptar më shumë se çdo institucion shoqëror, kulturor dhe politik, sepse ai ka qenë dhe do të mbetet mësuesi i gjithë shqiptarëve. Ai ishte dhe do të mbetet edhe mësues i poetëve, krijues i fjalës shqipe, model i stilistikës dhe i vjershërimit në gjuhën shqipe, me theks të thellë kombëtar dhe atdhetar. Ndaj, Naimi është quajtur dhe vazhdon të quhet “Bilbil i gjuhës shqipe”. Nderimi për Naimin nuk është thjesht një ushqim shpirtëror për njerëzit, por edhe një gur që vihet në ngrehinën e një personaliteti të rrallë të kulturës, artit dhe letërsisë shqipe. Ashtu siç e kemi theksuar edhe më lartë, për të kanë shkruar edhe maja të larta të kulturës, artit dhe të letërsisë shqiptare si Noli, Konica, Qosja, etj. Kur Naimi u nda nga kjo botë, Çajupi shkruante, plot dhimbje, vargjet: “Vdiq Naimi, vdiq Naimi/ Moj e mjera Shqipëri/ Mendjelart’ e zemërtrimi/ Vershëtori si ai”, vargje, që besoj, se s’ka shqiptar të mos i dijë përmendësh.

VLERËSIMI

Për Naim Frashërin, për këtë personalitet të papërsëritshëm të Shqipërisë, vlerësimet me superlativa, nuk janë bërë vetëm nga shqiptarët, brenda kufijve etnikë, por dhe nga shumë dijetarë, albanologë, studiues, poetë e shkrimtarë nga e gjithë bota, deri në skajet më të largëta të rruzullit tokësor. Por, për të kuptuar, se, ç’shkruajnë ata, për këtë figurë të rrallë të kulturës, artit letërsisë dhe të kombit shqiptar, mjafton të shfletojmë librin: ”Naim Frashëri në librin dhe shtypin botëror”. Ky libër nis me poezinë “Zonjë-Madhja Shqipëri”, shkruar nga poeti francez Athanase de Thracy, në qendër të së cilës qëndron Shqipëria dhe poeti i madh Naim Frashëri. Vëmendjen ta tërheq, veçanërisht triptiku: “E bardha Shqipëri, me poet Naimin në gji/ Dy shkëlqime në një shpirt unik, pa ndarje/ Dy rrahje në një zemër të vetme! Plot mirësi”. Janë vetëm 3 vargje të thjeshtë, që shprehin një të vërtetë të madhe, që Naimi dhe Shqipëria kanë qenë dhe mbeten përjetësisht bashkë si “Dy shkëlqime në një shpirt unik” dhe “Dy rrahje në një zemër të vetme! Për poetin grek Janis Manika, vjershat e Naimit u bënë për shqiptarët, “gjëmime dhe ylber”.

Ato “lartësuan gjithçka: edhe gurë, edhe zemra, edhe drurë, edhe ëndrra”. Në këtë libër gjen edhe ngushëllime, që vinë nga gazetat italiane dhe të vendeve të tjera të kohës për vdekjen e Naimit. Për të treguar brendinë e tyre mjafton të përmendim njërën prej tyre: “O shqiptarë, çoni sot lule e derdhni lot mbi varrin e Naimit! Në këtë ditë dhimbjeje, ruani si gjërat më të shtrenjta: dashurinë, atdhetarinë dhe krenarinë, që ai ua dhuroi për t’i trashëguar ato brezpasbrezi! Ky do të ishte nderi më i madh që mund t’i bënit poetit profet të atdheut tuaj. “Në disa prej ngushëllimeve, që vinin nga bota, Naimi quhej babai i letërsisë së Rilindjes Kombëtare, sepse ato i shërbyen rizgjimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe bashkimit e vëllazërimit të shqiptarëve përreth trojeve etnike. Eruditi francez Luigi Beuloew, theksonte, se shqiptarët, kanë me kë të mburren. Ata, tashmë, kanë Homerin dhe Iliadën e tyre, që është Naimi dhe vepra e tij e madhe.(64) Në analizën që italiani Giussepe i bën veprës poetike të Naimit, thekson, se krijimtaria e tij poetike u këndon ndjenjave dhe virtyteve kombëtare.

“Parajsa”, e tij nxit bashkimin shpirtëror dhe fizik të gjithë shqiptarëve për të krijuar ndërgjegjen kombëtare. Prandaj, më poshtë, dijetari francez thekson: “Dhe kur një poet ngërthen shpirtin e tij me frymëmarrjen e popullit të tij, ai është i denjë që atdheu ta ngrejë në piedestalin qiellor, ku do ta adhurojnë hyjnitë e epërme.” Dhe këtë nderim të madh e meriton edhe Naimi, cili për bashkimin e shqiptarëve rreth atdheut, u drejtohet atyre përmes apostrofit poetik: “S’jemi, as turq, as kaurë, mos e thoni këtë kurrë,/ s’jemi grekër, as bullgarë, jemi vetëm shqipëtarë./ Kemi gjuhëzën tënë, Zot i madh na i ka dhënë”. Poezia e Naimit, e shkruar me një gjuhë të ëmbël, përshkruan, jo vetëm bukuritë e rralla të natyrës, por dhe atë të grave shqiptare, të cilat i quan “mbretëresha dhe pëllumbesha, me fëmijët e tyre si yje, shtrënguar në gji”. Gjuha shqipe, me të cilën shkruan Naimi, është një gjuhë perëndie, me mundësi të rralla shprehëse e figurative, plot bukuri e ngjyra emocionale. Aq bukur tingëllojnë fjalët poetike të Naimit, sa ato u ngjajnë rrezeve të dritës.

Ngjyrat e ndezura të gjuhës së vjershërimit të Naimit shfaqen edhe në vargje të tillë të rrallë, me të cilët karakterizohen virtytet e larta të shqiptarit: “Shqipëtari trim me fletë…/zën e kish si bilbili, faqet kish si trëndafili.”(68) Por, bukuritë më të rrallë të poezive të Naimit, Polillo i gjen tek vargjet: “Shqipëri, të qofsha falë! Të kam mëm’ e më ke djalë; Në gjit’ tënd ngrihem e bie,/ ti ke fuqi Perëndie.” Më poshtë ai thekson, se Naimi ishte i pari që shkroi librat shkollore për shqiptarët, i pari që u këndoi bëmave të Skënderbeut. Ishte ai, që diti të marrë eliksirën e poetëve të mëdhenj bashkëkohorë të Europës dhe panteizmin e letërsisë perse, të lëvruar nga Rumi, Hafizi dhe Sadiu. Gjermani K. A. Vagner, mes të tjerash thekson se, Naim Frashëri, dalëngadalë u bë mësues i Shqipërisë. Mallin, që ai ndjente për atdheun, e derdhi në poemën “Bagëti e Bujqësi”. Fuqi të madhe emocionale marrin thirrjet apostrofike poetike, drejtuar bukurive të rralla të natyrës shqiptare, maleve e fushave, pyjeve e gërxheve dhe bagëtive, që vendthit e tij mbajnë dhe ushqejnë, nëpërmjet të cilave zgjonte dashurinë dhe krenarinë shqiptare për Atdheun.

ALBANOLOGU

Albanologu i madh austriak, Norbert Jokli, i cili ka meritën që studioi dhe deklaroi i pari origjinën autoktone të gjuhës shqipe e dha kontribut të madh në fushën e etimologjisë së gjuhës shqipe, ka vlerësuar edhe kontributin e madh të Naim Frashërit për pasurimin e gjuhës shqipe me fjalë të reja. Mes të tjerash ai thekson:” Edhe pse, jo të gjitha fjalët e krijuara nga Naimi hynë në gjuhën letrare shqipe, tipologjia e krijimit të tyre, do të mbetet përherë model.” Albanologu N. Jokli vlerëson edhe punën e madhe që bëri Naimi për pastrimin e gjuhës shqipe nga huazimet e panevojshme. Sipas tij, Naimi dhe Kristoforidhi ishin dy ithtarët më të zellshëm për pastrimin e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja. Në mesazhin, që Jokli dërgon, me rastin e 100-vjetorit e lindjes së Naimit, përveç të tjerave thekson: “Ky përvjetor i N. Frashërit, është një nga ditët më të shënuara të kombit shqiptar”.

Për këtë albanolog të madh, dy nga veprat më të mira të tij janë “Qerbelaja” dhe ”Lulet e verës”. Veprat e tij janë bërë model i shkëlqyer, jo vetëm për poetët e Rilindjes, por edhe për brezat e poetëve të mëvonshëm. Kurse filologu arbëresh dhe historian i letërsisë nga Hora, Gaetano Petrota, në shënimet e tij për Naimin, shkruan: “Përmbi gjithë miqtë e Kristoforidhit dhe mbi të gjithë pararendësit e bashkëkohësit, si shqiponjë fluturon Naim Beu. Ai shkëlqeu me “Istorinë e Skënderbeut” dhe me përmbledhjen “Parajsa dhe fjala fluturake”. Këto vepra kanë, jo vetëm vlera atdhetare, por dhe vlera gjuhësore e stilistike dhe një frymë të thellë popullore e kombëtare. Veprat e Naimit karakterizohen nga ngjyrat e ndezura dhe hijeshia e rrallë e stilit. Konsiderata të larta jepen edhe për librin kushtuar kultit të Bektashinjëve, sidomos për filozofinë panteiste të Naimit, nëpërmjet të së cilës ai propagandon idenë, se Zoti, që ndodhet, si brenda tij, ashtu dhe brenda gjithë njerëzve të tjerë, është ai që i bashkon. Për bektashinjtë, gëzimi i jetës është, gëzimi që arrihet me ndershmëri dhe dashuri për Atdheun, mikun, shokun dhe gjithë të afërmit.

Njerëzit e të gjitha besimeve dhe racave janë vëllezër, mjafton që të jenë të arsyeshëm dhe të virtytshëm. Veprat e Naimit i kanë shërbyer përherë bashkimit të popullit, luftës për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe mbrojtjes e zhvillimit të gjuhës shqipe. Në librat e Naimit, gratë dhe burrat shfaqen trima e besnikë e me bukuri të rrallë. Për Naimin, në epokën e Skënderbeut, “luftëtar tjetër në Europë nuk kishte, veç Gjergj Kastriotit. Vetëm ai, me luftëtarët e tij shpëtuan Europën nga pushtuesit. Prandaj Naimi, për t’i bashkuar gjithë shqiptarët në luftë kundër pushtuesve, shkruan vargjet: “Gjith’ sa jemi shqipëtarë/ jemi një gjak e një farë…/ jemi vetëm shqipëtarë”’. Naimi, për ndriçimin e kombit, i jep rëndësi të madhe dijes dhe shkollimit. Prandaj, Petrara, vlerëson lartë thirrje të tilla poetike të Naimit:”O vëllezër shqipëtarë, ejani, tashmë, të mësojmë!”. Kujtime të rralla, tregon për Naimin, edhe Gjergj Çako nga Sheperi i Gjirokastrës.

Kur Çako e përgëzoi Naimin, i cili kishte mësuar përmendësh shumë pjesë nga krijimtaria e Virgjilit, ai i kishte thënë: “Të këshilloj, të bësh të njëjtën gjë edhe ti, pasi Vigjili ishte i vetmi mes autorëve të lashtë, që i deshi shqiptarët, dhe si magjistar parashikoi fatin e vendit tonë”. Naim Frashëri, thekson ai, ishte një ndër nismëtarët kryesorë të krijimit dhe frymëzimit të Lidhjes Shqiptare Kombëtare, e cila në vitin 1878 i drejton lordit anglez, në Kongresin e Berlinit, një kujtesë për pavarsinë e Shqipërisë. Për arbëreshin Gaetano Petrota, Naim Frashëri është një mjeshtër i madh i penës. Frymëzim për penën e tij u bënë: Zoti, natyra, njerëzimi dhe Atdheu. Ai beson te Perëndia, por beson edhe tek zotësitë e njeriut, i cili lufton të ngjitet deri në qëllimet e tij më të larta të qytetërimit dhe të përparimit. Por, që njeriu të përparojë, duhet të ketë edhe një gjuhë të bukur, të cilën duhet ta lëvrojë e pasurojë më tej, duhet të ndjejë solidaritet me njerëzit e tjerë dhe duhet të dijë të rrojë me ta në një shoqëri të ndërtuar mirë.” Mendimin e tij për poetin e madh të Rilindjes, albanologu Petrota, e mbyll me fjalët: “Naim Frashëri është themeli, mbi të cilin mbështetet i gjithë prodhimi letrar i ringjalljes kulturore dhe atdhetare shqiptare.”

EPOKA E RE

Albanologu austriak, prof. Maksimilan Lambrec, në studimet e tij për Naim Frashërin, më shumë prioritet i ka dhënë kontributit të tij si poet dhe atdhetar i madh. Mes të tjerash ai thekson :”Naim Frashëri, përmes krijimtarisë së tij të larmishme, e ndihmoi kaq shumë Shqipërinë dhe shqiptarët, saqë, e meriton të quhet themelues i një epoke të re letrare, me emrin Letërsi e Rilindjes Kombëtare.(120) Kjo letërsi, që lindi në zjarrin e luftës për bashkimin e shqiptarëve dhe pavarsimin e Shqipërisë, në fundin e shekullit XIX, për Lambrecin kishte karakter të thellë demokratik dhe popullor. Ndërsa albanologu suedez Stuart Man, thekson se, Naim Frashëri ishte më i shquari i tre vëllezërve si bashkëthemelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Edhe pse tërë jetën punoi në shërbim të Perandorisë Osmane, nuk pushoi, për asnjë çast, së punuari e propaganduari për çështjen e madhe kombëtare shqiptare dhe për bashkimin e pavarsimin e Shqipërisë. Naimi, edhe pse ishte i sëmurë, në vitin 1897, kur grekët përgatitnin sulmin e befasishëm mbi trojet shqiptare, ai bënte thirrjen e fuqishme: “Të luftojmë për Shqipërinë.” Ndërsa Turqinë e këshillonte të tërhiqej nga Shqipëria. Që në ato kohëra, Naimi besonte se çlirimi i Shqipërisë po afronte, ndaj i nxiste shqiptarët të përgatiteshin për atë ditë, e cila nuk do të ishte e largët. Për filologu italian G. Grandilone, poezia e Naimit është frymëzuar nga brendia dhe stili i krijimtarisë së Virgjilit.

Kjo duket qartë edhe në vargjet apostrofikë të tillë: “Fle ti shpres’ e Shqipërisë!/ mëmëdheu të ka shpresë,/ t’i përzësh mbren’ e Turqisë,/ që na i ka me të pabesë”.(137), ku shprehet protesta e Naimit kundër sulltanit pushtues. Gjermani Klaus Longe, thekson se tek figura e Skënderbeut, Naimi ka glorifikuar simbolin e bashkimit politik dhe kombëtar të shqiptarëve, në luftë për lrinë dhe pavarsinë e Shqipërisë. Për Naimin, drita e lirisë erdhi nga Skënderbeu. Nëpërmjet epokës dhe figurës së tij, ai kërkon të zgjojë krenarinë shqiptare, e cila, në kohën e pushtimit Osman ishte lëkundur. Ndaj Naimi shkruan:” Shqipëria kurdoherë/ ka qenë shumë e lëvduar/ ka patur burra të ndjerë,/ trima t’urt e të dëgjuar.”(142) Në poezitë e Naimit, thekson Longe, ekziston një lidhje e drejtpërdrejt mes dritës hyjnore dhe qytetërimit njerëzor. Gjuha e poezisë së Naimit, ka forcë karakterizuese për të mirën dhe të keqen. Për këtë mjafton të citosh vargje të tillë: “Një e madhe egërsirë,/ Duke dalë prej Asie/ U përhap si egërsirë / Dhe mbuloi botën si hije”, dhe kupton forcën tipizuese të pushtuesit barbar turk.

Për gjermanin K. Longe, Naimi me poezinë e tij bën thirrje të hapur për lirinë e vendit. Ai i këshillon bashkëkombësit e tij të nisin udhën e mbarë “, të mos rrinë në errësirë”. Por lirinë e vërtetë do ta gjejnë vetëm te “dita e diturisë”. Liria, në poezinë e Naimit, është sinonim i të vërtetës hyjnore, pa të cilën nuk ka liri dhe komb. Tradhtarët, pushtuesit dhe gënjeshtarët, për Naimin, janë njerëz të errësirës, që nuk e njohin të vërtetën hyjnore. Gjuha shqipe, për Naimin, është gjuha hyjnore. Prandaj shkruan:” Gjuha shqipe është gjuhë perëndie”. Për Naimin, ekziston një anfinitet i ngushtë mes kombit, gjuhës dhe të vërtetës hyjnore.

Albanologia ruse, Irna Varonina, vlerëson shumë poemën “Bagëti e Bujqësi”, ku shprehjen ndjenjat e larta humane të dashurisë së Naimit për Atdheun dhe natyrën e bukur shqiptare. Synimi i tij kryesor ka qenë zgjimi i vetëdijes dhe krenarisë kombëtare shqiptare. Varonina, këtë poemë e ka quajtur himn mahnitës për natyrën e rrallë të trojeve shqiptare. Përshtypje të thellë, asaj i kanë bërë: gjuha e bukur, me plot epitete e pasthirrma apostrofike dhe sintaksa e papërsëritshme poetike, plot rrezatime ngjyrash, për të shpalosur peizazhe fantastike të natyrës dhe virtyte të rralla të shqiptarëve, si trimëria e bujaria, besa dhe krenaria. Kurse albanologia ruse G. Ejntrej, vlerëson lartë tipologjinë e figuracionit poetik të Naimit.

Ajo thekson, se Naimi u nda nga romantizmi europian, për shkak të kushteve tipike të Shqipërisë së kohës. Naimi, në poezitë e tij thekson, se Skënderbeun e solli mbi trojet tona një engjëll, “shaluar mbi një re të zjarrtë”. Në poezitë e Naimit, figura e Skënderbeut hiperbolizohet qëllimisht, për të nxitur shqiptarët të ecin nën shembullin e tij, ndërsa forcat negative dhe pushtuesit vishen me ngjyra të turbullta, të zeza dhe të errëta, për t’i shpërfytyruar dhe urryer. Dashuria në poezitë e Naimit, në thelb, është platonike. Të dashuruarit shijojnë më shumë dhimbjen, që u shkakton dashuria, se sa kënaqësinë dhe lumturinë e vërtetë. Në poezitë e tij poetizohet më shumë bukuria e brendshme shpirtërore, sesa bukuria e jashtme.

KONCEPTI

Naimi ka një koncept universal ndaj të bukurës dhe dashurisë. Për albanologen Ejntrej, simbolika poetike e Naimit është më e pasur se ajo e poezisë klasike orientale. Ngjyra e kuqe te poezitë e Naimit ka lidhje me pasionin, me luftën dhe gjakderdhjen dhe me bukuritë e gjalla natyrore. Kjo studiuese e vlerave të krijimtarisë shumëplanëshe të Naimit, i mbyll shënimet e saj me konkluzionin se, persiatet e tij për Zotin, natyrën dhe njeriun, krijojnë një unitet organik të strukturës së tij poetike. Filologu arbëresh Italo Fortino, në studimin e tij për kulturën e Naim Frashërit, shkruan:” Ai është një shkrimtar që ka njohuri të gjera për kulturën perse, turke, greke, romake dhe kulturën europiane, sidomos të kulturës franceze dhe italiane.” Në filozofinë e Naimit, e mira dhe e keqja përbëjnë një dualizëm. Por, për Naimin, tek njerëzit e mirë mbizotëron fuqia hyjnore e Perëndisë. Kjo filozofi poetike e Naimit e gjen shprehjen në këtë varg: “E vërteta me urtësinë,/ e bën engjëll njerinë.”(224) Akademiku Iranian, Ali Akbar Zaipi, thekson se për Naimin “Universi dhe bota nuk ekzistojnë të pavarur nga drita e krijuesit të saj”.

Studiuesi dhe shkrimtari kanadezo-gjerman, thekson, se botëkuptimi bektashian i Naimit ka në qendër të tij kombin dhe atdheun. Studjuesi shqiptar, me banim në turqi, Nexhip Alpan, thekson, se Naim Frashëri, me gjuhën e bilbilit i ka kënduar, jo vetëm ”Fyellit”, por dhe shpirtit të njeriut, që u tret si qiriri për atdheun dhe kombin e tij. Në veprat e tij ka edhe histori, edhe shkencë. Ndërsa, Dino Kubatis, lindur në Athinë, mes të tjerash, thekson, se Naim Frashëri i këndoi zgjimit të ndërgjegjes kombëtare shqiptare dhe frymëzoi revolucionin popullor shqiptar, për të ngritur lart emblemën e lirisë së Shqipërisë. Për t’ia arritur këtij qëllimi të lartë, ai u bëri thirrje shqiptarëve, që të mos bëjnë dallime mes myslimanëve dhe të krishterëve, sepse ata kanë të njejtin gjak.(402) Së fundi mund të themi se Naim Frashëri, kjo figurë tepër emblematike, për shkak të emrit dhe veprës së tij të madhe, e shtrirë në çdo pëllëmbë të Shqipërisë dhe në çdo zemër të shqiptarëve, kudo që punojnë e jetojnë, sot nuk ka vetëm dimensionet e Frashërit të Përmetit, që e lindi dhe të Shqipërisë, por dhe të Europës e të gjithë botës. Këtë e tregon edhe fakti, që janë të shumtë studiuesit dhe dijetarët, të cilët kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë për këtë emër të rrallë të një vendi të vogël, por me një histori dhe kulturë të hershme./Gazeta Panorama 

© Panorama.al

Te lidhura