Procesi i fiskalizimit, që detyron karburantet të pajisen me kasa fiskale, në një farë mënyre ka nxjerrë jashtë loje pika të veçanta të udhëzimeve që janë miratuar nga Financat.Lidhur me këtë, Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure ka marrë nismën për t’i dërguar një letër ministrit të Financave, në të cilën i kërkon që të shfuqizojë ato udhëzime të cilat janë “nxjerrë” jashtë loje siç janë udhëzimi nr. 18, dt 18.06.2008, udhëzimi nr. 17. dt 11.05.2009 si dhe udhëzimi nr. 17/1 dt 5.08.2008. “Kryesia e SHSHH-së, vlerëson se pavarësisht nga roli që luajtën nga momenti i hyrjes në fuqi e deri sot me situatën e re të krijuar, që lidhet me fiskalizimin e plotë të të gjithë shoqërive që importojnë dhe tregtojnë hidrokarbure, këto udhëzime e kanë humbur rolin e tyre. Me përfundimin e fiskalizimit xhiro e kompanive tregtuese matet on-line dhe kësisoj bëhet i panevojshëm përdorimi i pikës 9.4 i Udhëzimit nr 18, datë 18.06.2008 ‘Furnizimi i karburanteve'”, thuhet në letrën drejtuar ministrit Bode. Ndërkaq, një tjetër çështje në të cilën ndalet kjo letër është ajo që lidhet me sqarimin e procedurave të caktimit të çmimeve, të cilat sipas SHHH-së shpesh keqinterpretohen. “Duam të shpjegojmë se në kushtet kur ka rritje çmimesh në mënyrë objektive (sikundër është duke ndodhur aktualisht në bursat ndërkombëtare) ky kuadër ligjor ekzistues lë shteg për propagandë abuzive, sikur rritja e çmimeve vjen nga kjo e drejtë që u është dhënë importuesve e prodhuesve në caktimin e çmimit në mënyrë vertikale”, detajon letra. Në këtë pikë kërkohet shfuqizimi edhe i udhëzimit 18 të Financave.
NERTILA MAHO











