Çmimet e karburanteve në vend, të kthyera në një nga temat më të diskutuara të momentit, janë thellësisht të ndikuara nga bursa dhe politika fiskale që zbatohet mbi kompanitë. Në një shembull të saj, Biznes Albania dje ka detajuar mënyrën se si llogaritet çmimi i karburanteve në vend. Sipas Biznes Albania, referencë për llogaritjen e çmimit të karburantit është bursa e Londrës dhe në 20 ditët e fundit nafta është kuotuar nga 1030-1070 USD/toni. Ndërsa monedha me të cilën veprohet në këtë bursë, USD, është luhatur për të njëjtën periudhë nga 97-99,5 lekë/USD. ” Çmimi 1037,25 është çmimi i bursës. Mbi këtë çmim rafineritë shtojnë fitimet e tyre, që në gjuhën teknike quhen “prime” mbi çmimin PLATZ, që varion sipas momentit, ngjarjeve, por edhe rafinerive të ndryshme dhe kontratave të lidhura, konkretisht nga 8-25 USD/ton. Le ta marrim për shpjegim 10 USD/ton. Transporti detar nga pikat e prodhimit deri te portet shqiptare (Petrolifera apo Porto Romano), aktualisht varion nga 28-40 USD/ton. Po e fiksojmë edhe këtë çmim në 28 USD/ton (niveli dysheme). Rafineria llogarit një shtesë të dytë, pasi standardi i densitetit për naftën e importuar është 0,845 sipas Inspektoratit Qendror Teknik. Kjo shtesë llogaritet: standardi 0,845/0,830 (densiteti i supozuar) x PLATZ + skaletion, shtuar edhe çmimin e siguracionit (0,5 USD/ton), që do të thotë 1056+18.74=1079,74 USD/ton. Ky është çmimi i parë i rafinerisë deri në portin bazë. Në llogaritjen e mëtejshme të kostos merren parasysh edhe: 10 USD/ton janë shpenzimet portuale, 10 USD/ton janë shpenzimet e përpunimit, ruajtjes në depozitë dhe tarifat e tjera si ajo e mjedisit, e zjarrfikëses, e peshëmatjes. Kjo do të thotë se një ton naftë tani kushton 1099,74 USD. Pra ky është çmimi me të cilin nafta hyn në depo”, shpjegon Biznes Albania.
Detyrimet fiskale
Çmimit të naftës i shtohen edhe kostot e tjera që paguajnë kompanitë që lidhen me taksat. Sipas Biznes Albania, detyrimet doganore llogariten me çmimin e PLATZ (CIF), pra duke përfshirë edhe transportin dhe janë të llogaritura (kursi i dollarit 97,2 lekë/USD), të barabarta me 106.434 lekë/ton. Këtij çmimi duhet t’i shtojmë 37 lekë/litër- taksa e akcizës, ose 44.400 lekë/ton akcizë, 3 lekë/litër-taksën e karbonit, ose 3600 lekë/ton, e cila së bashku me vlerën e detyrimeve doganore, llogaritet në 154.424 lekë/ton. Tatimi mbi vlerën e shtuar është 30.886,8 lekë/ton. Në përfundim, duke llogaritur të gjitha vlerat e mësipërme, një litër naftë del nga depozitat me çmimin 167,97 lekë.











