Nafta arrin në 181 lekë/litri, ulet konsumi i karburanteve

Apr 19, 2011 | 11:11

Dje, çmimi i naftës në Tiranë arriti 181 lekë për litër, kurse benzina mbi 185 lekë.Kjo është një nga ato ditë ku banorët preferojnë që t’i mbarojnë punët e tyre duke përdorur transportin publik, ose me ecje, duke i lënë makinat në shtëpi për t’i kursyer vetes ca para. Në fakt, çmimi i naftës në vend, i ndikuar nga bursa ndërkombëtare, e cila prej muajsh po pëson rritje drastike dhe ulje minimale, është rritur mjaft dhe ka ndikuar direkt te konsumi. Importuesit konfirmojnë se në ndryshim nga një vit më parë, gjatë tremujorit janar-mars 2011 janë importuar 25 mijë tonë më pak naftë. Ulja e konsumit është imponuar nga çmimet e larta, të cilat janë stakuar me një mesatare mbi nivelin 175 lekë/litër si për naftën, ashtu dhe për benzinën. Për presidentin e Shoqatës së Hidrokarbureve në Shqipëri, Luigj Alia, ulja e importeve ka ardhur për shkak të çmimeve. “Pa dyshim që rrija e çmimeve ka impaktin e saj në konsum. Tregu ynë ndikohet nga çmimet në bursë dhe nëse bëjmë një krahasim të çmimeve sot me ato të së njëjtës periudhë të një viti më parë vihet re një rritje e madhe. Kështu, nëse mesatarja e çmimit të importit për një ton naftë gjatë muajve janar-mars 2010 ishte 670 dollarë mesatarja, për janar-mars 2011 është 988 dollarë toni. Mjafton kaq që të bëhet diferenca”, shprehet Alia. Por, rritja e çmimeve ka ndikuar direkt edhe në koston që importuesve u duhet për të transportuar naftën nga vendi i blerjes në Shqipëri. Nëse një vit më parë, kostoja për të transportuar në rrugë detare një ton naftë ishte 25 dollarë, tani kjo kosto është 48 dollarë për ton. Gjithsesi, te kostoja e transportit shtohet edhe ajo për transportin brenda vendit nga njëra pikë në tjetrën. Përgjithësisht importuesit shqiptarë orientohen për blerjen e karburanteve në bursën e Londrës, e cila prej një periudhe të gjatë është duke mbajtur nivele mbi 120 dollarë për fuçi, e ndikuar edhe nga trazirat në Egjipt, Siri, Jordani dhe Libi.
Nga imponohet çmimi
Importuesit, çmimin e lartë të karburanteve që qarkullon në vend ua delegojnë kostove që duhet të paguhen gjatë rrugës nga blerja në tregjet e huaja, pra në bursë, deri te konsumatori final. Kështu, përveç efektit se si ndryshojnë çmimet në bursë, konsumatorit shqiptar i duhet që të paguajë edhe rreth 80 lekë kosto fikse, ku përfshihen taksat e vendosura nga shteti, siç janë akciza, çmimi i karbonit apo TVSH-ja. “Ne jemi të ndërvarur nga çmimet në bursë, por sigurisht, një pjesë të mirë të çmimit final e sjell si kosto edhe ajo që ne duhet të paguajmë si taksa dhe që në fakt e paguan konsumatori final. Në një përllogaritje të plotë, akciza, TVSH-ja dhe taksa e karbonit, së bashku me gjithë detyrimet e tjera, janë rreth 80 lekë për litër kosto për konsumatorin. Nuk jemi ne ata që duhet të kërkojmë uljen e taksave nëse mendohet se një gjë e tillë mund të ndikojë te çmimet. Ne paguajmë detyrimet që na takojnë dhe në këtë pikë ai që preket më shumë është konsumatori. Ajo që në fakt kemi ne në dorë është 6-7 për qind e çmimit final, ndërsa pjesa tjetër nuk është në dorën tonë për t’u ulur, pasi i përket kostos totale. Ne jemi munduar që në periudha të tilla të rishohim marzhin tonë të fitimit, i cili është 0.2 për qind e çmimit final”, shprehet Alia. Në këtë pikë duket se konsumatori nuk ka shumë zgjidhje. Duke ditur që është ai që paguan ndryshimet e çmimit në bursë dhe taksat që i vendosen biznesit në vend, i mbetet ose të bëhet kursimtar dhe të ulë konsumin, ose të marrë parasysh të harxhojë ca para më shumë.

Sipas importuesve

• 25 mijë ton naftë më pak janë importuar gjatë janar-mars 2011

• 80 lekë/për litër naftë është kostoja e taksave që paguhen

• 6-7 për qind e çmimit ndikohet nga importuesit

• 0.2 për qind është marzhi i fitimit për tregtarët

• 25 dollarë për ton ishte transporti detar një vit më parë

• 48 dollarë për ton është transporti detar aktualisht

• 670 dollarë është mesatarja e çmimit për një ton naftë në  3-mujorin e parë 2010

• 988 dollarë është mesatarja e çmimit për një ton nafta në 3-mujorin e parë 2010

Maqedonia ul akcizën për naftën

Qeveria e Maqedonisë miratoi dy ditë më parë uljen e akcizës për naftën dhe benzinën. Kjo masë pritet që t’i kushtojë këtij shteti 10 milionë euro, por do të ndihmojë në mbijetesën e shumë kompanive dhe bizneseve, si dhe do të ulë çmimet e ushqimeve. Sipas mediave maqedonase, vendimi do të ulë akcizën për benzinën 4 denarë për litër dhe të naftës 2 denarë për litër. Me këto ndryshime, çmimi i benzinës do të ulet 4.5 denarë për litër dhe çmimi
i dizelit 2.5 denarë për litër.

Nafta në bursë, 121 dollarë

Në bursën e Londrës nafta dje është tregtuar me një çmim 121 dollarë për litër dhe krahasuar me fillimin e ditës, ku çmimi ishte 123 dollarë, është vënë re ulje me 2 dollarë. Bursa e Londrës, ku blihet edhe një pjesë e mirë e naftës që sillet në Shqipëri, prej kohësh është nën ndikimin e çmimeve të larta që imponohen nga trazirat në Libi dhe vendet e tjera si Jordania e Siria. Çmimi në ditët më të këqija në këtë bursë ka arritur mbi 126 dollarë dhe prej kohësh nuk është parë çmimi nën 100 dollarë.

 

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura