Mungesa e sulmuesit kryesor, Daniel Xhafaj, i ka prishur tërësisht planet e skuadrës vlonjate. Trajneri Gugash Magani ka pranuar për gazetën se pa Xhafajn në fushë, është i detyruar të bëjë disa lëvizje në formacion.Nga mbrojtja në sulm, kuqezinjtë do të jenë ndryshe, jo thjesht për faktin se mungon një lojtar si Xhafaj, por Magani ka planifikuar të bëjë disa lëvizje dhe spostime të lojtarëve në pozicione. Formacioni ka dy hyrje të reja, teksa, sipas të gjitha gjasave, Grami dhe Shehaj do ta nisin nga minuta e parë, ndërkohë që Ahmataj pritet të luajë në mesfushë. “Më duhet të pranoj se dënimi i Xhafajt i ka ndryshuar planet e mia për sa i përket formacionit që do të zbresë sot në fushë. Skema jonë ishte e përqendruar te sulmi, ndërsa tani duhet të ndryshojmë taktikë, për të ndërtuar një mbrojtje të fortë. Pavarësisht kësaj, asgjë nuk ka ndryshuar për sa i përket objektivit që ka Flamurtari. Natyrisht, në ndeshjen e radhës, alternativa jonë e vetme mbetet fitorja. Në sulm kemi lojtar të tjerë si Plaku, Bajevski apo edhe Roshi e Shehaj, të cilët mund të shënojnë në çdo moment,”- ka argumentuar trajneri Magani.
Për të forcuar mbrojtjen, Magani i ka bërë një vend në krahun e majtë Gramit. Ky i fundit do të luajë titullar, ndërkohë që në mesfushë pritet të aktivizohet Ahmataj. Trajneri kuqezi beson te eksperienca e elbasanasit, ndërkohë që i sakrifikuari mund të jetë Progni, i cili me shumë mundësi do ta nisë nga stoli. Pjesa tjetër e mbrojtjes mbetet e pandryshuar, me Sakajn në të djathë dhe dyshen e zakonshme të qendrës, Brahja-Veliu. Në repartin e mesfushës ka vetëm një dilemë. Magani është i paqartë, nëse do të përdorë Devollin si titullar, apo Lenën. Të dy këta të fundit vijnë pas dëmtimeve, por që janë të gatshëm për këtë ndeshje. Gjasat janë që nga minuta e parë ta nisë Devolli, i cili është stërvitur këtë javë normalisht me grupin. Emrat e tjerë në mesfushë përbëhen nga Roshi në të djathë, Zeqiri në qendër dhe Ahmataj nga e majta. Ndërkohë, edhe sulmi ka dilema. I vetmi lojtar që e ka të sigurt formacionin është Sebino Plaku. Me skemën 4-4-2, kreu i pankinës vlonjate ka menduar t’i besojë një vend të riut Shehaj në krah të Plakut. Magani ka më shumë besim te forma që po kalon 20-vjeçari, se te eksperienca e Bajevskit.
Sakaj
Për pezullimin e Daniel Xhafajt ka reaguar edhe kapiteni i Flamurtarit, Artan Sakaj. “Po e përjetojmë këtë moment njësoj sikur të ishim në kohën e diktaturës, ku njerëzit dënoheshin për agjitacion dhe propagandë. Kjo situatë është shumë e turpshme dhe mbi të gjitha ajo që kishte ngelur pa na u bërë ne si ekip, ishte që të na dënohej lojtari më i mirë. Për t’u dënuar ishin lojtarët e Kastriotit, sepse i bënë ndërhyrje të qëllimshme Xhafajt. Ata meritonin karton të zi. Gjithsesi, ua bëjmë të qartë të gjithëve, se forca e Flamurtarit nuk mbështetet vetëm te një lojtar, por te gjithë skuadra. Tani që të gjithë po na provokojnë, edhe pse nuk i kemi borxh askujt, do të përgjigjemi vetëm në fushë”.
Magani: Po goditemi nga çdo anë, por ne fitojmë
Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, i pyetur për dënimin e Daniel Xhafajt, deklaroi se skuadra e tij po goditet nga të gjitha anët. “Ky është një dënim krejtësisht i pamerituar dhe për të goditur Flamurtarin me çdo mënyrë. Dikush ka goditur me grushte gjyqtarin dhe ka ndodhur gjatë këtij kampionati, por ka marrë vetëm dy javë pezullim. Të gjithë e dinë çfarë ndodhi në Ballsh, por lojtarët e ekipit kundërshtar nuk janë dënuar më shumë se dy javë, por ka edhe nga ata që janë falur. Edhe në ndeshjen e fundit duhet të dënoheshin futbollistët e Kastriotit, pasi këta të fundit kanë qenë iniciatorë të gjithçkaje. Megjithatë, pavarësisht se si shkon situata, ne jemi fituesit moral të këtij kampionati dhe që tani e ndjejmë veten kampion,”- ka deklaruar Magani.
© Panorama.al











