A po paguajmë vetë për fushatën elektorale? Po dhe pa mëshirë. Dy janë mënyrat më të dukshme dhe më irrituese të javëve të fundit: faturat e energjisë dhe çmimi i naftës. “Unë refuzoj të financoj investimet që do të bëni ju për fushatë. Nuk ju lejoj të më vidhni”, shkruante një koleg në ankesën zyrtare drejtuar mbledhësve të faturave për energjinë e papërdorur. Jeni çuditur edhe ju me faturën e fryrë të janarit apo të shkurtit? Marsi do të jetë akoma më keq. Fatura mujore prej 34 mijë lekësh të rinj për një apartament 2+1 duket e pabesueshme? Epo ja që është e vërtetë. Shumica dërrmuese e faturave të shkurtit janë të tilla, tre apo katërfish më të larta se muaji paraardhës. Përse kjo sjellje ndaj konsumatorit?
Vërtet tani sistemi i shpërndarjes dhe ai i furnizimit janë privatizuar, por kjo nuk do të thotë se varësia me institucionet shtetërore u shkëput. Përkundrazi. Se si dhe sa do të qarkullohen paratë e qytetarëve, është punë e brendshme e kontratë-shënuesve për furnizimin me energji; ama ai që do të paguajë, dhe do ta paguajë më shtrenjtë nga ç’i shkon imagjinata, është konsumatori. Ai i rregullti. Ai që paguan gjithmonë. Ata që nuk paguajnë, rezultojnë më të fituarit. Si prag fushate që është, bujari kryeministër ofroi edhe një amnisti për të gjitha faturat e papaguara deri në mars 2009. Shifra është rreth 38 miliardë lekë. Po energjia e konsumuar është blerë, është shpërndarë, është konsumuar, e kostoja e saj ka qenë e lartë. Amnisti nuk do të thotë thjesht “falje”. Amnisti do të thotë “votë” për zgjedhjet lokale, por edhe “dyfishim pagese” për paguesit e rregullt të energjisë.
Po pse kjo politikë? Epo si do të plotësohen ndryshe ato 38 miliardë lekë “të falura”? Ta lëmë mënjanë lojën e germave për furnizuesit e energjisë; këto para do të përfundojnë për financimet e fushatës elektorale. Në mos para në dorë, me to do të ndriçohen reklamat që do të mbijnë së shpejti rrugëve të qyteteve tona. Tabelat gjigande me fytyrat e burrave që do të kandidojnë duan ndriçim e zbukurim ekstra, që kërkon kosto të lartë. E kjo nuk do të mbulohet as nga partitë, as nga Operatori i Shpërndarjes. Jo. Këto shpenzime do të paguhen nga xhepat tanë, nëpërmjet faturave të fryra të energjisë. Në këtë kohë të shëmtuar vjedhjesh, qytetari i shkretë duhet të rimbursojë amnistinë për ata që nuk paguajnë dhe të financojë fushatën elektorale që ka filluar tashmë të na marrë frymën.
Çmimi i naftës është dhunimi tjetër i paskrupullt që po u bëhet shqiptarëve. Skandali me falsifikimin e eksportit të naftës jocilësorë e të papërpunuar që është shitur në fakt në tregun shqiptar, vazhdon akoma të ngelet në ajër. E megjithatë, lufta ndaj tij është përqendruar te peshqit e vegjël të industrisë së saj. Çmimi i naftës në disa pika karburanti në Tiranë shënoi sot mbi 180 lekë për litër. Po kjo është 1.20 euro, që i bie më shtrenjtë se në vendet e BE-së, të cilat marrin naftë të pastër e paguajnë taksa të vërteta. Konsumatorit shqiptar i mbushet serbatori me naftë me rërë e i zhvaten edhe të gjitha paratë e portofolit për të lëvizur deri në Durrës.
E cilat janë masat e marra për këtë abuzim skandaloz? Arrestohen dy anonimë dhe premtohet publikisht se do të vazhdojë mbikëqyrja “e rreptë” ndaj pikave të karburantit. Po ç’mbikëqyrje kur shpërndarësit e naftës janë financues botimesh, gazetash e reklamash që mbajnë gjallë shtypin partiak e ruajnë interesin e të gjitha palëve, përveç atij konsumator?
Financimi i partive politike ngelet një enigmë e pazgjidhur, që shpesh adresohet edhe nga raportet ndërkombëtare për Shqipërinë. Por, si konsumatorë, shqiptarët nuk kanë nevojë ta dinë se nga vijnë paratë për të bërë reklama super të shtrenjta televizive, për të bërë postera, pankarta, tabela ndriçuese, koncerte amatoreske ku të vetëshpallurit këngëtarë politikë marrin miliona lekë për një pseudo-këngë; të gjitha nga xhepat tanë vijnë. Çdo lek i mbipaguar apo i pamarrë në formën e shërbimeve apo investimeve publike aty depozitohet, te fondi për fushatë. Dhe me paratë e zhvatura nga vjedhjet, korrupsioni, përdorimi i fondeve publike, tjetërsimi i tenderëve, shkatërrimi deri në palcë i mundësive për të investuar për të mirën e të gjithëve, e së fundi, edhe rritja abuzive e çmimeve të energjisë dhe të karburantit, janë të gjitha mënyra që grumbullojnë paratë tona në xhepat e grisura të politikës.
Në Greqi ka nisur një lëvizje që kundërshton shpenzimet e politikanëve dhe rritjen e çmimeve për shërbimet ndaj qytetarëve, që nevojiten për të mbushur babëzinë e politikës. Është e udhës që të bëhet edhe në Shqipëri një lëvizje e ngjashme, sepse me financimet që vijnë përmes pagesave abuzuese ne vazhdojmë të mbajmë në pushtet njerëz që na vjedhin jo vetëm paratë, por edhe dinjitetin. “Nuk paguaj”, thonë fqinjët në lëvizjen e tyre. Dhe sipas kryeministrit, edhe në Shqipëri, po të mos paguash, del më i fituar. Po të paguash në mënyrë të rregullt, zhytesh në shpenzimet e tua e të të tjerëve, që t’i faturon qeveria.
E vështirë të besosh se sa shumë presin prej xhepave të qytetarëve të gjithë ofruesit e shërbimeve. Jo shumë. Gjithçka presin. Deri në kacidhen e fundit. Pastaj kërkojnë edhe vota e transparencë zgjedhore.
Zgjidhja e momentin që sugjeron kryeministri duket të paktën e arritshme: mos paguani, se të gjitha shanset janë që do t’iu falen pagesat e prapambetura pas dy vitesh.
E nuk ka 270 mijë familje me ndihmë ekonomike në Shqipëri, se shteti 96 800 të tilla paguan (sipas INSTAT-it, faqja zyrtare, shifrat 2010). Ndaj, këtë amnistinë e 174 mijë familjeve të tjera nuk kam pse ta paguaj as unë, as ata që kanë paguar deri sot.
Sa keq jemi fundosur!
© Panorama.al












