NGA GËZIM TUSHI
Duke debatuar për efektet dhe kundërefektet sociale e individuale të epidemisë së konsumizmit dhe raportet e reja të njeriut si qytetar dhe konsumator në shoqërinë e sotme shqiptare, në asnjë mënyrë kjo nuk duhet kuptuar apo akoma më keq interpretuar si ndonjë lloj recidivizmi për të ringjallur ndjenjat antihumane e kundërnjerëzore të asketizmit apo egalitarizmit. Përkundrazi, qëllimi është për të vlerësuar tendencat, prirjen, ecurinë e këtij ekuacioni social fundamental midis njeriut si qytetar dhe konsumator.
Ka kohë që shoqëria shqiptare në procesin e transformimeve demokratike të jetës, zgjerimit të liberalizimit të saj dhe individualizmit dhe personalizimit të sjelljes së njeriut, ka marrë plotësisht trajtën e shoqërisë së konsumit, të rindërtimit ndryshe të raporteve të shoqërisë tradicionale e kolektiviste të lidhjeve të njeriut me konsumin, me objektet dhe botën e gjerë të sendeve të përdorimit dhe konsumit. Kjo tipologji sociale dhe fenomenologjia e ndërtimit të raporteve dhe marrëdhënieve njeri-konsum është krejtësisht e ndryshuar, madje e përmbysur. Kjo sepse në mënyrë të shpejtë gjërat kanë ndryshuar në shoqërinë e sotme shqiptare, dhe për pasojë edhe konsumizmi është kthyer në “mit social” gjithëpërfshirës. Në këto kushte, realiteti i vetëm objektiv i konsumit është vetë dominimi gati absolute i idesë së konsumit.
Shoqëria jonë dikur e varfërisë, skamjes dhe privacioneve të konsumit minimal dhe jashtë rreziqeve patologjike të konsumizmit pasiv dhe për dukje sociale, tani kemi hyrë në shoqërinë në të cilën konsumi shfaqet si qëllim në vetvete dhe tendencë e fortë e njeriut modern, që hedonizmin e ka kthyer në stil jete dhe tregues të statusit simbolik si qytetar. Sepse konsumi në kohën e sotme sipas sociologëve të postmodernitetit është një “institucion i cilësisë së lartë, që sjell pabarazi ndaj objekteve të konsumit në kuptimin ekonomik, statusin social të individit si konsumator duke ndikuar njëherësh edhe në ndryshimin dhe dinamikat e lëvizshmërisë sociale. Nga një shoqëri me konsum të limituar, tashmë jetojmë në një shoqëri me nivele të konsumit të lirë, të personalizuar e të pakontrolluar nga askush përveç vetes.
Nëse distance e njeriut me nivelin e konsumit, për arsye politike, ekonomike e historike, ishte e determinuar në sasi e cilësi, tashmë shoqëria shqiptare është bërë modern dhe konsumiste dhe si e tillë krijon kushte dhe “…frymëzon një perceptim të botës përqark si një agregat produktesh për konsum të menjëhershëm”. Zygmunt Bauman “Moderniteti i lëngët”, f. 227 Sociologjikisht dhe realisht, raportet e qytetarit me konsumin kanë ndryshuar deri në përmasa të tilla, të paimagjinueshme tre dekada më parë, kur pikërisht ky raport i qytetarit me konsumin tashmë ka marrë një trajtë të re dhe shfaqet në formën e një “ideologjie” të kushtëzimit social të raportit qytetar-konsum. Aq shumë ndikuese, madje diktuese është bërë kjo “ideologji” e raportit qytetar konsum, sa që është ndoshta prirja më evidente, ontologjikisht e fortë, diktuese dhe imponuese në ndërtimin e marrëdhënieve materialiste e konsumiste.
Duke qenë fenomen social intensive, në zgjerim dhe në përmasa të agravuara, “ideologjia e konsumizmit” është bërë me ndikim social toksik dhe për pasojë është kthyer nga “ideologji e ditës” në patologji sociale të përgjithshme, e cila në shoqërinë e dikurshme ka qenë një tendencë eksentrike e pamundur të ekzistonte, qoftë materialisht për shkak të mungesave materiale objektive e financiare, apo edhe moralisht për shkak të ndikimeve të një lloj “ideologjie niveluese” determinuese në nivelin, sasinë dhe cilësinë e konsumizmit egalitarist, që ishte tipik për shoqërinë shqiptare të periudhës së socializmit. Sot jetojmë në kohë të reja, përballemi me realitete e determinime sociale të ndryshuara, kur idetë, ideologjitë, skemat morale e kanë humbur forcën e tyre “idealizuese”, përballë me procesin e materializimit të gjithçkaje, të raporteve humane dhe ideologjike. Materializimi i të cilave është një realitet i padyshimtë dhe ndoshta edhe i pamundur për të qenë shoqërisht i sfiduar.
Epidemia e konsumit të tepërt, të panevojshëm, herë për dukje publike dhe herë të tjera për të treguar status social, është në zgjerim të pakontrolluar, deri në nivelin kur njerëzit duken të “robëruar” nga objektet e përdorimit, duke qenë të përfshirë tërësisht në marrëdhënie të ngushta e të ngurta me botën e sendeve të konsumit. Por kjo tendencë sociale është e shoqëruar me pasojat e veta. Nëse shoqëria shqiptare e mbështjellë nga asketizmi dhe privacionet materiale në kohën e komunizmit, kishte më shumë ndjenjë sociale, solidaritet, humanizëm dhe ndjenjë më të zgjeruar komunitare, tani duket se zhytja integralisht në “kënetën e sendeve” të konsumit, i ka dëmtuar thellë, raportet e dikurshme ontologjike, instrumentet e socialitetit dhe sociabilitetit human. Sepse, jetojmë në kushte të reja, në një botë moderne e cila ka sjellë në skenë “njeriun konsumist” që ka sjellë pasoja edhe në lidhjet e marrëdhëniet sociale në shoqërinë e sotme shqiptare. Në këto kushte, “…të perceptosh botën, bashkë me banorët e saj, si një pishinë me sende konsumi, e bën jashtëzakonisht të vështirë negocimin e lidhjeve jetëgjata njerëzore”. Z. Bauman, “Moderniteti i lëngët”, f. 227
Parashikimi i sociologjisë modern për lidhjen midis nivelit të konsumit dhe tipologjisë dhe standardeve të lidhjeve njerëzore, tashmë është prezent, evident dhe me ndikim social edhe në shoqërinë shqiptare, në të cilën tashmë shfaqet i sigurt ekuacioni sociologjik që vërteton lidhjen e natyrshme të ndjenjës së konsumizmit privat me shpërbërjen e lidhjeve njerëzore. Kjo është arsyeja që është krijuar një dilemë sociale, si patologji që shfaqet jo vetëm në shoqërinë shqiptare, për të cilën sociologu francez Alaine Touraine ka shtruar pyetjen ekzistenciale: çfarë ndodh kur konsumatori zëvendëson qytetarin? A e rrezikon apo e ndihmon konsumizmi identitetin e subjektit? A ka kushte dhe mundësi që njeriu i kohës sonë të sigurojë autonomi, identitet dhe dinjitet përballë sistemit atë tregut anonim dhe konsumerizmit? Por për fat të keq, tendenca frenetike e konsumizmit me çdo kusht, materializimi i interesave, kanë sjellë si pasojë në mënyrë të dukshme dobësimin, madje në shumë raste dhe shpërbërjen e lidhjeve njerëzore në të gjitha strukturat e jetës sociale, në familje e jashtë saj, në komunitetet e ngushta dhe në shoqërinë si tërësi sociale. Efektet paralizuese, transformuese dhe individualizuese të tendencës për konsum sa më të madh, shpesh vanitoz dhe të “mbi ngopur”, kthimi i konsumizmit gati si ideologji e jetës së sotme shoqërore, që ka përfshirë gjithçka në kthetrat e saj, madje edhe njeriun dhe shoqërinë, ka krijuar njeriun që jeton i mbyllur dhe i kënaqur brenda “guaskës së senseve” materiale, duke harruar dimensionin social dhe komponentët e identitetit si qytetar aktiv dhe qenie me dimension social që është përtej nivelit të konsumit konkret. Sipas mendimit tim, duke parë zhvillimet e kohës dhe dialekikën e përmbysur të raporteve të qytetarit me konsumin duken qartë disa prirje sociale dhe tendenca retrograde super individualizuese të lidhura me natyrën e shoqërisë së konsumit, e cila në thelb, përmbajtje dhe formën e saj, po formatohet në mënyrë të tillë, që e dikton njeriun të përshtatet, të konsumojë dhe të mos kundërshtojë realitetin, por të luftojë e raskapitet në këtë tendencë konsumistike, në këtë shoqëri të konsumit të zgjeruar në të cilën sikurse evidentojnë sociologët e modenitetit, “numri i objektivave joshës që janë në ofertë nuk mund të shterohet kurrë”. Por nga ana tjetër, në vëzhgimin e përgjithshëm të marrëdhënieve të qytetarit me sendet e konsumit, duket sikur në këtë marrëdhënie ndërtohet një hierarki sociale konsumistike, një raport i personalizuar midis qytetarit dhe nivelit të konsumit, marrëdhënie të cilat herë shfaqen si inerci sociale dhe herë si detyrim jetik. Koha dhe tipologjia e shoqërisë së sotme shqiptare, me gjithë oshilacionet e nivelit të diferencuar material të qytetarëve dhe diversifikimit të potencialit të tyre ekonomikisht të personalizuar, në tërësi në vlerësim sociologjik duket qartë që gjendemi brenda standardit të modernitetit social, sepse sikurse thotë Jean Boudrillar (Bodrijar) “…jemi në atë pikë ku konsumi ka kapur tërë jetën”. “Shoqëria e konsumit” f. 29
Është plotësisht i shfaqur në shoqërinë tonë parashikimi që filozofi dhe sociologu Herbert Marcuse, (Markuze) i cili mendonte se shoqëria moderne është në një fazë që nuk e shtyp njeriun vetëm me dhunë por edhe “përmes kënaqësisë dhe konsumit”. Sipas tij, shoqëria e konsumit e ka kthyer konsumizmin si tendencë fatalisht të pashmangshme, kusht që e bën lumturinë materialisht të detyruar dhe treguesin e madh të njeriut të suksesshëm. Vartësia e qytetarit nga mekanizmi i tregut dhe atraksioni supermarketeve gjigande, krijon një lloj varësie, shpeshherë maniakale e patologjike të lidhur në mënyrë frenetike me këto “arterie tregtare apo vende gjeometrike të kamjes”. (Jean Boudrillard) Qytetari është në këtë vartësi i determinuar, qoftë si konsumator luksi apo si konsumues utilitar. Kjo mundësi e përzgjedhjes sipas mundësisë është e lidhur me reagimin specifik të konsumatorit, duke vendosur një marrëdhënie të personalizuar me konsumin e objekteve të tregut, duke e sjellë atë (qytetarin konsumues) deri në dëshirën e investimit maksimal dhe sa më afër me limitet ekzistenciale të potencialit të tij ekonomik. Sepse duam apo nuk duam realiteti është i tillë. Jetojmë në kohëra të reja kur shoqëria jonë “mendon dhe flet si një shoqëri konsumi”. Por duhet vlerësuar jo vetëm ana materiale e konsumit, por edhe trajektorja morale, sociale dhe edukative. Sepse, “Shoqëria e konsumit është gjithashtu një shoqëri e të mësuarit të konsumit, e edukimit social për të konsumuar…”. Jean Beaudrillar, “Shoqëria e konsumit”, f. 118
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












