Mitingu, plagoset militanti i PS në Njësinë Nr.5 në Tiranë

Apr 13, 2011 | 13:26

Një 16-vjeçar nga Selita e Tiranës u plagos me thikë gjatë një incidenti mes simpatizantëve të PS-së dhe atyre të LSI-së në Njësinë Bashkiake Nr. 5, në kryeqytet.Ali Doçi ka marrë një plagë me thikë në shpatull dhe është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku mjekët thonë se e ka kaluar rrezikun për jetën. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 18:00, pranë qendrës “Kristal” në kryeqytet. Mbështetësit socialistë kanë parakaluar para njësisë elektorale të LSI-së dhe më pas janë drejtuar për në qendrën “Kristal”, ku u zhvillua mitingu elektoral me praninë e Edi Ramës. Zyrtarisht Policia e Tiranës deklaroi mbrëmë se ngjarja nuk ka lidhje me fushatën elektorale dhe motivet e plagosjes nuk janë politike. Nga ana tjetër, simpatizantë të Partisë Socialiste dhe deputetë, përfaqësues të këtij subjekti, pretendojnë se plagosja është kryer nga militantët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas ngjarjes ka reaguar menjëherë deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, duke fajësuar drejtpërsëdrejti koalicionin PD-LSI, si shkaktar të plagosjes së adoleshentit. Ndërsa deklaratën e Gjermenit e ka hedhur poshtë LSI. Kjo forcë politike deklaroi mbrëmë se distancohet nga incidente të tilla.
NGJARJA SIPAS POLICISE
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, dje, rreth orës 18:00, pranë qendrës “Kristal”, para se të zhvillohej takimi elektoral i Partisë Socialiste, është plagosur me thikë shtetasi Ali Shkëlqim Doçi, 16 vjeç, banues në Selitë të Tiranës. Ai ndodhet për trajtim mjekësor në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe është jashtë rrezikut për jetën. “Me marrjen dijeni, menjëherë kanë ndërhyrë shërbimet e Komisariatit Nr. 2 të ndodhura aty pranë, që kanë bërë të mundur sekuestrimin e një thike, e përdorur si armë nga autori i ngjarjes. Nga veprimet e para hetimore rezulton se ngjarja ka ndodhur në grindje e sipër ndërmjet të dëmtuarit dhe disa moshatarëve të tij, dhe nuk ka lidhje me aktivitetin elektoral”, deklaron Policia e Tiranës. Burime nga policia thanë se u janë marrë deklarimet prindërve të të plagosurit, të cilët, gjithashtu pretendojnë se ngjarja nuk ka lidhje me politikën, pasi ata ndodheshin bashkë me të birin në një lokal në momentin kur ai ka debatuar me disa të rinj, të cilët më pas e kanë plagosur. Policia tha se janë identifikuar autorët dhe po punohet për arrestimin e tyre.
DEKLARATAT
Pas plagosjes së 16-vjeçarit, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Partisë Socialiste, që ka fajësuar për ngjarjen militantët e LSI-së. “Në një rrugëtim krejtësisht paqësor, mbështetësit tanë u sulmuan nga disa rrugeçër me thika në mënyrë të patolerueshme. Besojmë se ata që sulmojnë përbëjnë aleancën PD-LSI dhe paratë me të cilat paguajnë janë paratë e pushtetit. Kjo vërtet është një gjë që duhet ndaluar, ndërsa ne jemi për një fushatë paqësore dhe jemi kundër dhunës dhe agresivitetit”, është shprehur deputetja Eglantina Gjermeni. Ndërsa LSI ka hedhur poshtë deklaratën e deputetes socialiste, duke i kërkuar që të heqin dorë nga provokime të tilla. “LSI nuk ka lidhje me këto incidente. LSI fton nxitësit e këtyre provokimeve të heqin dorë. LSI do të vazhdojë fushatën e saj me programe dhe ide konkrete”, reagoi Petrit Vasili.

Dhunohet nipi i kandidatit të PS-së

BERAT- Incident elektoral në Berat. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së hënës në fshatin Gjoroven të komunës Velabisht. Shefit Shanaj, nipi i kreut të komunës Velabisht, përfundoi në spital, pasi u dhunua nga dy persona. Sipas 36-vjeçarit, ai është rrahur barbarisht nga dy të rinj, të afërm të kandidatit të koalicionit të djathtë. Kreu i PS-së, Selman Hodaj, u shpreh se “mercenarët e dërguar nga kandidati i koalicionit qeveritar të komunës së Velabishtit, kanë rrahur barbarisht anëtarin e PS-së. Shefit Shanaj”. Ndërsa kryetari i degës së PD-së, Arenc Berati, pohon se pas informacionit që ai disponon në lidhje me ngjarjen, kjo dhunë nuk ka lidhje as me Partinë Demokratike dhe as me LSI-në. Autorët e ngjarjes u shoqëruan në polici dhe, pasi u morën në pyetje, u lanë të lirë.                          d.xh

Korçë, digjen dy flamuj të PS

KORÇE – Shënohet incidenti i parë elektoral në qytetin e Korçës me djegien e dy flamujve të Partisë Socialiste në një prej zyrave elektorale të kësaj partie. Ngjarja që ka ndodhur në orët e natës në lagjen ” 8 ” të këtij qyteti, ka pasur si pasojë djegien e dy flamujve të PS-së të vendosur në shtylla elektrike, pranë një lokali ku funksionon një zyrë elektorale. Flamujt e PS-së janë konstatuar në mëngjes thuajse të shkrumbuar. Lidhur me këtë ngjarje reagoi fillimisht një përfaqësues i PS-së në Korçë, Petrika Tollkuçi, sipas të cilit djegia e flamujve ka qenë e qëllimshme dhe se policia, ndonëse ka marrë denoncim nga strukturat lokale të partisë, nuk ka reaguar për të gjetur shkaqet dhe autorët. Por, Policia e Korçës, nga ana e saj, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, duke konfirmuar djegien e dy flamujve të vendosur në shtylla elektrike, bëri të ditur se ka shkuar në vendngjarje dhe ka kontaktuar me përfaqësuesit e zyrës elektorale. “Policia po punon për identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje”, tha zëdhënësja e Policisë Rajonale të Korçës, ndërsa theksoi se përveç djegies së flamujve të PS-së nuk ka pasur asnjë dëmtim tjetër. Djegia e dy flamujve të PS-së ka sjellë edhe një reagim nga dega e PD-së në Korçë. Sipas saj, në këtë ngjarje nuk ka dorë asnjë militant i Partisë Demokratike dhe se ajo paralajmëron vetëm humbjen e kandidatit të PS-së për kryetar bashkie.                             g.a

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura