Mister shkaku i rrëzimit të avionit të “Air India”, ekspertët indianë drejt SHBA-së për analizimin e provave

Dec 6, 2025 | 16:46

India do të dërgojë ekspertë në SHBA javën e ardhshme për të analizuar së bashku me Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Transportit të SHBA-së (NTSB) të dhënat e mbledhura lidhur me rrëzimin e avionit të Air India-s në qershor.

air india

Sipas Bloomberg, ekspertët indianë planifikojnë të ndajnë gjetjet e tyre, përfshirë informacionet e përftuara nga regjistruesi i bisedave në kabinën e pilotëve, si edhe nga regjistruesit e të dhënave të fluturimit.

Kujtojmë se sipas raportit paraprak të hetimit të aksidentit, avioni po udhëtonte me 333 kilometra në orë dhe sapo ishte ngritur kur çelësat e fuqisë së të dy motorëve u kthyen nga pozicioni “i ndezur” në pozicionin “i ndërprerë”, me një sekondë diferencë. Raporti nuk specifikoi se nga kush.

Motorët humbën menjëherë të gjithë fuqinë. Raporti paraprak nuk përcaktoi fajin për aksidentin, por vuri në dukje se njëri nga pilotët e pyeti tjetrin pse e kishte ndaluar furnizimin me karburant të motorëve, ndërsa ai iu përgjigj se nuk e kishte bërë.

Aeroplani humbi lartësinë dhe u përplas me ndërtesat brenda gjysmë minute. Në mbeturinat e mbledhura pas rrëzimit, çelësat u gjetën të kthyer në pozicionin “në punë”.

Të dhënat nga regjistruesi i të dhënave të fluturimit tregojnë se motorët u rifilluan pak para rrëzimit, por ishte tepër vonë për ta parandaluar atë.

© Panorama.al

Te lidhura