Misioni i PE-së për zgjedhjet, eurodeputetët më 7 maj në Tiranë

Apr 29, 2011 | 10:35

Delegacioni i Parlamentit Europian, i kryesuar nga Eduard Kukan, do të mbërrijë në Shqipëri në datën 7 maj për një vizitë 3-ditore. Por, ndryshe nga ç’pritej, ky delegacion nuk do t’i vëzhgojë zgjedhjet, por do të vizitojë Shqipërinë pas kërkesës së qeverisë dhe disa prej subjekteve politike vendase. Këtë e ka konfirmuar për “Albanian Screen”, zyra e shtypit e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian në Bruksel, e cila thotë se “delegacioni do të ketë një mision më të rëndësishëm, do të jetë i pranishëm për të mbledhur informacion mbi gjithçka që ndodh këto ditë në vend”. Në përbërjen e tij do të jenë eurodeputetët Georgios Koumoutsakos, i grupit të Partive Popullore Europiane, Jutta Steinruck, e Aleancës Progresiste të Socialistëve, si dhe Michail Tremopoulos, i të Gjelbërve Europianë. Eurodeputetët do të kontaktojnë krerët e partive politike, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe vëzhguesit e huaj e vendas të zgjedhjeve lokale. Ata do të përgatisin me këtë rast një raport mbi konkluzionet për 8 majin. Raporti do t’i paraqitet Komisionit të Jashtëm, e më pas Parlamentit Europian. Gjatë qëndrimit të tij, delegacioni do të vizitojë disa qendra votimi në Tiranë dhe në zonat ku do të lëvizë. Ai do të largohet një ditë pas zgjedhjeve.

© Panorama.al

Te lidhura