MIRJETA BB4: “Nëse nuk ndryshon mendim për mua e ëma, unë heq dorë nga Marjeli”

Apr 2, 2011 | 13:30
Fotot janë realizuar fundjavën e kaluar nga paparaci ynë tek “Magic 4”

Ajo është në dilemë. Nëse do të vazhdojë lidhjen e saj ose jo me Marielin, gjithçka varet nga mamaja e tij Linda. Deri tani mendon se është paragjykuar, teksa rrëfen historinë e jetës së saj për 13 vjet në Londër. E diplomuar për ekonomi dhe me një eksperincë punë si menaxhere në hotele dhe lokale, tregon gjithçka për historitë e saj të dashurisë. Tri histori dashurie serioze, me një australian, anglez dhe një shqiptar. E përsërit me një shqiptar tjetër si Marieli, pasi i pëlqen që të martohet më një djalë shqiptar. Ja planet që ka bërë me të…
Mirjeta, tashmë ti je jashtë lojës së BB4. Pret sot që Marieli të fitojë BB4?
Në fakt, ndihem e emocionuar për Marielin, shpresoj shumë që ai të fitojë, pasi është djalë fantastik.
Në Youtube ekziston videoja e një akti intim mes teje dhe Marielit. Deri ku shkoi intimiteti juaj?
Në fakt, shumë gjëra ndodhën mes nesh, por për t’u treguar e sinqertë, nuk arritëm ta finalizonim marrëdhenien tonë, pra nuk arritëm të bëjmë seks. Për disa mund të quhet ajo që shohin një marrëdhënie seksuale, por për mua dhe Marielin kanë qenë vetëm lojëra. U frenuam disi, pasi si unë dhe Marieli jemi  shumë «crazy» dhe nëse do kishim lënë veten të lirë, do kishim bërë gjithçka, jo poshtë çarçafëve.
Sot Marieli del nga shtëpia, keni bërë ndonjë plan të dy se ku do të shkoni sot?
Po, kemi bërë një plan shumë special, dhe kemi vendosur të mbyllemi tri ditë rresht në hotel dhe të bëjmë çdo gjë që mund të arrijë fantazia jonë. Brenda shtëpisë kemi planifikuar një aventurë të tillë dhe do ta realizojmë patjetër.
Ndërkohë që ju kaluat një moment delikat, pasi u përballët me qëndrimin e mamasë së Marielit, si u ndjeve?
Më erdhi shumë keq për nga mënyra se si i foli Marielit, dhe u mërzita pasi ajo nuk më njeh. Mendoj se thjesht më ka paragjykuar, nisur nga fakti që unë jetoj jashtë prej 13 vitesh dhe mund t’i jem dukur si një vajzë jo serioze. Edhe pse jam rritur jashtë, unë kam nisur të punoj që 14 vjeçe dhe ruaj mentalitetin e femrës shqiptare. Kam dëshirë të krijoj familje, por edhe shumë dëshirë ta shijoj jetën, pa i prishur punë njeriu. Ndoshta ajo ka në përftyrimet e saj një femër, jo në tipin tim pa komplekse, e këtë unë nuk e di.
Kur e dëgjove, vendose të hiqje dorë ti apo të vazhdoje të luftoje për lidhjen?
Nuk e fsheh dot që u preka shumë, dhe mendimi i parë që më erdhi në mendje, ishte të shkëputesha menjëherë nga Marieli. Ai është shumë i lidhur me nënën  e tij dhe mendova që s’kam pse të hyj në mes, për një gjë që asaj s’i pëlqen.
Mamaja e Marielit dyshon për sinqeritetin tënd. A bëhet fjalë për dashuri mes teje dhe Marielit?
Unë nuk i vë faj në këtë rast, pasi ashtu mund ta ketë parë dhe ashtu mund ta kenë gjykuar. Por po ju them se ashtu si ajo dhe të gjithë të tjerët që mendojnë se unë nuk ndiej për Marielin, janë të gjithë gabim. E them këtë pasi isha unë ajo që e zgjodha Marielin. Në fillim, kur hyra, të gjithë djemtë brenda më vinin rrotull, por unë piketova Marielin, dhe ia thashë vetë e para se e pëlqeja. Pasi ia shpreha ndjenjat e mia, e lashë një javë të reflektonte, por ai qëndroi paksa i distancuar. Ndërkohë që nga ana tjetër ishte dhe Klaudia, që i kishte shprehur simpatinë, Marieli nga ana e tij dukej i afeksionuar pas Elisës. Megjithatë, po e them këtu që unë dhe Marieli ishim çifti i parë që u krijuam në BB4.
Ndoshta fakti që ia shprehe vetë e para pëlqimin, mund të ketë krijuar paragjykime dhe antipati tek mamaja e Marielit?
Ndoshta, pasi jemi mësuar që fjalën i pari ta thotë mashkulli, por ky është tipi im. Nëse më pëlqen dikush, unë nuk pres të ma thotë ai, pasi nuk dua që për pak guxim më shumë nga ana ime ta humbas dikë. Për mua nuk ka rëndësi kush e thotë i pari, vajza apo djali. Për mua ka rëndësi ndjenja. Për sa i përket sinqeritetit tim të vënë në dyshim, mund të them se ndoshta jam paragjykuar për faktin se unë jam natyrë më sportive dhe nuk jam tipi i romantikes që e shpreh dashurinë me letra e poezi, siç e bëri Marieli me mua. Por unë jam romantike në mënyrën time, në intimitetin që krijoj, apo në krevat.
Si do ta përshkruaje Marielin si natyrë, pasi e ke cilësuar në një moment të bashkëjetesës si mashkull që distancohet shpesh dhe nuk i del femrës së tij në krah ?
Marieli është i dashur, këtë gjë e di mirë dhe për sa i përket mospërfshirjes së tij 100 për qind në debate, ai këtë nuk e bën thjesht se ka zgjedhur të luajë djalin e pastër. Por në jetë e imagjinoj partner të mirë.

Si e imagjinoj takimin me mamin e Marielit

Si e imagjinon takimin me mamin e Marielit ?
Mendoj dy gjëra. e para e imagjinoj si një takim ku do t’i them se nuk e mora për keq atë që pashë në video, edhe pse mendoj se ka qenë një veprim i nxituar nga ana e saj. Nëse do të jetë kështu unë t’ia fal  të gjitha çfarë ajo ka thënë për lidhjen dhe shpresoj që ajo të ketë ndryshuar mendim për mua. Ndërsa varianti i dytë që imagjinoj, është një takim i ftohtë kur kuptoj se ajo nuk ka ndryshuar mendim, dhe në këtë rast më duhet të vendos për ta mbyllur lidhjen me Marielin…
Kaq shpejt tërhiqesh, mos ndoshta kjo do vërtetojë faktin që nuk ndien vërtet për Marielin ?
Jo aspak. Por kjo për faktin se e di që do jetë një betejë e humbur, që vetëm do më bëjë të vuaj. Unë e njoha Marielin brenda shtëpisë dhe kuptova që ai është shumë i lidhur me nënën e tij, ndaj e shoh si shumë të vështirë për të, që të dojë një femër tjetër më shumë se nënën e tij. Ndaj e theksoj nëse ajo do të ketë të njëjtin mendim, unë do të ndahem nga Marieli sepse nuk më pëlqen të hyj në mes të askujt. Nuk do ta vendos kurrë Marielin nën presionin e zgjedhjes mes meje dhe nënës së tij. Vetëm shpresoj që ajo të paktën të ketë dëshirën të më njohë.

Para Marielit kam pasur tre lidhje serioze

Ke lënë ndonjë lidhje jashtë shtëpisë, të paktën kështu u komentua kur ti ishe në lojë?
Jo absolutisht jo. Para se të hyja në BB4 unë isha « single », pasi i kisha dhënë fund dhe lidhjes sime të fundit.
Ke pasur lidhje të gjata në Angli, si kanë qenë historitë e tua të dashurisë dhe pse kanë marrë fund?
Kam pasur tre lidhje serioze të mëparshme duke filluar nga historia ime parë e dashurisë kur isha 17 vjeç. Atëherë kam qenë një vajzë shumë e urtë dhe i dashuri im i parë ishte një australian. Kaluam dy vite bashkë por u ndamë për shkak të largësisë. Pastaj jam njohur me një djalë anglez, me të cilin punonim bashkë në një palestër, një lidhje që zgjati 6 muaj. Lidhja ime e fundit ka qenë me një djalë nga Shkodra, me të cilin u ndava në shkurt të vitit 2010.
Ishte kjo lidhja që ti pohove brenda shtëpisë, se shkak për ndarjen ishte bërë familja e tij?
Po. Ne duheshim shumë, por familja e tij u bë shkak për ndarjen tonë pasi ishin besimtarë katolike nga Shkodra dhe nuk donin që të fejonin djalin me një vajzë të besimit mysliman, si unë. Më kategorik në rastin me të ishte babai i tij, i cili nuk e thyente këtë traditë që ata kishin pasi asnjëherë nuk kishin bërë krushqi me myslimanë.
Në një moment e cilësove Marielin “djalë mamaje”, të ndodh më shumë të njohësh djem të hedhur apo djem mamaje?
(Qesh) Çuditërisht pas meje dashurohen djem mamaje. Historikisht djemtë që më vënë syrin janë ata pa shumë eksperienca dhe që më shohin mua si mamanë e tyre. Edhe Marieli ma thoshte shpesh që “po më dukesh si mami im”…

 

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura