ARTUR LAZRI
Reforma Administrativo-Territoriale 2026 pritet të rikonfigurojë hartën e njësive të vetëqeverisjes vendore në Shqipëri.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë, i ngritur nga Parlamenti në tetor 2025, ka filluar punën dhe ka përcaktuar shtyllat kryesore ku do bazohet kjo reformë, por në themel mbetet aftësia dhe fuqia demografike, ekonomiko-financiare dhe menaxhimi i territorit e shërbimeve për qytetarët në çdo cep të territorit përkatës.
Panorama aktuale shqiptare e njësive të vetëqeverisjes vendore si subjekte kushtetuese në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë është e organizuar dhe funksionon në 2 nivele, njësia bazë është bashkia dhe njësia e nivelit të dytë është qarku, konkretisht janë 61 bashki dhe 12 qarqe, e bazuar në Reformën Administrativo-Territoriale të vitit 2014, ku duhet theksuar për hir të realitetit se ishte një reformë politike e njëanshme, pa një proces gjithëpërfshirës, pa komunikuar dhe pa i pyetur fare komunitetet përkatëse, ku kostumi territorial bashkiak i qepur enkas për interesa të politikës tregoi keqfunksionim financiar deri në falimentim të disa bashkive dhe keqpërfaqësim e keqmenaxhim të shërbimeve ndaj qytetarëve, pra jo vetëm nuk e zgjidhi problemin e ndarjes dhe administrimit të territorit, por e thelloi më tej, deri në largim të qytetarëve nga territoret përkatëse nga mungesa e theksuar e shërbimeve, kryesisht nga zonat rurale, në migrim brenda territorit kombëtar, ose emigrim jashtë Shqipërisë.
Me një mesatare popullsie prej 40 mijë banorësh për bashki, që është afërsisht 7 herë më e madhe se mesatarja e njësive të vetëqeverisjes vendore në vendet e Bashkimit Evropian dhe me një dis proporcionalitet të theksuar qarqesh, ku qarku i Gjirokastrës ka 59 mijë banorë në 7 bashki dhe qarku i Tiranës ka 758 mijë banorë në 5 bashki, si dhe largimin masiv të banorëve nga zonat rurale për mungesë shërbimesh, tregon qartë se Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2014 ka dështuar me sukses dhe reforma e re 2026 duhet të zgjidhë urgjentisht me profesionalizëm dhe drejtësi problemet reale vendore administrative e territoriale të shqiptarëve.
Karta Evropiane e Autonomisë Vendore, e cila është baza e vetëqeverisjes vendore, e nënshkruar nga Shqipëria më datë 27 maj 1998 thekson se bashkësitë lokale janë një nga themelet kryesore të çdo regjimi demokratik dhe se me autonomi vendore kuptohet e drejta dhe aftësia efektive e bashkësive vendore për të rregulluar e për të drejtuar, brenda ligjit, nën përgjegjësinë e tyre dhe në të mirë të popullsive të tyre, një pjesë të mirë të çështjeve publike.
Decentralizimi, si një e drejtë shërbimi e përgjegjësie brenda territorit bashkiak, jo vetëm nuk u thellua më tej me shërbime konkrete, por kaloi në krahun e kundërt tek centralizimi i shërbimeve jetike si, uji dhe energjia elektrike, patjetër si kontroll politik punonjësish dhe shërbimi për dhe në krah të politikës shqiptare dritëshkurtër.
Parimi i subsidiaritetit, parimi dhe realiteti që ruan autonominë vendore, rrit efikasitetin e vendimmarrjes, si dhe forcon demokracinë duke i marrë vendimet më afër qytetarëve, u nëpërkëmb si konflikt kompetencash e varësie mes qeverisë qendrore e vetëqeverisjes vendore, që të mos fuqizohej kjo e dyta, por varësia të vazhdonte derisa Bashkimi Evropian e kërkoi domosdoshmërish si bazament i integrimit europian strukturor të Shqipërisë.
Panorama evropiane e njësive të vetëqeverisjes vendore tregon tjetër diversitet përfaqësimi administrativ e territorial.
Me një mesatare prej 6 mijë banorësh për njësi të vetëqeverisjes vendore në vendet e Bashkimit Evropian, vende si: Franca, Italia, Gjermania, Çekia, Austria etj., kanë shumë komuna të vogla në numër banorësh, duke i dhënë peshën e duhur historisë, shërbimeve dhe vazhdimësisë humane në vendbanimet e tyre gjenetike. Nga ana tjetër, vendet nordike bazohen në njësi të vetëqeverisjes vendore të mëdha në territor dhe numër të madh banorësh, por patjetër prevalon fakti se vendet nordike spikasin për demokracinë reale vendore, autonominë financiare dhe decentralizimin faktik të shërbimeve për qytetarët, brenda territorit të tyre.
Shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kanë aktualisht prioritet rajonin në vend të qarkut, në nivelin e dytë të vetëqeverisjes vendore, si element efikas në aplikimin dhe zbatimin e projekteve të B.Esë, me kompetenca të plota financiare dhe zgjedhore, në sintoni të plotë me bashkitë dhe komunat vendore.
Pas panoramës analitike shqiptare e evropiane të njësive të vetëqeverisjes vendore, analizojmë një bashki e krahinë me rëndësi historike etnografike, e cila në këndvështrimin real është padrejtësia më e madhe e reformave mbi administrimin terrritorial në Shqipëri.
Mirdita, bashkësia lokale e ndarë padrejtësisht.
Aktualisht, Bashkia Mirditë ka një territor prej 870.26 km².
Territori i kufijve të Mirditës së plotë natyrale gjeografike e etnografike me 12 njësitë identitare të saj të unifikuara është 1715 km².
Mirdita, një krahinë me identitet të qartë e të shuguruar historikisht ka aktualisht një territor me sipërfaqe prej 870.26 km², nga 1715 km² territor i plotë administrativ që kishte kohë pas kohe, në ndarje e bashkim deri në vitet 1947 e 1958, ku ndodhin ndarjet më të thella nga territori i saj, thuajse ½ e territorit natyral.
Mirdita natyrale etnografike me 12 njësitë e saj identitare (bajrakët): Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Fani, Dibri, Selita, Kthella, Rraza, Kryezezi, Bulgri, Vela dhe Manatia, ka kufijtë e mëposhtëm territorialë:
“Si bashkim 12 bajrakësh (apo krahinë etnografike), Mirdita shtrihet në Jug-Lindje të Shkodrës dhe Vau i Dejës shënon cepin Veri-Perëndimor të saj. Që andej kufiri me Shkodër e Lezhë ndjek kreshtën e vargmaleve drejt Jugut nëpër Shitë, Kreshtë, Velë, Molung deri sa arrin në Trodhen, e cila e ndan nga Kruja dhe është skaji Jug-Perëndimor i Mirditës. Nga Trodhna vijon kufiri me Mat dhe kthehet për në Veri, duke zbritur gjatë zallit të Karicës, ku derdhet Uraka në Mat, nëpër Zallin e Gjoçajve del në livadhin e Pelave në kufi me Dibër, që është skaji Jug-Lindor i Mirditës. Prej andej, kufiri me Dibër vijon kreshtave të maleve drejt Veriut, duke kaluar nëpër majën e Kunorës, zbret në Qafë të Mërkurthit, pastaj ngjitet në Frash e në Gur të Kuq dhe duke përfshirë katundin Lajthizë të Oroshit, ngjitet në majë të Zepës ku ndanë me Lumë e zbret në Qafë të Kumbullës që është cepi Veri-Lindor i Mirditës. Nga Qafa e Kumbullës nis kufiri me Pukë e vijon drejt Veri-Perëndimit e del në Qafë të Malit, që është pika më veriore e Mirditës. Nga Qafa e Malit, kufiri me Pukë zbret në rrjedhën e sipërme të Fanit të Madh, deri në Lum-Shtyllë, pastaj ngjitet në Sukën e Zezë, kalon nëpër Majën e Thatë mbi Livadh Kabash, ku merr drejtim Jug-Perëndimor dhe duke lënë malin e Tërbunit në anën e Pukës, pak pa arritur në fushën e Qershisë, del në Ndërmjetës. Prej Ndërmjetësi, duke kaluar nëpër Gomsiqen e Vogël e të Poshtëme bie në katundin Mëdhue e zbret në lumin Drin”, – prof.dr. Pal Nikolli: Mirdita në vështrim gjeohartografik, Tiranë 2006.
Mirdita etnografike me territorin e saj natyral prej 1715 km² ofron një perspektivë zhvillimi reale demografike, ekonomiko-financiare dhe menaxhimi territori e shërbimesh ndaj qytetarëve, bazuar mbi gjenezën e qëndresës historike.
DEMOGRAFIA
Bashkia Mirditë, si njësi e vetëqeverisjes vendore në Shqipëri, në territorin e sotëm prej 870, 26 km², ka një popullsi prej 34 mijë banorësh, sipas gjendjes civile.
Mirdita etnografike me 12 njësitë e saj të mëdha natyrale, të unifikuara në kohët e mëparshme si bajrakë, ku gjysma e njësive janë aktualisht të shkëputura nga Mirdita, përbën një popullsi përafërsisht mbi 60 mijë banorë, sipas gjendjeve civile në njësitë administrative përkatëse.
Ky numër popullsie, në rastin e bashkimit territorial e administrativ, do ishte i mjaftueshëm për një bashkësi lokale me identitet të qartë e funksional.
ZHVILLIMI EKONOMIKO-FINANCIAR
Shpopullimi në zonat rurale të Mirditës aktuale të copëtuar, si pasojë e mungesës së investimeve ka sjellë uljen e fuqisë blerëse dhe konsumuese.
Mirdita e sotme etnografike ka fuqi të jashtëzakonshme zhvillimi ekonomik dhe turistik, duke u bazuar në asetet e saj prodhuese në fushën e mineraleve, pyjeve, energjisë hidro, fotovoltaike dhe eolike, si dhe në fushën e turizmit në bujtina e resorte agroturizëm, por duhen rishikuar me patjetër rentat dhe taksat e qeverisë qendrore të kompanive të mëdha, në favor të fuqizimit të vetëqeverisjes vendore.
Kontributi i Mirditës në GDP-në kombëtare me gjysmën e territorit të saj, shkon përafërsisht mbi 300 milionë dollarë në vit.
Në momentin e bashkimit administrativ e territorial të Mirditës etnografike, ky kontribut ekonomik mund të shkojë mbi 600 milionë dollarë në vit, në GDP-në kombëtare.
MENAXHIMI I TERRITORIT DHE SHËRBIMEVE
Territori i Mirditës etnografike i cili shkon në 1715 km², padyshim që paraqet sfidë dhe vështirësi menaxhimi, sidomos në zonat e thella rurale, por me fuqizim të kompetencave të njësive administrative, me efikasitet administrate lokale e vendimmarrje pranë qytetarëve dhe investimi real, kthen besimin dhe shërbimet e duhura jetike dhe funksionale për banorët në çdo cep të territorit të saj.
Vizioni jetëzues i zhvillimit demografik, ekonomiko-financiar dhe territorial, përtej interesave dritëshkurtër.
Reforma Administrativo-Territoriale e vitit 2026, duhet të ketë vizionin dhe profesionalizmin që të japë mundësi të njëjtë dhe vlerë të shtuar për secilën nga 3 bashkitë e Qarkut Lezhë.
Padrejtësitë historike territoriale duhet të rishikohen duke përfshirë edhe pjesën bregdetare afërsisht të njëjtë për të tre bashkitë e qarkut.
Me vetëm një njësi administrative, për shembull Nj.A. Shënkoll, aktualisht pjesë e Bashkisë Lezhë, Bashkia Mirditë ashtu si Bashkia Lezhë dhe Bashkia Kurbin, do kishte mundësinë reale për akses, menaxhimin dhe zhvillimin e turizmit bregdetar. Në këtë mënyrë paqtohet padrejtësia historike ndaj krahinës së Mirditës, vihet në vend drejtësia etnografike, demografia, autonomia vendore financiare dhe demokracia e vërtetë e Vetëqeverisjes Vendore Mirditë.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












