Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave për vitin 2025, qeveria miratoi një akt normativ që parashikon mbështetje financiare për familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar, duke u dhënë një bonus fundviti prej 15 mijë lekësh ose 150 euro.
Ministri i Financave, Petrit Malaj bën me dije se do të përfitojnë rreth 148 500 qytetarë me një fond total prej rreth 2.2 miliardë lekësh.
Po ashtu, ai bëri me dije se kanë marrë edhe një vendim lidhur me fondet që nuk do të përdoren nga ministritë apo institucionet buxhetore, të cilat do të kalojnë në Fondin e Veçantë për pensionet pranë Bankës së Shqipërisë. Kjo shumë, theksoi ai, që vlerësohet të arrijë në 150 milionë euro, do të përdoret për reformën e pensioneve.
“Nga një vlerësim paraprak që ka bërë ministria e Financave vlerësohet se shuma e cila minimalisht do të kalojë në këtë llogari do të jetë 150 mln euro. Kjo shumë do të përdoret për reformën e pensioneve. “, u shpreh ministri.
Po ashtu përmes këtij akti normative, do të mbështetet edhe sektori i bujqësisë.
“Fermerët do të përfitojnë një shumë prej rreth 2 mld lekë shtesë nëpërmjet skenave mbështetëse. Në total fondi i alokuar për vitin 2025, ku fermerët kanë përfituar drejtpërdrejt shkon në 6.4 mld lekë krahasuar me 5.3 mld në 2024.”, shtoi ai.
Shëndetësia do të përfitojë gjithashtu, si edhe pushteti vendor.
“Shëndetësia është një tjetër sektor që do të mbështetet, ku do të përfitojë 18 milionë euro shtesë, mbështetje për ilaçe në spitale. Edhe pushteti vendor do të përfitojë gjithashtu, duke u mbështetur me rreth 1.2 miliardë lekë shtesë, fonde të cilat do të përdoren për të shlyer detyrimet më të vjetra të prapambetura. Në total vlera që po i alokojmë pushtetit vendor është e barazvlefshme me rreth 40 përqind të totalit të detyrimeve të prapambetura që kanë këto bashki.”, shtoi ai.
© Panorama.al












