
Partia Komuniste e Shqipërisë çeli dje fushatën për zgjedhjet vendore të 8 majit. Baza dhe anëtarët e saj kanë prezantuar kandidatin e saj, Hysni Milloshi, si njeriun më të denjë për të fituar Bashkinë e Tiranës. Pasi ka vlerësuar gjakun dhe veprën e të rënëve për çlirimin e Shqipërisë, gjak që sipas tij i dha dritë Shqipërisë, të cilën sot politika po e keqpërdor për interesat e veta, Milloshi shpjegoi arsyet që e çuan drejt kandidimit për kryetar bashkie për Tiranën. “Unë kandidoj për kreun e Bashkisë së kryeqytetit, duke rrezikuar dhe autoritetin tim. Megjithatë, dhe autoriteti dhe emri im është një zero para emrit dhe autoritetit të Partisë Komuniste. Unë u futa në këtë betejë për të shprehur sa të jetë e mundur alternativën komuniste, pa menduar dhe pa u shqetësuar për këtë gjë, por synimi im është të arrijë atë objektiv që partia i ka vënë vetes”, tha Milloshi, ndërsa kërkoi votën e papunëve, të pastrehëve dhe të gjithë atyre që kanë humbur besimin te partitë e mëdha. Ai deklaroi i bindur se Partia Komuniste garon jo si e barabartë, por gjithsesi kjo forcë politike ndihet e lumtur nëse ato vota që do të marrë, do të jenë vota komuniste dhe vota që nuk janë mashtruar nga llokma e pushtetit dhe e parave të kandidatëve të tjerë. Ndërkaq, Milloshi ka mohuar kategorikisht ndihmën politike të ndonjë partie tjetër ku ai të hynte në garë për kryetar Bashkie. “Është folur këto ditë që ne na ndihmoi një parti për të konkurruar, por kjo është një gënjeshtër e madhe, sepse ne, për shkak të Kodit, nuk garojmë në të gjithë Shqipërinë. A ka njeri që ta besojë këtë? Kush na ka ndihmuar në këto 20 vjet të ashtuquajtur demokraci? Ne krejt të vetëm kemi mundur të përballojmë këto sfida dhe krejt të vetëm do t’i përballojmë në të ardhmen. Por në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke shpresuar që do të ndryshojë Kodi, do të tregojmë forcën tonë reale në të gjithë vendin”, tha Milloshi, ndërsa më pas akuzoi Partinë Socialiste se e ka shfrytëzuar nëpër zgjedhjet e kaluara. Sipas tij, PS-ja ka fituar shumë herë nga votat e PKSH-së dhe me Kodin e kaluar ajo dilte në balotazh. Më pas i fitonte garat pikërisht nga këto vota. “Pavarësisht kësaj, PS-ja është e majtë në fjalë dhe e djathtë në praktikë, kurrë nuk u tregua e mirë me ne, por gjithmonë na ka shfrytëzuar. Këtë po e bën edhe tani. Si ka mundësi që ne na thuhet që do të ndihmojmë Sali Berishën sot në zgjedhjet vendore dhe nesër në ato të përgjithshme? Ne dalim në këto garë jo për të ndihmuar Sali Berishën, por sepse kemi duruar boll 20 vjet dhe tani PS-ja ka frikë se mos humbet votat e komunistëve”, deklaroi Milloshi, ndërsa u bëri thirrje edhe njëherë qytetarëve të japin votën e tyre për PKSH-në.
Milloshi: Debat publik me Ramën e Bashën
Kryetari i Partisë Komuniste, njëkohësisht edhe kandidat për Bashkinë e Tiranës, Hysni Milloshi, kërkoi dje përballje publike me dy rivalët për këtë institucion. “Unë do të propozoja që unë dhe dy kandidatët e tjerë, Lulëzim Basha dhe Edi Rama, të dilnim në një debat, ashtu sikurse u ka hije vendeve me demokraci të zhvilluar dhe të flisnim për alternativat që ne japim dhe më pas këtë ta vendoste populli”, tha Milloshi. Ai shtoi i bindur se, pavarësisht rezultatit, në fund fitimtarë do të dalin komunistët, duke argumentuar se “ne jemi besimtarë në fjalën e dhënë, dhe jo hileqarë, siç bëjnë ca e ca, që fshihen pas partive të tjera”.











