Milioneri VIP Adrian Gaxha, në shënjestër të hajdutëve

Apr 16, 2011 | 15:25

Disa muaj më herët kemi shkruar për vilën e këngëtarit, e cila kishte kushtuar një shumë të madhe parash, kurse këtë radhë zbulojmë  arsyet pse këngëtari vendosi të ndërtojë vilën e studion muzikore dhe shumë detaje të tjera.

PROBLEMET ME BANDITËt
Popullariteti, jo gjithmonë të ndihmon në jetën e përditshme, në raste të ndryshme e paguan shumë shtrenjtë famën e fituar. E njëjta gjë ka ndodhur dhe me këngëtarin shkupjan Adrian Gaxha, i cili njihet për luksin në të cilin jeton dhe shumë shpesh ka ndodhur që të jetë pre e banditëve lokalë, të cilët nuk e kanë lënë të qetë nëpër qytet. Një rast ka të bëjë me makinat e tij, të cilat gjithmonë kanë qenë në shënjestër të hajdutëve. Për shkak të xhelozisë ndaj këngëtarit, ata duke mos mundur t’i bëjnë keq Adrianit, kanë dëmtuar makinat e tij.  Siç tregojnë burimet tona, pak kohë më parë këngëtari ka pasur një makinë tepër luksoze, e cila ka qenë gati e vetmja në gjithë rajonin e Shkupit. Për arsye se Adriani ka qenë i njohur,  e ka pasur shumë të vështirë të fshihej, dhe gjatë kohës që ka jetuar në një apartament, çdo mëngjes ka gjetur makinat e tij të dëmtuara dhe me goma të çara. Për këto raste i është dashur shpesh të paguajë shuma të mëdha parash për rregullimin e tyre, sepse siç dihet, makinat e shtrenjta kanë fatura të kripura. Duke mos pasur mundësi tjetër dhe duke vërejtur që policia nuk po bën asgjë në këtë drejtim, familja e këngëtarit u detyrua të blejë një tokë në periferi të qytetit, duke ndërtuar një vilë të madhe në të cilën janë vendosur gjithë pasuria e luajtshme, si dhe familja Gaxha.

VILA 1 MILION EURO, STUDIO MUZIKORE 50 MIJË EURO
Për vilën e re të këngëtarit kemi treguar disa muaj më herët. Ajo ka kushtuar rreth 1 milion euro, me gjithë investimet brenda. Përveç vilës, aty në tokën e blerë këngëtari ka rregulluar edhe studion muzikore, në të cilën është duke punuar për albumin e tij të ri, i cili pritet të lançohet së shpejti në gjuhën shqipe. Këtë investim Adriani e ka bërë, për shkak se tani në estradë po mbizotëron kriza financiare dhe në koncerte këngëtarët nuk paguhen më shumë se 1.500 euro. Studioja muzikore Adrianit i ka kushtuar rreth 50 mijë euro, ndërsa vetëm për një mikrofon ai ka paguar 6.500 euro. Këto shuma të mëdha nuk janë asgjë me atë se çfarë është duke përgatitur këngëtari si surprizë për të gjithë ata kolegë të cilët do të vizitojnë studion e tij. Përveç vilës, e cila do të jetë në dispozicion të mysafirëve, Adriani është duke ndërtuar një motel shumë luksoz, ku këngëtarët do të flenë pa pasur nevojë të vendosen në hotele, ka edhe një pishinë, sallë sportive (për të gjitha llojet e sportit) dhe shumë lukse të tjera, vetëm e vetëm që të jetë kompetitiv në treg.

 

KRESHNIK SELMANI

© Panorama.al

Te lidhura