Një biznesmen rus 36-vjeçar, Alexey Dolgikh i njohur për investimet e tij në kriptovaluta, humbi jetën në orët e para të mëngjesit të së enjtes në Moskë, pasi automjeti i tij luksoz Lamborghini Urus u përmbys dhe u përfshi nga flakët.
Sipas policisë, Dolgikh po drejtonte makinën me shpejtësi mbi 150 km/h në autostradën ndërkombëtare të kryeqytetit rus, duke udhëtuar me tre miq.
Pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë se ai humbi kontrollin në një kthesë, u përplas me barrierat mbrojtëse dhe më pas automjeti u përmbys, duke marrë menjëherë flakë.
Në aksident humbi jetën edhe pasagjeri Ivan Soloviov, ndërsa dy persona të tjerë, Nikita Tezhikov, 21 vjeç, dhe Kiril Mokhalov, 22 vjeç, u dërguan në spitalin Botkin me fraktura të shumta dhe plagë të rënda.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë SUV-në superluksoze të përmbysur e të përfshirë nga zjarri, ndërsa në rrugë shiheshin të shpërndara kartëmonedha rubla. Autoritetet dyshojnë se shkaku kryesor i aksidentit ishte shpejtësia e tepërt, ndërkohë që prokuroria ka nisur një hetim të plotë për ngjarjen.
Dolgikh, pasuria e të cilit vlerësohet në disa miliona dollarë, kishte rënë më parë në vëmendjen e autoriteteve ruse, pasi ishte përfshirë në listën e zezë të bankave për akuza mbi pastrim parash. Sipas mediave ruse, ai ishte regjistruar plot 586 herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim të shpejtësisë, që nga momenti kur kishte blerë Lamborghini-n, rreth 15 muaj më parë.
I njëjti automjet ishte lidhur edhe me një incident me armë zjarri shtatorin e kaluar, jashtë një restoranti luksoz në Moskë, kur një burrë që e përdorte atë kishte qëlluar në ajër. Dolgikh atëherë ishte paraqitur vetë në polici, kishte mohuar çdo përfshirje dhe ndaj tij nuk ishin ngritur akuza.
36-vjeçari është investitori i dytë rus në fushën e kriptovalutave që humbet jetën në rrethana tragjike javët e fundit, një fakt që ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat ruse.
© Panorama.al














