Migjeni dhe testamenti i tradhtuar

Oct 13, 2011 | 10:46

ALDO BUMÇI

Në shkrimin e djeshëm të botuar në gazetën ‘Shekulli’ me titull ‘Migjeni, shumë i madh për qeveritarë të vegjël’, autori i tij ka përdorur një sërë të pavërtetash dhe arsyetimesh të tjera tërësisht jashtë letrare – në të vërtet janë në vazhdë të manipulimit tashmë klasik që i është bërë Migjenit përgjatë 50 viteve të regjimit komunist dhe në vijim – për të arritur në disa përfundime qëllimisht të gabuara.
Në këtë shkrim doza e tepruar e patetikës dhe mllefit, që në të vërtet fsheh mungesën e ndonjë argumenti themelor për ta shkruar këtë shkrim, e pengon autorin të kuptojë realitetin e pakontestueshëm që Migjeni është poeti më i kremtuar në letërsinë shqipe të shekullit të shkuar e në vijim.
Për këtë arsye regjimi komunist e manipuloi këtë figurë të ndritur të kulturës shqipe për t’ia kundërvënë djallëzisht të tjera figurave madhore krejtësisht të përçmuara dhe të harruara siç qenë Ernest Koliqi, Atë Gjergj Fishta apo Lasgush Poradeci dhe të tjera  figura të ndritura. Migjenit iu veshën petka të tipit “komunist”, ‘shkrimtar i kuq revolucionar”, “pararendës i soc-realizmit”, etj, duke ia kundërvënë figurave të tjera ‘reaksionare”, të cilat regjimi i kuq i luftoi edhe më egër se të gjallët. Por ky nuk është Migjeni, ky nuk nuk është testament i tij. Kjo skemë ideologjike dhe me synime të mbrapshta e përdor nga regjimi komunist për të kundërvënë figurat e mëdha të kulturës shqipe, ka rezultuar fatal për kulturën tonë e cila mezi i shpëtoi shfarosjes nga murtaja e kuqe. Sot ne ende nuk kemi një hierarki të domosdoshme dhe të mirëpranuar të vlerave letrare shqipëtare, por nga ana tjetër të hapësh debate se kush prej Lasgush Poradecit apo Migjenit është më i madh apo më i vogël, më i rëndësishëm apo i parëndësishëm, është kryekëput një debat, që në rastin më të mirë është naiv dhe shterp dhe në rastin më të ulët është vazhdimësi e njëjtës skemë manipuluese dashakeqe që përmenda më lart.
Nëse deri sa qe gjallë Lasgush Poradeci, për shqiptarët ishte më shumë një emër nga bota e të vdekurve sesa e të gjallëve, rokada Migjen-Lasgush që propozon autori i shkrimit është thjesht ogurzezë. Dhe ky nuk është testament i Migjenit. (I kujtoj autorit të shkrimit në fjalë që si fitues i Çmimit “Lasgush Poradeci” që jep Ministria e Kulturës, është gjithmonë në kohë ta refuzojë, nëse mendon që emri i Lasgush Poradecit nuk e nderon).
Ministria e Kulturës është krenare që vitin 2011 e ka shpallur vitin e Migjenit, Gjergj Fishtës dhe Marie Krajës, tre personalitete që do të mbeten gjatë në kujtesën kombëtare dhe me të cilët është lidhur pazgjidhshmërisht identiteti ynë kulturor dhe kombëtar.
Ndërsa për të tre personalitetet e kulturës janë parashikuar mjaft aktivitete artistike (ndërkaq janë kryer ose po kryhen), por këtu po veçoj sidomos aktivitet kushtuar Migjenit të cilat po i rendis më poshtë:
1-Në shkurt të këtij vit, Ministria e Kulturës ia akordoi Çmimin Kombëtar “Faik Konica” për studimin më të mirë të vitit veprën “Migjeni ose parathënie dyzuar” me autor Anastas Kapurani duke nxitur haptas studimin e veprës së Migjenit jashtë kornizave soc-realiste.
2-Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë nga data 04 – 13 tetor 2011, është hapur dhe po vitizohet ekspozita me koleksionin e botimeve të Migjenit, të nxjerra nga fondi që disponon ky institucion i rëndësishëm mbi jetën dhe veprën e Migjenit.
3-Në datën 13 tetor ( kur shënohet edhe 100 vjetori i lindjes së tij) ora 20:00, në Teatrin Kombëtar do të realizohet nën regjinë e artistit të mirënjohur Vasjan Lami, koncerti poetik “Poema Migjeniane” nën interpretimin e artistëve të mirënjohur të skenës Yllka Mujo, Fatos Sela, Bujar Asqeriu, Suela Konjari dhe Dritan Boriçi.
4-Në datën 13 tetor do të organizohet në sallën Tefta Tashko Koço, të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese Ëest Print, ceremonia e promovimit të veprës më të fundit studimore mbi Migjenin “Migjeni në pakohësi”, vepër e studiuesit Behar Gjoka.
5-Më datën 14 tetor 2011, në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit do të vihet në skenë baleti i mirënjohur “Migjeniania”.
6-Qendra e Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë të UT-së, organizon konferencën shkencore “100 vjet me Migjenin”
7-Në këtë kontekst, për të përkujtuar dhe nderuar veprën dhe figurën e poetit të shquar Migjenit, MTKRS ka përgatitur dhe realizuar vendosjen e banerit qëndror në Pallatin e Kulturës si edhe ka përfunduar shpërndarjen e mjaft materialeve promorcionale ( ftesa, programe etj), e në të njëjtën kohë nga Televizioni Publik Shqiptar po shfaqet ndërkohë spoti i posaçëm, financuar nga institucioni ynë, në nderim të figurave: Migjenit, Atë Gjergj Fishtës dhe Marie Krajës.
Sigurisht, ndonjëri prej ‘Mohsave’ sikundër i ka tipizuar shkëlqyeshëm shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare,  do të ëndërronte  që Migjeni të harrohej nga shteti, nga njerëzit, nga dashuruesit e letërsisë, që pastaj ata duke ua përmendur emrin  me sokëllitje, të mund të shelbojnë diçka prej kujtesës së tyre të rënduar.
Duke njohur dhe vlerësuar mjaft faktin që Migjeni është shkrimtari më i njohur dhe i çmuar në shtatëdhjetë vitet e fundit, unë gjej rastin për të shprehur edhe detyrimin që na lind të gjithëve – mua në rradhë të parë – ndaj etërve të letërsisë dhe kulturës shqipe që u mohua krejtësisht në kohën e komunizmit, vepra e të cilëve meriton të njihet, të përhapet dhe të ketë vendin e vet në memorien e gjithësecilit, në memorien e kombit.

© Panorama.al

Te lidhura