Meta: Rama, kryebashkiaku në largim në fund të mandatit të tretë

Apr 23, 2011 | 11:01
Meta, dje në Lushnjë

Nga Lushnja, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për kryetar të kësaj Bashkie Albert Sanxhakun, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se fitorja e Lushnjës në 8 maj do të jetë një ndër më të thellat në të gjithë Shqipërinë. Duke bërë thirrje për votë pro Sanxhakut, Meta tha se Lushnja nuk ka nevojë për eksperimente, ndërsa shtoi: “Lushnja tashmë e ka kryebashkiakun e saj, i ka projektet e saj, e ka të sigurt partneritetin me qeverinë dhe të gjithë mbështetjen e saj. Albert Sanxhaku më datën 9 maj do t’i shërbejë njëlloj dhe pa dallime të gjithë qytetarëve të Lushnjës”. Më pas, Meta ironizoi Edi Ramën që garon për të katërtin mandat në kryeqytet, duke u shprehur se “kryebashkiaku në largim edhe në fund të mandatit të tretë në Tiranë, nuk e ka bërë studimin urbanistik”. Duke bërë një paralelizëm të Ramës me punën e Sanxhakut, Meta theksoi: “Në Lushnjë, vetëm në mandatin e parë kryebashkiaku Sanxhaku miratoi studimin e përgjithshëm urbanistik të Lushnjës, që do t’i sigurojë asaj një perspektivë shumë më të mirë të një qyteti të mirëorganizuar dhe më standarde europiane për të gjithë banorët”.

© Panorama.al

Te lidhura