
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga deputeti i Pogradecit, Fatbardh Kadilli, ka prezantuar dje në mesditë kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Luan Topçiu. “Pogradeci ka nevojë për një kryetar bashkie, që në radhë të parë të vendosë interesat e qytetarëve, dhe jo ato të tij, sikurse ka ndodhur deri tani. Për një kryebashkiak që të ketë në rendin e parë luftën kundër papunësisë, hapjen e vendeve të reja të punës dhe këto janë pjesë e programit të Luan Topçiut”, tha Meta, duke theksuar se Luan Topçiu nuk e kërkon këtë bashki, ndryshe nga kryetari në largim, për ta përdorur për qëllime politike. “Absolutisht, vetëm këtu te ne mund të dëgjoni angazhime të tilla, që e duam bashkinë për të bërë luftë politike me qeverinë. Në të gjithë botën kryetarët e bashkive janë administratorë të qyteteve, janë njerëzit më të interesuar se kushdo tjetër që bashkëpunojnë ngushtë me qeverinë, pavarësisht se cila është ajo, për të çuar përpara projektet për qytetin e tyre. Ndërsa këtu te ne i thuhet qytetarëve na jepni vota që të zgjidhemi dhe të zihemi me qeverinë. Kjo është gjëja më absurde që mund të dëgjohet dhe nuk ka asnjë lidhje me detyrat e funksionet e pushtetit vendor dhe kryetarëve të bashkive”, theksoi Meta. Sipas tij, intelektualët e këtij qyteti, deri tani të papërfillur, do të jenë bashkëpunëtorët e Topçiut në funksion të projekteve të tij për zhvillimin e qytetit. “Luan Topçiu do të kërkojë bashkinë që t’u shërbejë qytetarëve, sepse partia e tij është Pogradeci”, theksoi kryetari i LSI-së.











