Meta në Kamëz në mbështetje të Xhelal Mziut

Apr 29, 2011 | 19:11

KAMËZ- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ishte sot në Kamëz në mbështetje të kandidatit të “Aleancës për qytetarin” në këtë Bashki, Xhelal Mziu. Meta e cilësoi procesin zgjedhor të 8 majit, si me rëndësi jetike për gjithë vendin, dhe tha se në këtë datë duhet të japim një mesazh të emancipimit të të gjithë shoqërisë sonë.

Sipas Metës, programi i kryetarit aktual dhe të ardhshëm për Bashkinë e Kamzës, përputhet me prioritet e LSI-së, të cilat vënë në plan të parë interesat e qytetarëve.

“Papunësia është nje shqetësim edhe për banorët e Kamzës, pikërisht këtu në Kamëz po realizohet qendra më e madhe e formimit profesional për të formuar me 22 profesione mjaft të rinj e të reja. Kjo qendër do të sjellë mundësi të jashtëzokonshme për të ndihmuar komunitetin”- tha Meta.

Duke ju referuar incidenteve të kësaj fushatë elektorale, Meta tha se këto janë ngjarje të pakëndshme që nuk kanë lidhje aspak me qetësinë, kulturën dhe bashkëjetësën e banorëve të kamzës.

Ai i ftoi kamzalinjtë, që të izolojnë të gjithë provokatorët, që  kërkojnë të dëmtojnë  një proces zgjedhor me rëndësi jetike.

Kreu i LSI-së, më tej vuri në dukje dallimin mes kandidatëve të “Aleancës për qytetarin” dhe ato që ai u quajti, “të rrugës së vetme”

“Ka një dallim midis kandidatëve, sepse ne kërkojmë votën në mënyrë që të zgjidhim problemet e qytetarëve, duke bashkëpunur me të gjithë. Ata të rrugës së vetme kërkojnë mandatet për t’i përdorur ato për konflikte politke me qeverinë gjë që nuk është në interes të asnjërit”- tha Meta.

© Panorama.al

Te lidhura