Meta ironizon propozimet e kryeministrit për ndryshimet ligjore: Neni afrikan i Edi Ramës, që çuditi botën!

Feb 16, 2026 | 20:26

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka ironizuar nismën e kryeministrit Edi Rama dhe propozimin e tij më të fundit, për ndryshimet ligjore në Kodin Penal, me qëllim mbrojtjen e disa institucioneve të rëndësishme nga vendimet e pezullimit që kërkon drejtësia, duke marrë si precedent rastin e zv/kryeministres Belinda Balluku.

meta rama

Me një postim të shkurtër në Facebook, që e shoqëron edhe me foto-diçiturë, Meta shkruan shkurtimisht:

“Neni “afrikan” i Edi Ramës, që çuditi botën”.

Ish-presidenti, i cili qëndron i paraburgosur prej 21 tetorit 2024 me kërkesë të SPAK dhe vendim të GJKKO-së, thumbon kryeministrin, duke nënkuptuar se po bën ligje afrikane për Shqipërinë, ndërkohë që premtimet janë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, sipas raportimit të agjencisë “Reuters” ditën e sotme (16 shkurt), një gjykatë pezulloi në nëntor zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pas një padie të ngritur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

Ajo akuzohet për ndërhyrje të dyshuar në një tender për projekte infrastrukturore, akuza që i ka mohuar.

Çështja ka nxitur përplasje mes SPAK-ut, i cili i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të Ballukut për të mundësuar arrestimin e saj, dhe kryeministrit Rama, i cili ka kritikuar atë që e cilëson si tejkalim kompetencash nga ana e gjyqësorit, veçanërisht lidhur me masat e paraburgimit.

Shqipëria synon anëtarësimin në European Union deri në vitin 2030, por Brukseli ka theksuar vazhdimisht se vendi duhet të intensifikojë luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Partia Socialiste, e drejtuar nga Rama, e cila siguroi një mandat të katërt radhazi vitin e kaluar dhe gëzon shumicë të konsiderueshme parlamentare, pritet të ketë rol vendimtar në çdo vendim për imunitetin e Ballukut, e cila më herët ka mbajtur edhe postin e ministres së Infrastrukturës dhe konsiderohet aleate e afërt e kryeministrit.

“Momenti kur një ministër shkarkohet, nuk është vetëm një person i shkarkuar, por e gjithë puna e atij institucioni”, citohet të ketë thënë Rama para deputetëve socialistë, duke shpallur planin për ndryshimet ligjore”, thekson “Reuters”.

© Panorama.al

Te lidhura