Meta: Berati, jo më kush var xhaketën, por votë për projekte

Apr 29, 2011 | 9:46

Votat nuk futen më nëpër xhepa xhaketash, por jepen për projekte konkrete. Ky është mesazhi i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, teksa u ndal në Berat, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ilir Deçolli. Ai theksoi se qytetarët e Beratit duhet të votojnë për një kandidat që do të punojë për të gjithë qytetarët, pa dallime partiake, sepse është pikërisht momenti për t’u dhënë fund ndarjeve politike për interesa të ngushta në qytetin e Beratit. “Berati nuk është një qytet ku dikush mund të varë xhaketën dhe t’i marrë votat edhe pa punuar për Beratin. Kjo kohë ka kaluar. Ndaj ka nevojë për një kryetar të ri të Bashkisë, për një ekip të ri, për një vizion të ri, në mënyrë që këtë pasuri të jashtëzakonshme historike, kulturore, muzeale, ta shndërrojmë në një mirëqenie të prekshme për të rritur turizmin dhe për ta kthyer këtë qytet në një qendër shumë të rëndësishme të gjithë kësaj pjese të Shqipërisë”, u shpreh lideri i LSI-së. Sipas tij, Berati do t’i japë me votë, në mënyrë të qetë, të kulturuar dhe demokratike, sikurse e ka në natyrën e vet, përgjigjen e merituar atyre që e kërkojnë Bashkinë e Beratit jo për t’u shërbyer qytetarëve, por për t’i shërbyer konfliktit me qeverinë. “Interesi duhet të jetë një dhe vetëm një: për të përmirësuar jetën e komunitetit tuaj të mrekullueshëm, për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të shumta, për të cilat Bashkia ka një përgjegjësi të madhe”, tha Meta, duke bërë thirrje që më 8 maj qytetarët e Beratit të votojnë Deçollin.

© Panorama.al

Te lidhura