Në rininë time të hershme kam pasur fatin t’i shijoj afresket dhe ikonat në elementin dhe dimensionin e tyre hyjnor. E kam fjalën për ikonat në kishë. Dhe çfarë kishe! Që është nga më të vjetrat në Shqipëri dhe saktësisht nuk i dihet datimi: Kisha “Shën e Premte” e Çetës. Kjo kishë, dy kilometra nga Kavaja, e ndërtuar në një kodër dominuese ku syri të rrok detin dhe gjithë hapësirat e kodrinave e fushave që shtrihen në këmbët e saj. I kam bredhur të gjitha fshatrat, që nga deti e deri në kufi me Tiranën, dhe kam bërë peizazhe. Në një nga këto pelegrinazhe frymëzuese artistike të pasionit që më vonë m’u kthye në profesion, këmbët më çuan në Kishën e Çetës. Është një vend gjithë mister, gjithë magji, gjithë mirësi. Hija e qiparisave dhe kadifja e blertë e barit para kishës janë ndryshe, ullinjtë janë poshtë dhe kurorat e tyre duken si një det i argjendtë duke u shkrirë në harmoni me kaltërsinë e qiellit dhe detit. I gjithë vendi të sugjestionon, është si hipnozë. Ishte pranverë, ishte mars shpërthyes, ku natyra kruhej e zhgërryhej duke u krisur, grisur e shqyer në lulëzim. Brenda kishës nuk ishte pranverë, brenda kishës ishte vjeshta. Ishte nostalgjia. Vjeshta e artë, fashat e dritës si penelata argjendi ndriçonin shenjtorët dhe brenda meje paqja ishte në ekuilibër të plotë. Një qetësi dhe paqe, një simfoni hyjnore e përjetuar dhe e vështirë në të përshkruar. Jam brenda në mesin e Kishës “Shën e Premte”, hap sytë dhe shikoj ikona dhe shenjtorë, mbyll sytë dhe me shikojnë shenjtorët dhe ikonat. Dhe dëgjoj muzikë, dëgjoj korale, ndiej magji, jam i shtangur, jam në shenjtërim, jam mes engjëjsh, jam në yllësi shpirtërore. Jam në mesin e një mugëtire mistike ku shoh dhe shijoj pesëmbëdhjetë ikonat e Shpatarakut, ku shoh dhe shijoj afresket e vëllezërve Zografi. Jam tokësor, jam i vdekshëm, jam mëkatar dhe, të them të vërtetën, nuk jam unë që shikoj shenjtorët, po ishin shenjtorët që më shikonin mua. Ishte një energji e mirë, e gjitha mister që më ndjek ngado që shkoj. Edhe sot e kësaj dite sytë e tyre më ndjekin ngado. Janë ikona të shpirtit tim. Ky është takimi i im i parë me shenjtorët, me ikonat, me kishën. Çelësin e portës së Kishës “Shën e Premte” e kishte një familje myslimane. E gjithë treva është myslimane, vetëm kisha ka qenë e krishterë e pastaj ortodokse. Kisha e fshatit Çetë është i vetmi monument kulture i stilit romano-gotik në Shqipëri. Është një përjetim që nuk më shlyhet edhe sot e kësaj dite. Hyra në kishë, “kapërceva ylberin”. Flitet për vitin 1976. Kisha hyrë të shikoja ikonat. Kishat dhe ikonat diktatura i kishte fshirë e rrafshuar, se ikonë ishte vetëm ai – diktatori. Në ikonë na ishin kthyer bunkerët! Them që isha i bekuar dhe me fat që pashë 15 ikonat e Shpatarakut, se sot në Kishën “Shën e Premte” nuk ka asnjë ikonë. E trishtueshme… Zbrazëti dhe e paimagjinueshme një kishë pa ikona!
* * *
Pema me kurorën e madhe, që u bë aq shumë debat, nuk është më. Dhe mirë kështu. Fasada e Galerisë Kombëtare të Arteve është më e lexueshme dhe si arkitekturë. Të shikueshme e të lexueshme janë dhe posterat apo pllakatet e mëdha që lajmërojnë hapjen e ekspozitave apo projekteve artistike. Një pllakat e madhe në hyrjen e galerisë, një gjetje e bukur e kuratorit Rubens Shima, “Kostandini i Madh”, ikonë e Thanas Zografit, shek. XVIII. Ky është prezantimi e komunikimi i parë që lajmëron hapjen e një evenimenti të rrallë: Ekspozitën e ikonave shqiptare. Ky është imazhi që nuk e kapërcen dot oborrin e galerisë dhe me një ndjenjë të çuditshme futem në galeri për të parë ekspozitën e çelur në Galerinë Kombëtare të Arteve: “Ikona shqiptare, shek. XIV-XX”. Prezantohen vlerat dhe pasuritë historike dhe shpirtërore të vendit. Në Galerinë Kombëtare të Arteve janë ekspozuar 47 ikona. Janë ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. Ekspozita e ikonave të rralla. Është një ekspozitë shumë e bukur. Në mesin e ikonave ndihem mirë, ndihem siç do të mund të ndihet njeriu në mesin e stolive dhe bizhuterive të shtrenjta, ndihem mirë se këto janë ikona, janë shpirt, janë flori apo gurë të çmuar diamanti që i rezistuan barbarisë së diktaturës. Ikonat janë një stoli kombëtare, historike e artistike. Kur mendoj që janë vetëm 47 ikona dhe të gjitha janë të magjishme dhe të shenjtëruara, ndihem jo mirë për numrin e pakët që kanë mbetur, por janë me të vërtetë ashtu siç shkruhet e thuhet: janë dritare komunikimi hyjnor për ne vdekatarët, tokësorët. Mund të zgjatem e të flas për ikonat në mënyrë eksplicide për secilën prej tyre duke e komentuar, për magjinë, për sugjestionin, për muzikën, për trishtimin e misterin, për ndriçimin që ato rrezatojnë, për kompozimin frontal dhe ngjyrimin dydimensional të ikonografisë, për Shën Gjergjin në kalë duke vrarë një përbindësh (E mira vret të keqen), Krishtin me ungjillin e shenjtë dhe me aureolë të artë. Shenjtorë me flatra, Krishtin në prehrin e Shën Marisë, por ajo që dua të them në këtë shkrim ka të bëjë me ikonat si simbol në jetën tonë dhe mendimet që më zgjuan ikonat. Njeriu ka kaq nevojë për besim, sa që bën pelegrinazhe drejt ikonave të shpirtit, drejt vendeve të shenjta. Njeriu ka nevojë t’i perceptojë dhe t’i kapë me duart, t’i ndiej gjërat, ta hajë me sy të bukurën dhe ta marrë me vete si shenjtërim. Dhe ikonat shqiptare të pakta në numër janë një stoli e rrallë, një shenjtërim që të gjithë duhet ta marrin me vete. Janë dritare qiellore që kontaktojnë me ne mëkatarët: janë ikona. Dhe duke qenë të tilla, ikonat duhet të “pushtonin” gjithë Shqipërinë. Kur them gjithë Shqipërinë, them gjithë Ballkanin. Është 100-vjetori i pavarësisë dhe me ikonat duhej të stoliseshin të gjitha qytetet e Shqipërisë. Duhej që jo vetëm oborri i Galerisë të kishte një poster mbidimensional, po i gjithë atdheu të stolisej me shenjtorë, të ndriçohej me frymën e Zotit e të përshëndeste njerëzit në mëngjes, drekë e darkë me engjëjt. Në çdo qytet të kishte të paktën dy ose më shumë pllakate me shenjtorët e me ikonat.
* * *
Pa dëshirën tonë injektohemi me lajme e informacion dhe nuk gjejmë qetësi. Ngado që të rrotullohemi jemi të rrethuar me “ikonat” e kohës në të cilën jetojmë. Në dhomat e fëmijëve nuk ka më ikona me Shën Marinë, po ka ikona të reja me Big Brother, me Ledi Gaga e Çiljeta. Nuk ka më dritare qiellore komunikimi, ndërmjetësimi e komunikimi hyjnor është zëvendësuar me ekrane dixhitale e virtuale dhe shoqëria e jonë quhet shoqëri konsumi. Ushqimin shpirtëror të njeriut e ka marrë në dorë reklama, pllakatet masive super të mëdha të të gjitha formateve që na hyjnë në subkoshiencën tonë dhe ndikojnë në etikën e estetikën tonë. Ikonë do të thotë figurë, simbol. Dhe ikonat tona, reklamat tona, figurat tona, logot e simbolet tona na kanë pushtuar ngado. Kanë zënë qiellin, kanë zënë pamjen përballë, janë majtas, janë djathtas, janë ngado! “Kështu është në të gjithë botën?” – i bëj pyetje vetes përpara se të ma bëjnë të tjerët. Jo, nuk është kështu. Dhe ky është qëllimi i këtij shkrimi. Mendimet që më zgjuan ikonat. Imazhet, figurat, reklamat, janë pjesë e jetës sonë. Po jo kështu, ngado që të hedhësh sytë në hapësira pa fund, mediat kanë pushtuar çdo gjë me ikonat e kapitalit, duke prishur ekuilibrat e komunikimit. Është si një marrëveshje e keqe, është një inskenim i keq, një butafori e keqe, ku shteti duhet të vërë dorë dhe të rregullojë të gjithë dekorin e qyteteve, jo të jetë i marrë peng nga invazioni i mediave. Agresiviteti dhe pafundësia e hapësirës mediale na ka bërë si somnambulë, të mpirë e të çorientuar, duke na larë trurin e duke na bërë viktimë e konsumit të tyre. Është detyrë e shtetit të rregullojë dhe të na mbrojë nga invazione të tilla mediatike e komerciale. Në një kuptim më të gjerë reklamat janë një komponent thelbësor i komunikimit njerëzor dhe, si të tilla, ato ndikojnë në formën sociale të ndërtimit të jetës.
Dega ime ka qenë skenografia, dhe kjo është ndoshta dhe arsyeja që për mua është e papranueshme dhe e papërtypshme një kaos i shëmtuar i dekorit të qyteteve tona me reklama. Të marrin frymën, jo të mërzisin, po të shkurtojnë jetën. Janë vënë në pozicione e kryqëzime ku nuk duhet të ishin. Janë shumë agresive. Që jeta që në jetojmë sot është botë e konsumit dhe reklamat janë ikona/figura të domosdoshme të jetës sonë, janë mesazhe komerciale për të synuar që grupi, kompania, firma, restoranti e dreqi vetë duan të arrijnë e të nxisin reputacionin, imazhin, fitimin e misionin e tyre nëpërmjet reklamës, kjo është e kuptueshme, por jo në këtë derexhe. Në këtë kaos agresiv që i kalon të gjithë kufijtë e etikës. Shteti, bashkitë, ka ardhur koha që të vënë dorë në zotërimin estetik të arkitekturës së reklamave. Estetika e arkitektura e reklamave duhet të jetë kreative dhe funksionale për të gjithë dhe duhet të disiplinohen sipas peshës, mesazhit, vëmendjes e politikës. Po e ilustroj:
Sapo hyn në Shqipëri apo del nga Shqipëria, në hollin e Aeroportit “Nënë Tereza” nuk i shikon ulje-ngritjet e avionëve, po sytë të rrokin një mega-pllakat ku prezantohesh me “ikonat”, si: “Bugajski Hour”. Nuk kam asgjë kundër “Bugajski Hour” dhe televizionit që ai përfaqëson, por më duhet ta them që ai nuk është kartëvizita e pritjes dhe përcjelljes së Tiranës, aq më keq e Shqipërisë. Do të ishte shumë më mirë sikur në këtë mega-pllakat luksoze një ikonë simbolike e kryeqytetit, ose të ishte njoftimi për ekspozitën e ikonave, ose të ishte Maratona Ndërkombëtare e Tiranës, të ishte një aktivitet tjetër atraksioni turistik i Shqipërisë.
Në pranverën e vitit 2011 zbres në Frankfurt dhe më prezantohen reklamat që në Berlin është hapur ekspozita MoMA (Museum of Modern Art New York). Reklamat për këtë ekspozitë i gjeje në të gjithë Europën. Bëj një rrugë si në ëndërr duke shijuar peizazhin nga Frankfurti në Berlin dhe nuk shoh asnjë reklamë në rrugë. Për të qenë i sinqertë, kam parë në mbikalimet reklama kundër alkoolit dhe shpejtësisë që këshillonin shoferët që të mbanin distancë nga njëri-tjetri. Para se të hyjmë në Berlin, një pllakat me logon e qytetit që lajmëronte se ishim në Berlin. Kaq. Kaq kam parë në rrugëtimin tim për në Berlin. E lëmë aeroportin e shkojmë në Kavajë, në hyrje të qytetit, një mega-pllakat. Gazeta Shqiptare.Com. A thua kjo është ikona apo simboli i këtij qyteti! Kavaja ka një simbol, Sahatin e Kavajës. Dhe Sahati i Kavajës është i rrallë në të gjithë Shqipërinë, se është projektuar dhe ka funksionuar si sahat diellor dhe sot e kësaj dite. Dhe këtë nuk e dinë shumë njerëz. Dhe do të ishte shumë me vend që në atë pllakatin në hyrje të qytetit të ishte ikona/figura e Sahatit të Kavajës me urimin e mirëseardhjes.
Bëjmë një rrugëtim të segmentit Kavajë-Tiranë. Një tmerr i papaparë pa as më të voglën frymëmarrje, si në një ëndërr të keqe bombardohesh me birrën kuqaloshe e me të gjithë emrat e të gjitha birrave. Në kodra, sa të ha syri në perspektiven e shikimit, janë shumë të strëmëdhaja, mega-reklamat Vodafone, AMC, Eagle, pastaj fillojnë me radhë spitalet: Spitali Amerikan në Tiranë, Spitali Gjerman në Tiranë, Spitali Grek në Tiranë, Spitali Europian në Tiranë, Spitali Ushtarak në Tiranë, Spitali Francez në Tiranë, Spitali Turk në Tiranë. Spitali, spitali, spitali dhe të gjithë kanë gjetje makabre që e krahasojnë veten me Zotin dhe premtojnë parajsën. Po i lë pa përmendur me mijëra shkrime me teneqe e tabela. Reklamat kanë marrë sot funksionin që kishin ikonat dje, ndërmjetësimin estetik e social të jetës. Këto janë ikonat shpirtërore të jetës sonë, në këtë katrahurë estetike, kështu është dhe jeta jonë. Është njëqindvjetori i shtetit shqiptar, i pavarësisë dhe në të gjitha fushat duhet të festohet e të celebrohet më e mira dhe më e bukura. Uroj që nëpunësit e shtetit, kompetentët të vënë dorë me projekte në disiplinimin, dekorimin estetik të arkitekturës të qyteteve tona.
*Piktor
Drejtor i Alba Filmit












