Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer sërish ndaj protestës kundër resortit në Zvërnec, kësaj here në rrjetet sociale.

Pas takimit të spotëm për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Elbasan, Rama u kap në rrjetet sociale me disa prej komentuesve që kishin komentuar te postimi i takimit të kryeministrit.
Komentet erdhën pas ironisë që Rama bëri me blogerët dhe influencerët që marrin pjesë në protestë. Rama iu tha komentuesve se po luftojnë kundër një projekti imagjinar, kundër vdekjes imagjinare të flamingove me influencerë dhe blogerë si dhe Qorrollapaj.
Pavarësisht se sot në ditën e tetë të protestave kundër ndërtimit në Zvërnec ku u mblodhën lumë njerëzish, Rama nuk tërhiqet duke thënë se projektet për Zvërnecin dhe Sazanin nuk do ndalen.
Postimi i Ramës:
Pra kur mblidheni ju me Rrethin Katror, e me blogerë e influencera që vijnë në bulevard për të marrë follouersa e llajke mbi tribunë, e me lloj-lloj qorrallapajsh rrotull dhe luftoni me tradhëtarë imagjinarë, kundër projektesh imagjinare, për të mbrojtur natyrën nga shkatërrimi imagjinar e për të shpëtuar flamingot nga vdekja imagjinare, kjo është “Shqipëria e Re”, “Shqipëria e Shqiptarëve”, “Shqipëria që nuk shitet”, ndërsa kur mblidhen të tjerët ju i jepni vetes të drejtën t’i shani, ofendoni, pështyni, siç bëni me të tërë ata që marrin kurajon të shprehin ndonjë
mendim ndryshe në faqet e tyre dhe duhet të marrin mbrapsht furinë e gjuhës më anti-ambientaliste të mundshme
Këto bashkëngjitur janë vetëm disa prej mbetjeve të gojës suaj, në adresë të socialistëve të Elbasanit sot, të cilat po ia bashkëngjis këtij shënimi për të gjithë ata që kujtojnë gabimisht se ka mbetur më ambientalizëm në atë protestë të stisur me ndjenjat e shumëkujt, duke i siguruar të tërë njerëzit e mirë e të shqetësuar pa dallim, se projektet e Zvërnecit dhe Sazanit nuk do të ndalen kurrësesi, po do të bëhen shembëlltyra krenarie kombëtare, motorë të rinj të një ekonomie të denjë për një vend të Bashkimit Europian, pasqyra shembullore të zhvillimit të qëndrueshëm dhe destinacione që do t’i shohë me admirim mbarë bota
© Panorama.al