Qytetarët që protestojnë prej ditësh në Tiranë zhvilluan mbrëmjen e së dielës një marshim masiv në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke bllokuar për disa orë qarkullimin në disa akse të rëndësishme.
Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ku pjesëmarrësit mbajtën fjalime dhe përsëritën thirrjet kundër qeverisë. Më pas, protesta vijoi me marshim drejt Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Pas afro katër orësh, protestuesit u ndalën para Kuvendit, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. “Rama jep dorëheqjen” dhe “Ju erdhi fundi” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës.
Në marshim morën pjesë qytetarë të moshave të ndryshme, të cilët bënë thirrje për vazhdimin e protestave dhe bashkimin e qytetarëve në kundërshtim të politikave qeveritare.
© Panorama.al












