
Gara e 8 majit do të përballë në Himarë dy kandidatë të minoritetit grek në Shqipëri.Partia më e re e këtij minoriteti, Partia e Minoritetit Grek për të Ardhmen, MEGA, do të ketë kandidatin e saj në këtë bashki, Dhimitër Llazari, i cili edhe më parë ka kandiduar në këtë bashki për Partinë Demokratike. Vasil Bollano, i cili është kandidat i PBDNJ-së për mandatin e tretë, duket se kësaj radhe nuk e ka të lehtë garën. Ai nuk do të ketë përballë vetëm dy partitë shqiptare politike, PS dhe PD, por dhe një nga të vetët. Deklaratat e fundit të Bollanos, i cili ka provokuar vazhdimisht shqiptarët dhe bashkëjetesën në këtë zonë, duket se ka krijuar pakënaqësi dhe në vetë komunitetin e minoritetit. Palët po luftojnë që të rrisin numrin e pjesëmarrësve në votim. Nga 10.600 votues që ka Bashkia e Himarës, në zgjedhje kanë marrë pjesë rreth 3000 zgjedhës, duke nxjerrë fituesin me vetëm 15% të votuesve. Në këtë mënyrë, rol të rëndësishëm do të luajnë aktivizimi i emigrantëve në Greqi, të cilët, dhe pse organizohen në mënyrë të admirueshme, nuk kanë mundur të shprehin vullnetin e shumicës së banorëve të Himarës. Por zgjedhjet e 8 majit, pritet të kenë dhe një veçori tjetër krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Në pamundësi të një bashkëpunimi mes PD dhe PS në këtë bashki, në mbështetje të kandidatit të njërës apo forcës tjetër, duke dalë fitues mbi kandidatin e PBDNJ-së, mundësitë janë që e majta ose e djathta të bashkëpunojë me kandidatin e MEGA-s, që do të rezultonte fitues. Këtë bashkëpunim e motivon dhe vetë qëndrimi shumë herë përçarës dhe konfliktual i kandidatit aktual të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili refuzoi tabelat e rrugëve në gjuhën shqipe, por arriti të manipulonte dhe historinë e Himarës në faqen elektronike të kësaj bashkie. Këto qëndrime janë bërë dhe objekt i një debati të përsëritur me historianë dhe politikanë. Nisur nga këto qëndrime, PS nuk e mbështeti Bollanon, duke mos bërë marrëveshje me PBDNJ-në për Himarën. PS kandidon në këtë bashki me Gjergji Goron. Për shkak të Bollanos, Rama dhe Dule nënshkruan një marrëveshje të posaçme bashkëpunimi, ku PS do të mbështesë kandidatët e minoritetit grek në zonat e Gjirokastrës dhe Sarandës, përveç Himarës. Por bashkëpunimet e mëparshme mes partive kanë rezultuar të suksesshme. Në zgjedhjet lokale të vitit 2000, në balotazh, PD mbështeti kandidatin e PS, Viktor Maton, duke fituar përballë kandidatit të PBDNJ-së. Ndërsa në 2003, bashkëpunimi PD-PBDNJ nxori fitues Vasil Bollanon, i cili vazhdon të mbajë këtë post. Zgjedhjet e 2003 u shoqëruan me shumë tension dhe incidente në Bashkinë e Himarës, për shkak të akuzave për manipulim të rezultatit, ndërsa dhe në 2007 situata ishte më e qetë dhe për shkak se PD e PS nuk e kontestuan rezultatin e Himarës. Duket se në këto zgjedhje Bollano dhe PBDNJ do ta kenë betejën brenda minoritetit, se cila nga partitë dhe kandidatët do të bindin minoritarët për një projekt të ri, ndryshe nga ky i deritanishmi.
Deklarata
“Prezenca greke në territorin e shtetit shqiptar të ditëve të sotme mund të datohet që në shekullin VII para Krishtit, kur të ardhurit nga Korinthi dhe Korfuzi krijuan Epidamnus-in, sot Durrës. Qysh prej kësaj kohe ka pasur prani të vazhdueshme dhe dinamike, kryesisht, por jo vetëm të përqendruar në jug”, është shprehur pak kohë më parë Bollano.
Llazari: Jam i hapur të bashkëpunoj me PS dhe PD kundër Bollanos
Kandidati i MEGA për Bashkinë e Himarës, Dhimitër Llazari, shprehet përmes një interviste se koha e Bollanos ka mbaruar, për shkak të qëndrimeve të tij jo në shërbim të komunitetit. Llazari shprehet i gatshëm të bashkëpunojë me PS ose PD në Himarë për të fituar mbi Bollanon.
Zoti Llazari, ju jeni shpallur kandidat i MEGA për Bashkinë e Himarës. Si është situata brenda minoritetit grek në Himarë, kur dy parti të këtij minoriteti janë përballë njëra-tjetrës?
Në Himarë tani jemi katër kandidatë, PBDNJ, MEGA, PD dhe PS. Ne të katër jemi himariotë, por mendoj se partia e minoritetit grek për të ardhmen do të ketë një mbështetje dhe përparësi më të madhe, për vetë faktin e fraksionit që është krijuar nga PBDNJ, për shkak të pakënaqësive që kjo parti ka krijuar në marrëdhëniet me minoritetin e Himarës. Shumë njerëz janë të pakënaqur dhe me kandidimin tim në Himarë, ata vijnë dhe më kërkojnë me ngulm që të kandidoj unë në emër të MEGA-s. Kjo edhe për shkak të kandidimit tim në 2007 dhe punën që bëra, kontaktet që kam pasur me këta njerëz dhe gjeta shumë mbështetje në këtë komunitet për të kandiduar.
Cilat janë marrëdhëniet tuaja me PBDNJ dhe kryetarin aktual të Bashkisë së Himarës?
Marrëdhëniet e mia personale me PBDNJ dhe kryesisht me kreun aktual të Bashkisë së Himarës janë tepër korrekte. Unë që në 2007 nuk kam pasur ndonjë kontakt me të, nuk kemi pasur asnjë konflikt apo incident mes nesh. Por mendoj se koha e kryetarit aktual të Bashkisë së Himarës ka kaluar. Ato çfarë kishte për t’i dhënë Bashkisë së Himarës, ai e ka dhënë dhe Himara ka nevojë për një ndryshim dhe ky ndryshim mund të vijë vetëm përmes MEGA-s.
Cili është qëndrimi juaj ndaj deklaratave të përsëritura të zotit Bollano për cëështjet e minoritetit në Shqipëri, por dhe të një bashkëjetese me pjesën tjetër të vendit?
Unë sigurisht jam kritik ndaj deklaratave të zotit Bollano, për vetë faktin se të jesh kryetar bashkie i suksesshëm, do të thotë të jesh administrator i suksesshëm. Bashkia e Himarës nuk duhet politizuar por duhet të jetë si të gjitha bashkitë e tjera të Shqipërisë, ku të mendosh se si ta ndërtosh atë vend, si të presësh sa më mirë turistët, me të cilët mbahen ekonomitë e atij komuniteti, duke menduar se si duhet të shtojmë sezonin turistik. Në Himarë të gjitha komunitetet kanë bashkëjetuar prej vitesh pa asnjë lloj tensioni apo problemi, i cili ka ardhur për shkak të politizimit që i ka bërë kryetari aktual i bashkisë. Jam kundër politizimit të çështjes së Himarës, jam kundër deklaratave që bën zoti Bollano, por si himarjot unë jam pro regjistrimit të popullsisë mbi bazën e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit, mbi konventat ndërkombëtare të firmosura nga qeveria shqiptare dhe minoriteti.
Ju që jeni vendës dhe që merrni çdo ditë ndjeshmëritë e përditshme të njerëzve, mendoni se i përfaqëson Bollano himariotët me qëndrimet dhe veprimet e tij?
Për mua nuk përfaqëson himariotët zoti Bollano me deklaratat e tij. Që t’u kthesh himariotëve identitetin, duhet një politikë më e gjerë në bashkëpunim me organet shtetërore, qendrore bazuar në marrëveshjet dhe konventat për të qenë sa më komodë në vendin ku jetojmë.
Kjo fushatë ka hapësira bashkëpunimi të MEGA-s me PBDNJ, apo pse jo dhe me PS apo PD?
Unë mendoj se MEGA do të jetë një parti fituese, një besim për himariotët, sepse nga politika që ka ndjekur PBDNJ-ja në Himarë ky komunitet është i zhgënjyer dhe unë mendoj se ajo ka humbur shumë terren dhe sidomos në ato zona ku ka pasur bazën kryetari aktual i Himarës. Mendoj që me partitë e tjera mund të ketë një bashkëpunim, si majtas ashtu dhe djathtas dhe unë jam i hapur, aq më tepër që unë vij nga radhët e PD-së. Kam shumë dashamirës e mbështetës dhe mendoj se ata do të më mbështesin. a.l
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











