Mediu: Basha do të kthejë pronat në Tiranë

Apr 9, 2011 | 11:08

Partia Republikane ka çelur dje zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, në pallatin e sportit “Asllan Rusi”. Me këtë rast, kreu i kësaj partie, Fatmir Mediu, që në hapje të fushatës vlerësoi anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e vizave me BE-në. “Jemi këtu për flamurin tonë, i cili ka zënë tashmë vend ndërmjet flamurit të BE-së dhe NATO-s.
Duke na bërë të përgjegjshëm për të menduar për të gjithë ata që ranë në emër të tij dhe për të gjithë ata që në vitet që vijnë do të përulen me respekt dhe krenari përpara tij, përpara flamurit të NATO-s dhe BE-së”, tha Mediu. Më tej, ai vuri theksin te pika kryesore e programit të PR-së, që është prona. Duke e konsideruar këtë çështje si një plagë të madhe dhe të vjetër që kërkon zgjidhje, Mediu u shpreh: “BE-ja e ka përcaktuar atë tashmë si një detyrim për shtetin shqiptar. Padrejtësitë vijnë nga ligjet dhe koncepti statist i kontrollit të shoqërisë, por ajo buron edhe te padrejtësitë atje në nivel lokal, ku interesat e pronarëve të ligjshëm manipulohen duke u rrëmbyer pronën ose duke i detyruar ta shesin, në pamundësi për të ndërtuar dhe zhvilluar pronën e tyre si qytetarë të barabartë në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë”. Për të rregulluar këtë proces, si edhe problematikën e gjerë sociale, si: droga, analfabetizmi, prostitucioni, SIDA etj., kreu i PR-së u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Lulzim Basha. Duke e prezantuar, Mediu theksoi se, “Basha ka këmbëngulur për t’iu kthyer pronën qytetarëve. Tirana ka nevojë për lidership, ka nevojë për qytetarin e saj, që jeton me ta, në mënyrë të vazhdueshme, kryetarin e saj të munguar. Pasi politika e vetme është politika e ndërtimit të Shqipërisë europiane, pasi Tirana nuk është vetëm bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, por çdo shtëpi e çdo pallat i saj. Nuk është fasada e lyer e pallatit, por çdo qytetar i saj, me jetën e tij të përditshme”. Më pas, fjalën e ka marrë Basha, i cili pas falënderimeve për mbështetjen e PR-së, deklaroi se “në programin e PR-së çështja themelore është çështja e pronës. Unë dua t’ju garantoj nga ky podium, se unë, në themel të programit e projekteve të zhvillimit të Tiranës do të vendos respektin e plotë dhe të palëkundur për pronën private të qytetarëve të Tiranës, zhvillimin e saj, sipas një formule të drejtë të vlerësimit të saj”.

“Në shtëpitë e ish-të përndjekurve jetojnë persekutorët”

Kreu i PR-së e ka akuzuar kryebashkiakun Rama se i ka lënë pa strehë ish-të përndjekurit politikë, për shkak të bindjeve politike. “Janë qindra familje që ende nuk kanë marrë shtëpitë e tyre dhe madje, në një pjesë të tyre, ende jetojnë persekutorët e tyre. Pa dyshim, sytë duhen hedhur edhe tek të përndjekurit politikë, që jetojnë akoma nëpër konvikte, vetëm e vetëm se ata ishin një pjesë e huaj për pushtetin lokal dhe Ramën”.

© Panorama.al

Te lidhura